Britania e madhe shprehet qartë për procesin gjyqësor për të zgjedhur kryetarin e ri në bashkinë e Tiranës. Kolegji Zgjedhor duhet të marrë vendim të drejtë dhe ligjor duke mos u ndikuar nga palët politike. Mesazhi është dhënë dje nga ambasadorja britanike në vendin tonë, Fiona McIlwham, e cila ka shprehur mbështetjen dhe inkurajimin e institucioneve të pavarura. Diplomatja britanike është në vijimësinë e deklaratave të disa prej diplomatëve kryesor në vend. Më parë ka folur ambasadori Arvizu, më pas ambasadorja gjermane dhe deri te Countryman.
Reagimi i Britanisë së Madhe
Ambasadorja e Britanisë së Madhe, Fiona Mcllwham tha se, Londra vazhdon të monitorojë nga afër dhe me shqetësim procesin zgjedhor dhe situatën politike në Shqipëri. “Për Londrën, ajo që ka rëndësi është një proces i besueshëm i cili ka besimin e publikut shqiptar. Do të ishte një zhgënjim i madh në qoftë së çështjet rreth numërimit dhe ankesave do lejohen të hedhin hije mbi pjesën e mirë të këtij procesi”, vijon deklarata e ambasadores britanike. “Veprimi tani qëndron me Kolegjin Zgjedhor dhe Prokurorinë e Përgjithshme. Unë shpresoj se atyre do t’i jepet hapësirë për të shqyrtuar çështjet pa ndërhyrje politike apo presion”, deklaron Mcllwham.Duke kërkuar nga palët më shumë besim për transparencën e procesit zgjedhor dhe në profesionalizmin e Kolegjit Zgjedhor, ambasadorja britanike nënvizoi se “presim gjithashtu që Kolegji Zgjedhor të japë një qëndrim profesional dhe të pavarur lidhur me me rezultatin e Tiranës”.
Mesazhet e ndërkombëtareve
Ambasadorja shtoi se dhe baronesha Ashton si edhe të tjerët e bëri të qartë javën e kaluar, se procedura e ankesave duhet të jetë e drejtë, transparente, e pavarur, dhe në përputhje të plotë me kuadrin ligjor ekzistues. “Bashkësia ndërkombëtare është e gatshme të sigurojë mbështetje shtesë nëse kërkohet. Përfundimi i procesit të ankesave duhet të pranohet nga të gjitha palët, në mënyrë që të hiqet një vijë nën këto zgjedhje, të nxirren mësimet e duhura, dhe të miratohen dhe zbatohen reformat”, tha ajo. Ambasadorja theksoi gjithashtu se qeveria britanike dëshiron ta shohë Shqipërinë duke ecur në mënyrë të vendosur drejt anëtarësimit në BE. “Shqipëria do ta arrijë këtë vetëm me institucione profesioniste, të forta, që veprojnë të pavarur dhe me integritet. Është e rëndësishme që ky proces zgjedhor të tregojë progres drejt këtij qëllimi”, theksoi ambasadorja britanike.
Vendimi
“Veprimi tani qëndron me Kolegjin Zgjedhor dhe Prokurorinë e Përgjithshme. Unë shpresoj se atyre do t’i jepet hapësirë për të shqyrtuar çështjet pa ndërhyrje politike apo presion”, deklaron Mcllwham.
Pavarësia
“Shqipëria do ta arrijë këtë vetëm me institucione profesioniste, të forta, që veprojnë të pavarur dhe me integritet. Është e rëndësishme që ky proces zgjedhor të tregojë progres drejt këtij qëllimi”, theksoi ambasadorja britanike.
Presidenti Topi, takon lordin Riçard Best
Presidenti Topi priti sot Presidentin e Bordit Ndërkombëtar Këshillimor të Qendrës Kërkimore për Evropën Juglindore lordin Riçard Best i cili shoqërohej në këtë takim nga Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Fiona Mekiluam. Gjatë bisedës Topi vleresoi ndihmën e Britanisë së madhe në plotesimin e aspiratave integruese të vendit tonë. “Pas anëtarësimit të vendit në NATO, Shqipëria gjendet përballë një tjetër sfide të cilën ne kemi bindjen se do e përmbyllim me sukses, sfidën e integrimit në Bashkimin Evropian”, – vuri në dukje Presidenti Topi, duke nënvizuar se jemi te vetedijshem per reformat dhe standardet që duhet të përmbushim në këtë drejtim. Nga ana e tij Lordi britanik Ricard Best e informoi Presidentin Topi lidhur me projektet e përbashkëta rajonale për të zgjeruar rrjetin e kërkimeve shkencore dhe për t’u dhënë mundësi studentëve shqiptarë dhe nga vendet e tjera ballkanike që të përfitojnë bursa studimi në universitetet britanike.
Aleanca Kuq e Zi hap degën në Londër, mbledh shqiptarët
Aleanca Kuq e Zi krijon degën e saj në Londër, në mbështetje të nismës për kundërshtimin e regjistrimit të popullsisë mbi baza kombësie e etnie. Qindra emigrantë shqiptarë janë bashkuar në radhët e Aleancës Kuq e Zi, ku kanë zhvilluar një takim me Kreshnik Spahiun në Westminster University. Z. Spahiu theksoi mes studentësh e pedagogësh se kjo Aleancë i përket të gjithë Shqiptarëve dhe do të shtrijë aktivitetin e saj në të gjithë diasporën. Aleanca Kuq e Zi reagoi gjithashtu për të drejtat e munguara të shqiptarëve në emigracion. “Fëmijët po humbasin gjuhën shqipe”- shprehu shqetësimin zoti Spahiu i cili sheh si imediate nevojën për një program të mirëfilltë për arsimin në emigracion. Shqiptarët e Londrës treguan një mbështetje të madhe në nismën e AK për mbrojtjen e identitetit kombëtar, së cilës i dha mbështetje edhe Forumi i 17 Organizatave Shqiptaro-Britanike me qendër në Londër, Birmingham etj.