Home Aktualitet Vëllai i kryeparlamentares Jozefina Topalli, konsull në Milano

Vëllai i kryeparlamentares Jozefina Topalli, konsull në Milano

1743
1

Emërimi i dhëndrit në Ambasadën Shqiptare në Paris është vetëm ‘maja e ajsbergut’ në emërimet e ndikuara nga kryetarja e Kuvendit. Kësaj here bëhet fjalë për vëllanë e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, Gjon Çobo, i cili është emëruar konsull në konsullatën e Milanos.

Z. Çobo nuk ka asnjë shkollim të lidhur me diplomacinë, madje për të emëruar atë si konsull në këtë konsullatë është bërë edhe një ndryshim i posaçëm i organikës së këtij institucioni. Kjo organikë nga 2+1 ka kaluar në 3+1 për t’i hapur një vend vëllait të znj. Topalli.

Me sa duket, “Shqipëria parajsë dhe Miss Bota” vlen si term vetëm për qytetarët që jetojnë këtu, sepse të afërmit dhe familjarët e predikuesve të “parajsës” nuk dëshiruakan të jetojnë në Shqipëri e as të shkollohen këtu. Duan të jetojnë jashtë, madje edhe me rrogë dhe status të paguar nga taksapaguesit shqiptarë.
Në forumet e shkodranëve online, emërimi i z. Çobo është bërë objekt i bisedave të shumta të qytetarëve, madje disa veçojnë faktin që z. Çobo nuk ka arsim të lartë dhe ka kaluar nga emigrant i thjeshtë në Itali direkt në përfaqësues diplomatik i Shqipërisë në Konsullatën e Milanos. Po aty është emëruar edhe vajza e Ali Spahisë, një ish-politikan nga më të respektuarit e PD-së së dikurshme, i cili njihet edhe si personi që rekomandoi futjen e Jozefina Topallit në politikë.

Emërimet e tilla janë kthyer në rutinë edhe në administratën e Kuvendit, e cila është nga sektorët më të fryrë të administratës së shtetit sot në Shqipëri. Lista e organikës së kësaj administrate është vërtet surprizuese, për sa i takon përkatësisë familjare, krahinore moshës dhe statusit social shumë shpesh, fare pa lidhje me punën e ngarkuar.
Ndërkohë, nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Kuvendi lidhur me këto emërime. Dje, “Shekulli” botoi emërimin e z. Luis Ejlli, një këngëtar pak më shumë se 20 vjeç, në postin e sekretarit të parë për Turizmin dhe Kulturën në Ambasadën Shqiptare në Paris. Emërimi i z. Ejlli në një post që kërkon tjetër shkollim dhe tjetër eksperiencë, e afron z. Ejlli pranë vajzës së zonjës Topalli, e cila studion në Paris. Dy të rinjtë jetojnë prej kohësh bashkë. Burimet e “Shekullit” shtuan dje se z. Ejlli ka marrë madje pagën e postit të ri, për dy muaj rresht pa u paraqitur fare në zyrë, dhe vetëm pasi “puna është bërë baltë” i riu është paraqitur në Ambasadë.

Mero Baze: Si u fut Jozefina Topalli në politikë*

Nëse ka pasur ndonjëherë në historinë politike të një partie më shumë intelektualë dhe më pak politikanë, ky ka qenë Kuvendi dhe garnitura politike e dalë nga zgjedhjet e 26 majit. Pas kokëçarjesh të gjata me fraksione brenda PD-së dhe figura politike që e kontestonin vazhdimisht, Sali Berisha u mbyll i vetëm në vilën nr. 4 në Pallatin e Brigadave, për t’i dhënë PD-së një ekip të ri, që thuajse nuk kishte lidhje me politikën. Një mbrëmje, më thirri për kafe në vilën nr. 4. Ndihej qartë që ishte i kënaqur me vizat e panumërta që kishte hequr mbi dengun e listave që kishte përpara.
– Do t’i lexoj një herë emrat, – tha. – Kam gjetur ekipin më të shkëlqyer që kemi pasur ndonjëherë për zgjedhjet!
Po i dëgjoja. Gjysmën i kisha dëgjuar jo si politikanë, gjysmën tjetër as si politikanë dhe as si intelektualë.
– Si të duken? – më tha.
Donte doemos një përgjigje entuziaste.
– E mirë më duket, – i thashë. – Do të kesh pak problem me këta të partisë.
– Partisë… hë, ç’probleme do të kem? Ua kam thanë: “Më të shquarit, te zonat më të vështira.” Ja, për shembull: Agron Musarajn e kam çue në Berat, Sadik Bejkon dhe Blerim Çelën në Tepelenë, Fatos Bejën në Gjirokastër, Leonard Demin në Sarandë, Genc Pollon në Përmet, Dashamir Shehin në Vlorë, Ridvan Boden në Korçë… se këta të Jugut ke merak ti…
Nuk i bëra asnjë koment. Po përpiqesha t’i mbaja mend, se ndoshta më duheshin për raportin e mëngjesit te “Zëri i Amerikës”.
– Mirë e paske Jugun, – i thashë instinktivisht. – Këtë Boden nuk e njoh, por këtë Shehin pse në Vlorë?
– Nuk e njeh Boden… i shkëlqyem! Ka mbarue në Francë, e kemi pas drejtor Dogane, superkorrekt, financier i zoti. Ndërsa Vlora ka shumë rëndësi, – tha. – Do një figurë të fortë, s’bëhet pa një figurë të fortë.
Në të vërtetë, krisja mes Dashamir Shehit dhe Berishës kishte nisur. Aleksandër Meksi, që historikisht nuk duronte dot asnjë zëvendëskryeministër, për shkak se i dukeshin të gjithë të Berishës, po ashtu kishte probleme me të, por nuk kuptohej kurrë nëse i kishte me të apo me Berishën.
– E ke mbyllur, me një fjalë? A mund ta citoj unë ndonjërin nesër në radio?
– Jooo! – tha. – Se nuk e di njeri. Nuk duhet të dalë asgjë. Kam edhe ca probleme në Shkodër. Duhet me e mbyllë dhe atë. Më ka mbet ky Koleci, s’di ku ta çoj…
– Në Shkodër, ku tjetër? – i thashë.
– S’e di. Fola me Aliun… ai thotë se kemi një kandidaturë tjetër atje, një grua shumë e zonja thotë, po burri i saj qenka fis me Kolecin.
– Kush është kjo?
– Është një pedagoge… për matematikë më duket, nuk e di… ose për juridik, juridik më duket. Ja, të pyes Aliun.
Foli me Ali Spahinë. Toni i shtruar i Ali Spahisë dhe serioziteti që u kushtonte raporteve njerëzore e bënin atë figurën më të palëkundur të PD-së dhe njeriun më të qëndrueshëm nga pikëpamja politike për Berishën, edhe pse shpesh e xhindoste me kufijtë që u vendoste përpjekjeve të tij të përhershme për ta përdorur për çdo gjë.
– Është e shkëlqyer, thotë Aliu. Jozefina Topalli quhet. Qenka kancelare në fakultet. Nuk e di, po ky thotë se është më mirë ajo se Koleci në Shkodër, pasi ajo paska familje shumë të njohur nga baba i vet… Ku ta çoj këtë Kolecin, ku ta çoj… – Filloi të hidhte sytë sërish mbi hartën elektorale. – Ah, po, e gjeta, – tha. – Në Mirditë e kam një vend. Të pyes një herë Aliun.
Pas disa ditësh, lista iu lexua Këshillit Kombëtar.
Përpara mbledhjes, në mëngjes, piva kafe me Azem Hajdarin në “Rogner”. Ia thashë pak a shumë se ku mund të ishte.
– Po në Shkodër, – tha, – kush është?
– Ka futur një grua, – i thashë. – Jozefina Topalli quhej, më duket se ishte kunata e Kolecit.
– Të ka mashtruar, – tha. – Koleci s’ka kunatë pedagoge.
– Nuk më tha “kunatë”, por e mora me mend nga mbiemri… diçka e kishte burrin e saj.
– E di unë kush është, – tha Azemi. – Lene se e rregulloj vetë tani. Po e ftoj për një drekë në Vahinë, ta shikoj njëherë se ç’është. Nejse, shqipe, ti mos thuaj gjë për këtë muhabet, se di unë si e zgjidh…
Në mbledhje, Berisha foli gjatë për qeverisjen katërvjeçare dhe për parimet, mbi ta cilat kishte ndërtuar listën. Lexoi edhe emrin e Azemit në zonën përkatëse. Pati reaksion. Azemi u ngrit nga vendi dhe kërkoi të sqarohej më qartë: për se ishte sajuar një zonë për të?
Dhëndri i Topallit, emërohet Sekretar i Parë në Ambasadën Shqiptare në Paris

Ambasada jonë në Francë, një çerdhe familjare për qokat e politikës. Këngëtari ende student, i bashkohet ish-bashkëshortes së Fatos Nanos

Luiz Ejlli, këngëtari i njohur edhe si i fejuari zyrtar i vajzës së Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, sapo është emëruar në mënyrë të habitshme, Sekretar i Parë për Kulturën dhe Turizmin në Ambasadën Shqiptare në Paris.
Dje kanë qarkulluar lajmet e para se z. Ejlli është emëruar atashe në këtë ambasadë dhe pas interesimit të “Shekullit”, një burim nga Parisi konfirmon se dhëndri i znj.Topalli është emëruar në postin e sekretarit të parë të Ambasadës: “Jo atashe, se atasheu e ka rrogën të ulët, – shtoi me ironi burimi diplomatik i “Shekullit” në kryeqytetin francez.
Qokave të politikës i shtohet kështu edhe një tjetër rast flagrant i emërimeve nepotike, për të cilin sigurisht shoqëria shqiptare dhe publiku do marrin si përgjigje vetëm arrogancën e emëruesit, në këtë rast zonja që drejton Kuvendin e Shqipërisë.

Vajza e saj, kalon bashkë me të fejuarin nga Strasburgu, ku studionte, në Paris, por Parisi është i shtrenjtë. Emërimi e ndihmon goxha çiftin e ri të bëhet me rrogë dhe shtëpi. A nuk është e bukur jeta? Sigurisht, po të kesh mamin apo babin me pushtet, në Shqipëri jeta është jo vetëm e bukur, por edhe e lehtë.

Por Luiz Ejlli nuk është i vetmi emërim nepotik në këtë ambasadë. Ambasada shqiptare në Paris është kthyer në një çerdhe familjare të politikës së Tiranës. Gjysma e diplomatëve shqiptarë në Paris, kryeqyteti ku luhet integrimi i Shqipërisë në BE, nuk kanë asnjë lidhje me diplomacinë, por vetëm me politikanë që i kane emëruar ata.
Zonja Rexhina Nano, këshilltare ekonomike e ambasadës me banesë të përhershme në Francë është emëruar aty për të qëndruar pranë bijës së saj, qe ka mbaruar studimet në Francë. Emërimi në ambasadë qe mjaft oportun për ta bërë të lehtë këtë. Sa investitore franceze ka sjellë si zonja Nano në Shqipëri? Në ministri të jashtme fytyra e saj është e panjohur, z. Hqaxhinasto le të flasë, nëse nuk është kështu…
Ka edhe persona të tjerë në këtë ambasadë, emrat e të cilëve mund të gjenden lehtë në faqen zyrtare të ambasadës dhe si për çudi kanë mbiemra shumë të njohur në Tiranë.
Shqiptarët janë mësuar tashmë me pezmin që shkaktojnë këto emërime, por është për të vënë duart në kokë që në ambasadën më të rëndësishme në Europë, pas Brukselit, Shqipëria nuk ka as edhe një diplomat karriere.

Ambasadori Ylljet Aliçka, me gjithë cilësitë e larta humane dhe artistike që mund të ketë, nuk ka formim apo stazh diplomatik. Çdo të mendonte Shqipëria, sikur amerikanët, francezët, apo gjermanët, të sillnin në vendin tonë si ambasadorë njerëz pa lidhje me diplomacinë?
Në Paris, në fakt, kjo që po ndodh në ambasadën shqiptare nuk shihet aspak mirë.
Në listën e emërimeve në këtë ambasadë, veçojmë edhe emrin e atasheut ushtarak që ndodhet në atë post prej rreth 10 vitesh (!), një zyrtar dhe njeri jashtëzakonisht i mirë, siç përshkruhet nga kolegë dhe të njohur. E përshëndesim, e respektojmë, por një vend serioz ka rregulla dhe jo miq, nuk mund te lihet 10 vjet në një post në ambasadë i njëjti njeri, e sidomos në dosjet ushtarake (qoftë edhe për ato rreziqet konfidenciale që i kemi prekur pak ditë më parë në çështjen e laptopit misterioz të zhdukur nga selia diplomatike e Nju Jorkut).

Skandali, darka e 28 nëntorit me pagesë për shqiptarë në Paris

Që prej 20 vitesh është hera e parë në këtë 28 nëntor 2010, që në Paris, shqiptarët e atjeshëm kanë përjetuar një fyerje në identitetin si shqiptar. Është traditë që për festën kombëtare, diaspora mblidhet rreth ambasadorit. Nuk janë patatinat që i mbledhin njerëzit, por dëshira për të parë njëri-tjetrin një herë në vit; Kjo ditë është po ashtu rasti i vizitave që bëjnë në pritje dhe autoritetet e vendit pritës (diplomatë e funksionarë të larte francez). Niveli i përfaqësimit të tyre është tregues i vëmendjes që tregojnë ndaj vendit tonë. E pra, stafi aktual në ambasadën tonë në Paris, do të mbahet mend si stafi i parë që e preu këtë tradite vitale. Arsyeja? S’kemi buxhet. Shteti shqiptar harxhon 1 miliard e gjysmë euro për të bërë një rrugë që shembet dy herë në muaj, dhe nuk paska 2 mije euro për ca shishe me fanta e koka-kola, që shqiptarë Shqipërie e Kosove të gjinden njëherë në vit kokë më kokë në tokë të huaj e të bisedojnë?

Është një skandal dhe burracakëri ajo që ndodhi këtë vit kur në Tiranë trumbetohen suksese ekonomike dhe bollëk etj. Festën në Paris ambasada ja dha një “nënkontraktori”, dy vëllezër shqiptarë maqedonas që kanë një teatër-restorant, ku bënë një darkë me “Pagesë”. Të paguash për të shkuar tek festa e vendit tënd, ka qenë një gjë që nuk e kanë përtypur dot shqiptarët e Parisit. Nuk vajti thuajse askush nga diaspora e Shqipërisë përveç ambasadorit.
Sikur pagesat që bën diaspora për dokumente konsullore të ruheshin për këtë ditë feste kombëtare që të organizohet denjësisht, problemi do të ishte vetvetiu i zgjidhur. Në këtë ditë pritje, vetëm nga takimet midis funksionarëve e investitorëve francezë dhe diasporës shqiptare, fitohej aq shumë me lidhje dhe shkëmbime kartëvizitash, sa puna që mund të bëjnë gjatë një shekulli Rexhina Nano apo dhëndri i Jozefinës.
Cilët janë, zoti Ejlli dhe zonjusha Topalli

Luiz Ejlli, këngëtari nga Shkodra, është bërë fillimisht i njohur tek “Ethet e së premtes mbrëma”, në edicionin e dytë të tij ku edhe fitoi çmimin e parë, në vitin 2004. Në RTSH fitoi çmimin e parë tek festivali i këngës “Magjike” në duet me Juliana Pashën. Aktualisht është student për Juridik në Strasburg. Megi quhet vajza, me të cilën Luizi po jeton një histori dashurie trevjeçare. Kjo është vajza e kryetares së Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, Jozefina Topallit. Dy të rinjtë moshatarë, mbase mund të kenë pasur edhe njohje të hershme, por ata kanë filluar të shihen në shoqërinë e njëri-tjetrit rreth tre vite më parë, pikërisht atëherë kur Luizi ishte në kulmin e suksesit të tij si këngëtar. Vajza brune simpatike, me mjaft ngjashmëri në portret me të ëmën, jeton në Francë, pikërisht aty ku Luizi tani mund ta arrijë dhe ku ka marrë një emërim të shpejtë në një post “pëllumbash” që mund t’i sigurojë çiftit jetesë të mirë me rrogën e paguar nga taksapaguesit shqiptarë. Megi, 20 vjeç, është në vitin e tretë të Universitetit “Luiz Paster”.

1 COMMENT

  1. Pershendetje z Luiz
    Jepi z Luiz , se nuk kane se cte bajne krimbat e tokes dhe as SH , sepse na Shqiptart e kemi te keqen ma te madhe te shajme ma te miret . Per kete tregojne faktet qe nuk kemi ecur dhe as do te ecim perpara sepse kete te keqe e kemi te trasheguar nga pushtuesit qindravjecar .
    Me kete rast te uroj te gjithe te mirat familjarisht
    Zef Deja
    Shkoder

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here