Zhdukja misterioze e çiftit, Indrit dhe Junida Fortuzi, prej më shumë se 3 javësh ka një arsye të fortë, pasi dyshohen se kanë mashtruar klientë të shumtë nga kompania e tyre “Just Travel” më biletat e udhëtimit. Njëri nga të mashtruarit, Xhulio Ç., tregon për “Shekulli”-n, mënyrën se si ra pre e çiftit Fortuzi, ku në momentin e rezervimit të biletave ka qenë i pranishëm në ambientet e agjencisë edhe “zogu” (Indrit Fortuzi).
Më tej Xhulio pohon se ka edhe shumë persona të tjerë, të cilët kanë bërë denoncimin në polici për të njëjtën akuzë, ku edhe ata kanë pasur fatin e tij. “Unë prenotova 4 bileta për në Hanover të Gjermanisë dhe nuk po shkoja për turizëm, por doja të dërgoja vëllanë te një mjek gjerman, pasi vuan nga sëmundja e autizmit, por tani nuk kam se ku t’i gjej përsëri 1200 euro për të blerë bileta të tjera”, thekson Xhulio. Policia ka nisur një hetim për këtë çështje, pasi dyshohet se mund të jenë edhe persona të tjerë, të cilët kanë rënë pre e mashtrimeve të çiftit, Indrit dhe Junida Fortuzi.
Unë shkova më datë 7 tetor te agjencia e udhëtimit “Just Travel” për të rezervuar 4 bileta me avion drejt Hanoverit të Gjermanisë. Nuk kisha kuptuar asgjë se isha i mashtruar nga Junida Fortuzi, deri sa pashë disa komente negative në Facebook-un e kompanisë “Just Travel”, ku akuzohej nga klientë të ndryshëm: -“Më mashtrove me biletat”, “Ju jeni mashtrues!”… “Pse e keni mbyllur zyrën?”, “Ju nuk keni për t’i gëzuar paratë tona…”, etj.
U shqetësova kur i lexova këto komente dhe më datë 16 nëntor shkova te zyra qendrore e kompanisë, por gjithçka ishte e zbrazur dhe nuk kishte asnjë njeri që të jepte informacion se çfarë kishte ndodhur. Nuk po më besohej kjo gjë dhe, për ta verifikuar, shkova te një miku im, i cili ka edhe ai agjenci udhëtimi. Ai më thotë që të shkoj në aeroportin e Rinasit për të parë vlefshmërinë e biletave. Ishte e kotë. Edhe unë si të tjerët kisha rënë pre e mashtrimeve të Junida Fortuzi. Të vetmen rrugë ligjore që kisha, ishte vetëm ta denoncoja në polici dhe tani të merret shteti me Junidën.
Në momentin që rezervuat 4 biletat, me cilin person i keni bërë veprimet?
Kur shkova në zyrat e agjencisë, kanë qenë brenda Junida dhe Indrit Fortuzi. Pastaj Junida bëri disa veprime në kompjuter dhe unë i mora 4 biletat brenda një zarfi. I dhashë pagesën rreth 1200 euro dhe u largova. Më thënë të drejtën, as nuk e mora mundimin që t’i shikoja biletat, sepse nuk dyshoja. Nuk ke se çfarë të bësh, sot po dalin lloj-lloj mashtruesish nga të gjitha anët.
Në dijeninë tuaj, a ka persona të tjerë që janë mashtruar nga agjencia e udhëtimit “Just Travel”?
Po ka shumë. Një të njohurit tim, ditën që kishte për të shkuar në Itali, e bllokuan në Rinas, pasi bileta ishte false. Edhe ai si puna ime, ka bërë denoncim në polici. Ndërkohë që policia ka më shumë se një javë që ka marrë denoncimet tona dhe asgjë s’ka bërë deri tani. Thjesht më thonë se çështjen ia kemi kaluar prokurorisë dhe kaq. Më e keqja është se, unë do të shkoja në Gjermani jo për turizëm, por për të vizituar vëllanë, pasi ai është autik.
Më datë 30 dhjetor unë do të nisesha nga Shqipëria dhe më datë 3 janar, së bashku me 3 pjesëtarët e tjerë të familjes, kisha prenotuar një vizitë te një mjek shumë i mirë në Hanover dhe ky ishte qëllimi ynë, që të gjenim një specialist të mirë për vëllanë 12-vjeçar. Unë e kam pasur idhull Indrit Fortuzin, “zogun”, pasi jam pjesë edhe grupit të tifozëve bardheblu por, pikërisht, ai ma bëri “gungën”. Nëse mund të themi se, një nga arsyet që unë shkoja tek agjensia e udhëtimit “Just Travel”, ka qenë edhe për shkak të Indritit se, e takoja dhe bëja muhabet me të për ekipin e “Tironës”. Më vonë mora vesh nga shokët e tij por edhe nga tifozët “fanatikë”se, “Zogu” paska qenë një kumarxhi dhe pijanec i “thekur”, por unë këtë gjë nuk e kam ditur dhe prandaj rashë pre e mashtrimeve të tij dhe të gruas.