Qyteti i Kavajës tronditet sërish nga një vrasje me armë. Mbrëmjen e sotme rreth orës 18:00 pronari i një lokali qëlloi për vdekje klientin. Viktima është Marius Ismaili 26-vjeç, ndërsa autori është Xhevdet Lecini 60-vjeç. Ngjarja ndodhi në lagjen nr. 2 në Kavajë në katin e parë ku Lecini kishte lokalin, në të njëjtin pallat ku banon Marsida Qatja (lexo ketu cfare ndodhi ne 10 tetor).
Të dy të dehur, pasi kishin pirë për 7 orë, fillimisht Lecini dhe Ismaili kanë debatuar me njëri tjetrin, ndërsa më pas pronari i lokalit ka shkuar në shtëpi, në katin e tretë të pallatit ka marrë armën e gjahut që kishte me leje dhe në momentin që ka hyrë në lokal e ka qëlluar me një plumb pas koke të riun duke e lënë të vdekur në vend. Pas ngjarjes, autori nuk ka bërë rezistencë, por është dorëzuar vetë në polici.
Të dy, autori dhe viktima nuk janë të panjohur për policinë e qytetit të Kavajës. Një burim nga grupi hetimor i tha Report Tv se viktima kohët e fundit ka qenë shoqëruar disa herë në polici pasi dyshohej se ishte shpërndarës droge, ndërsa në vitin 2012 ka qenë i arrestuar për vjedhje dhe tentativë vrasje së bashku me një tjetër person. Probleme me drejtësinë më parë ka pasur edhe autori, por në kohën e komunizmit, ku ka qenë i arrestuar për plagosje, por Lecini pretendonte se e kishte bërë për vetëmbrojtje