Mbarë shqiptarët festojnë 103-vjetorin e pavarësisë, mbi një shekull nga ngritja e flamurit më 28 nëntor të 1912-ës në qytetin historik të Vlorës. Edhe ky vit e gjen të ndarë politikën shqiptare, një “ngërç” i krijuar ndër vite që i ka ndarë festat kombëtare në “blu” dhe të “kuqe”. Socialistët kremtojnë këtë 28 nëntor Ditën e Flamurit, ndërsa më 29 nëntor atë të çlirimit të Shqipërisë. Ndërsa demokratët festojnë në të njëjtën ditë edhe pavarësinë edhe çlirimin e vendit nga pushtuesit nazi-fashistë.
Presidenti Bujar Nishani, kryeministri Edi Rama, nënkryetarja e Kuvendit Valentina Leskaj, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, kryetari i Bashkisë së Vlorës Dritan Leli, prefektja Entjola Hoxha u përkulën para monumentit të Pavarësisë në Sheshin e Flamurit në qytetin bregdetar të Vlorës. Në të njëjtën kohë, lideri i opozitës Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha dhe figurat më të larta të Partisë Demokratike nderuan dëshmorët në “Varrezat e Dëshmorëve” në Tiranë.
“Uroj gjithë shqiptarët Gëzuar festën e flamurit, festën e çlirimit. Dua të përkujtoj së bashku me të gjithë qytetarët sakrificën sublime të mijëra djemve dhe vajzave që dhanë jetën për lirinë kombëtare, për lirinë nga okupatorët nazifashistë. Asnjë komb tjetër nuk ka paguar më shtrenjtë për lirinë kombëtare, por kjo është e paplotë pa lirinë nga tirania e arbitraritetit, arrogancës. Ky 28 nëntor do të shërbejë për një bashkim të madh të shqiptarëve për t’i dhënë lirisë kuptimin e plotë për shanse të barabarta pa ligjit”, – tha Basha.
Më tej përfaqësuesit e opozitës zhvillojnë homazhe edhe tek busti i komandantit të Ushtrisë Naciona Çlirimtare të Kosovës “Adem Jasharit”.
Aktivitetet dhe festimet për Ditën e Flamurit kanë epiqendër Vlorën dhe Tiranën por festa kapërcen edhe kufijtë, në mbarë trojet ku jetojnë shqiptarë.