Autoritetet greke janë vënë në alarm për sasinë e madhe të drogës nga Shqipëria. Policia helene po patrullon me mjete nga ajri brezin e kufirit tokësor me Shqipërinë pas shtimit të rasteve të bllokimit të drogës.
Helikopterët janë të pajisur me mjete vëzhgimi me rezolucion të lartë dhe përmes operacioneve synohet identifikimi dhe kapja e elementëve të inkriminuar në transportiin e drogës.
Kufiri tokësor i Gjirokastrës mer Janinën shërben për trafikun e narkotikëve nga Shqipëria drejt Greqisë, por së fundi njeh edhe raste të shtuara të hyrjes në Shqipëri të refugjatëve nga vendet arabe dhe aziatike.
Policia greke njoftoi dje se një trafikant i rrezikshëm shqiptar arriti tu shpëtonte forcave policore greke gjatë një operacioni në zonën e Janinës.
Ndërkohë Policia e Gjirokastrës njoftoi mbrëmë se bllokoi një tjetër sasi lënde narkotike që kishte si destinacion Greqinë. Policia tha se rreth 130 kilogramë mariuanë u sekuestraun në një mjet tip xhip që kishte dalë nga fshati Lazarat i Gjirokastrës dhe po udhëtonte drejt kufirit grek.
Policia nuk ka mundur të arrestojë drejtuesin e mjetit i cili e ka braktisur atë në një zonë rurale afër kufirit me Greqinë.
Policia tha se gjeti në automjet krahas lëndës narkotike edhe një cantë me ushqime .Sipas ekspertëve të policisë trafikantët shqiptarë gjejnë shtigje në kufirin mes të dy vendeve duke bashkëpunuar dhe me trafikantët greke në transportimin e mariuanës që është kultivuar në Shqipëri.