Hetimet për destinacionin e parave të vjedhura në Bankën e Shqipërisë janë bërë shkak për marrjen në pyetje në prokurori të Nerida Bitrajt, gruas së Ardian Bitrajt, personit kryesor të akuzuar për skandalin. Bashkëshortja e autorit të vjedhjes së mbi 712 milionë lekëve nga reparti X në Linzë, ka pohuar në prokurori se i shoqi i kishte treguar për ngjarjen më 20 korrik 2014 në mbrëmje.
Ndërsa Ardian Bitraj mbahet në burg që nga 21 korriku 2014, prokuroria ka marrë në pyetje gruan e tij. Marrja e deklarimeve nga bashkëshortja e të dyshuarit është bërë me qëllim gjetjen e ndonjë të dhëne për destinacionin e mundshëm të parave. “Një moment në shtëpi Ardiani më ka kërkuar të ulesha pranë tij pasi kishte diçka të rëndësishme për të diskutuar. Më ka thënë që kishte marrë shuma të mëdha parash nga arka e shtetit. Më tha që do të kërkonte të fliste me Guvernatorin të nesërmen më 21 korrik nëse do t’i jepej mundësia, në të kundërt do të fliste me eprorët”, ka dëshmuar 35-vjeçarja në prokurori, pasi është pyetur për ngjarjen, shkruan ‘Panorama’
Gruaja e Ardian Bitrajt ka pohuar se paratë e vjedhura në Bankë nuk janë përdorur asnjëherë nga i shoqi për shpenzimet familjare.
Shtetasja Nerida Bitraj, e konsideruar si një ndër 9 dëshmitarët më të rëndësishëm në procesin hetimor, ka deklaruar se bashkëshorti i saj luante me baste sportive, por ajo nuk ka mundur të thotë konkretisht shumat me të cilat ai luante.
Pyetjes së prokurorëve nëse kishte dijeni që bashkëshorti i saj luante në baste sportive, dëshmitarja i është përgjigjur se e dinte që luante, por asnjëherë nuk kishte mësuar se sa ishin shumat e parave që ai luante. “Bashkëshorti im qëndronte gjithmonë tek lokalet e lagjes, ku kishte edhe lokale bastesh. Periudhën kur ishte Kampionati Botëror, ai ka qëndruar kryesisht në lagje dhe kjo i ishte kthyer në një rutinë të përditshme, pasi ai ishte shumë i apasionuar pas futbollit dhe kishte qejf të luante baste”, mësohet të ketë deklaruar bashkëshortja e të akuzuarit kryesor për vjedhjen e Bankës së Shqipërisë, citon ne nje artikull edhe e perditshmja ‘Mapo’.
Gjatë pyetjes së saj hetuesit kanë treguar interes për persona të tjerë me të cilët Bitraj kalonte kohën në lokalet e basteve sportive, por bashkëshortja e tij ka deklaruar se ai rrinte kryesisht vetëm. Sipas saj, ajo nuk njihte asnjë nga miqtë e bashkëshortit me të cilët ai qëndronte shpesh, pasi në lagje rrinte pothuajse gjithë kohës vetëm. Po ashtu, bashkëshortja e Ardian Bitrajt ka treguar se kohët e fundit i shoqi kishte shfaqur probleme me tensionin dhe për këtë merrte mjekim të rregullt.
Pas dëshmisë së saj, prokurorët pritet të marrin në pyetje edhe pronarët e lokaleve ku Bitraj thotë se ka luajtur shumat e konsiderueshme të parave të vjedhura. Pas verifikimit të pistës se paratë janë humbur në baste sportive, prokuroria i ka kthyer sytë nga transfertat e mundshme jashtë vendit. Për të verifikuar këto dyshime, prokuroria pritet të kryejë hetimin pasuror dhe transfertat e mundshme të kryera nga Bitraj apo familjarë të tij gjatë periudhës që në Bankën e Shqipërisë janë vjedhur rreth 7 milionë dollarë.