Bukuroshja nga Vlora Françeska Jaçe, e cila u bë e njohur pas pjesëmarrjes në reality show-n “Big Brother”, bën një punë që në Shqipëri nuk është ende shumë e përhapur. Ajo punon si menaxhere në një lokal nate. Vajzat në Shqipëri që kanë zgjedhur këtë profesion janë të pakta, pasi kjo nuk është shumë ‘e pëlqyeshme’ për opinionin publik. Pastaj, kur bëhet fjalë për një bukuroshe të famshme që ende nuk ka mbushur të 20-at, diskutimet dhe thashethemet shumëfishohen. Mirëpo për Françeskën asgjë nga këto nuk ka rëndësi. Vlonjatja e re është mjaft e kënaqur. Në këtë intervistë ajo na rrëfen detaje nga aktiviteti i saj i përditshëm, që për një vajzë të re kudo në Europë konsiderohet shumë normal. Shkollë dhe një punë për të mbajtur veten, i dashuri “s’ka ç’i duhet”.
Françeska, sa kohë ke që punon në një lokal nate?
Po bëj gati një vit që punoj natën. Është një punë që përveçse më sjell goxha fitime monetare, më dhuron dhe kënaqësi. E bëj me qejf!
Në cilën orë fillon dhe mbaron puna jote?
Puna ime fillon rreth orës 12 të natës dhe zakonisht mbaron diku rreth orës 4:00 të mëngjesit.
Është e lodhshme të jesh menaxhere e një lokali me muzikë ‘live’?
Jo, nuk është fare e lodhshme. Shpesh unë mezi pres që të shkoj në punë. Madje edhe në ditët që jam pushim, e frekuentoj “Amsterdamin” për qejf me shoqet e mia. Më pëlqejnë ambienti, muzika, njerëzit që janë aty. Tashmë ndihem midis miqsh kur shkoj atje, ndaj as nuk e shoh si vend pune.
A paragjykohet një femër që bën punën tënde?
Jemi në Shqipëri dhe normalisht që paragjykohet, jo vetëm kur punon në një lokal nate, por edhe kur thjesht e frekuenton. Megjithatë, mua më duket sikur sa më shumë kalon koha, këto paragjykime pakësohen. Kur dëgjon që një femër punon në një lokal nate, mund të mos tingëllojë mirë dhe njerëzit mendojnë kushedi çfarë. Por kur vetë fillojnë të dalin, bëhen klientë dhe e shohin ambientin me sytë e tyre, kuptojnë që s’ka asgjë të keqe. Përkundrazi, lokalet e natës të japin mundësinë të argëtohesh, s’mund të jenë vende të këqija (qesh). Gjithsesi unë besoj që të paktën të rinjtë nuk paragjykojnë, ose të paktën kështu shpresoj.
E ke të mirë rrogën?
Nuk qahem (qesh). Për të plotësuar të gjitha nevojat e mia më mjafton. Madje më lejon t’i plotësoj vetes edhe ca privilegje të vogla. Është një rrogë e kënaqshme.
Zakonisht cilat mosha e frekuentojnë “Amsterdamin”?
Vijnë njerëz të moshave të ndryshme, sepse muzikën ‘live’ të gjithë e pëlqejnë. Mirëpo klientët më besnikë janë rinia, kryesisht të rinj nga mosha 20-30 vjeç.
Vijnë njerëz me shumë lekë?
Po, në fakt vijnë njerëz me shumë lekë, që gjejnë veten në atë ambient. Por lokali frekuentohet shumë edhe nga shtresa mesatare, të cilët po ashtu kënaqen. Ne sigurisht që i presim dhe i respektojmë të gjithë njësoj. Klientë besnikë janë edhe disa personazhe publike. VIP-at nuk mungojnë kurrë.
Të ngacmojnë klientët?
Ne femrat na ngacmojnë kudo, jo vetëm në lokale. Normalisht që edhe mua më ngacmojnë. Më shumë mund të them se më komplimentojnë (qesh).
Po pasi kanë pirë disa gota?
Edhe pasi kanë pirë nuk është se ndodh ndonjë gjë. Në përgjithësi klientela është shumë e mirë. Por edhe sikur të ketë ndonjë problem sado të vogël, kemi një ‘security’ të mrekullueshme. Çunat që kujdesen për sigurinë, rrinë në gatishmëri për çdo gjë që mund të ndodhë.
Ka nga ata që vijnë vetëm për të të parë ty?
Po. Ka nga ata që vijnë për mua sepse janë miqtë e mi. Ka edhe nga ata që vijnë vetëm për të më parë, por që më vonë bëhen po ashtu miq me mua (qesh).
Ka bërë ndonjëri prej tyre ndonjë “çmenduri” që të rrijë me ty?
“Çmenduri” nuk do thoja. Kanë bërë edhe aty të njëjtat gjëra që më bëjnë kudo (qesh).
Po ndonjë propozim të padenjë, të tipit ‘ofertë me shumë zero vetëm për një natë’, ke marrë?
(Qesh) Kam marrë, në fakt. Ka ndodhur që më kanë bërë një ofertë me shumë zero vetëm për të kaluar një natë me mua. Sigurisht që unë nuk i kam marrë në konsideratë dhe kam refuzuar.
Ti, ke një të dashur apo je beqare?
Jo. Për momentin jam shumë në rregull me shkollën dhe me punën. Nuk ka ç’më duhet i dashuri (qesh).
Ka diçka që ti do të na e thuash e ne nuk të pyetëm?
Ju mirëpres kur të doni në ambientin ku punoj. Gjithashtu ju ftoj për 20-vjetorin tim, sepse pas pak ditësh kam ditëlindjen. Nëse doni, mund të merrni edhe nga një dhuratë me vete (qesh).