Home Sport Zvicra merr nje fitore ne minutat e fundit ndaj Ekuadorit

Zvicra merr nje fitore ne minutat e fundit ndaj Ekuadorit

1069
0

shaqiri-zvicerU duk se duhej të vinte ndeshja e nëntë e këtij Botërori që të regjistrohej barazimi i parë, por nuk ka qenë i këtij mendimi Otmar Hicfeld dhe të tijtë, që në kohën shtesë kanë marrë një fitore të artë dhe shumë të luftuar. Suksesi ka ardhur nga stoli për helvetët, sepse dy autorët e golave, Mehmedi dhe Seferovic, janë hedhur në fushën e blertë në pjesën e dytë, në kohën kur 45 minutat e para kishin përfunduar me epërsinë e Ekuadorit, 1-0. Një sukses që mbart ngjyra të spikatura shqiptare, jo vetëm se ishin katër lojtarë të gjakut tonë në radhët e Zvicrës në pjesën e dytë, por sepse Mehmedi ka barazuar shifrat dhe Behrami ka evituar mrekullisht golin në portën e tij dhe ka iniciuar gati “heroikisht” sulmin e triumfit në minutën e dytë të kohës shtesë. Një fitore që tregon edhe dorën e gjermanit Otmar Hicfeld, i cili me zëvendësimet e kryera dëshmoi lexueshmëri dhe profesionalizëm të lartë drejtimi nga stoli. Dy skuadrat në fjalë, që bëjnë pjesë në grupin E, bashkë me Francën dhe Hondurasin

ZVICER 2:1 EKUADOR
Golat: A.Mehmedi 48′, Seferovic 90+2′ / E. Valencia 22′
ZVICRA: D.Benaglio, J.Djourou, S.Lichtsteiner, S.von Bergen, R.Rodriguez, V.Behrami, G.Inler, V.Stocker (A.Mehmedi 46′), Xh.Shaqiri, G.Xhaka, J.Drmic (H. Seferović 75′). Trajner: O.Hitzfeld
EKUADORI: A.Domínguez, J.Guagua, W.Ayoví, J.Paredes, F.Erazo, A.Valencia, C.Noboa, C.Gruezo, F.Caicedo (M. Arroyo 59′), J.Montero (J. Rojas 77′), E.Valencia. Trajner: Reinaldo Rueda
Gjyqtarë: R.Irmatov, A.Rasulov, B.Kochkarov
Kartonë të verdhë: Djourou 84′ / Paredes 53′

Pjesa e parë
Zvicra e ka nisur ndeshjen me tre shqiptarë në radhët e saj: Behrami, Xhaka dhe Shaqiri. I pari i pozicionuar në mesfushë, në rolin e një shkatërruesi, ndërsa dy të tjerët në krahë të mesfushës, me orientim të qartë ofensiv. Sidoqoftë, janë dashur jo pak minuta lojë që helvetët të “zgjoheshin” teksa e kanë nisur ndeshjen e parë të Botërorit jo në nivelin e duhur. Fillimisht ushtron presion Ekuadori, që lufton fort për topin e parë dhe spikat në duluftimet një për një, duke neutralizuar pikat më të forta të kundërshtarit. Zviceranët bëjnë gabime në pasimin e parë, mezi e zotërojnë topin, duke ia lehtësuar në njëfarë mënyre misionin skuadrës ekuadoriane. Këndoret janë të shumta për helvetët, por ato nuk vlejnë. Në minutën e 22-të ekzekutohet një goditje dënimi për Ekuadorin, që shoqërohet me rreshtimin e gabuar të prapavijës helvete. E.Valencia ngrihet me kokë, godet rreptë dhe zhbllokon rezultatin. Ky moment e zgjon Zvicrën, që e zhvendos menjëherë lojën në gjysmëfushën kundërshtare. Janë minuta këmbënguljeje të helvetëve, ashtu sikurse nis të dalë në pah nga e djathta edhe Shaqiri me driblimet e tij. Shqiptari i Bajernit të Mynihut fiton shumë faulla në inkursionet e tij individuale, por lë për të dëshiruar në ekzekutimin e tyre, që i merr përsipër po vetë. Xhaka fare pak ra në sy, ndërsa Behrami e bëri mirë punën e tij në pjesën e parë, e cila u mbyll me fitoren e Ekuadorit.

Pjesa e dytë
Me fillimin e pjesës së dytë hidhet në fushën e lojës edhe një tjetër lojtar me gjak shqiptari. Mehmedi zë vendin e Stocer, duke krijuar kësisoji një “poker” shqiptarësh te Zvicra. Natyrshëm, në këtë fraksion loje Ekuadori i kushton më shumë rëndësi fazën mbrojtëse, sepse duhet të ruaj avantazhin, ndërkohë që helvetët janë dukshëm më ofensivë. Të besuarit e Hicfeldit nuk ngurrojnë ta shënjestrojnë në të gjitha pozicionet portën kundërshtare, edhe nga distanca, duke bërë cmos të barazojnë rezultatin. Vetëm dy minuta ka në fushën e blertë dhe Mehmedi rikthen ekuilibrat rezultativë. Shqiptari rezulton një “as nën mëngë” për Zvicrën, sepse rihap ndeshjen menjëherë sapo nis pjesa e dytë. Vihet re se Shaqiri është spostuar më në qendër dhe bëhet shumë i rrezikshëm më inkursionet e tij dhe shpërndarjen e topave në të dyja krahët, ndërsa autori i golit, Mehmedi, luan në të majtë, duke pasur si synim gjithnjë goditjen e portës ekuadoriane. Me barazimin nuk pajtohet asnjëra skuadër, ndaj loja bëhet gjithnjë e më e hapur, me sulme e kundërsulme në portat respektive. Palët kanë dalë nga “llogoret” e tyre strikte taktike dhe japin gjithcka në funksion të fitores. Kjo u ka buzëqeshur zviceranëve, që në minutën e dytë të kohës shtesë kanë prodhuar një mrekulli, e cila mban emrin “Behrami”. Mesfushori mitrovicas ka neutralizuar me një ndërhyrje precize një gol thuajse të sigurtë në portën helvete, duke nisur më pas një kundërsulm thuajse “heroik”, që është finalizuar nga një tjetër lojtar i ardhur nga stoli, Seferovic.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here