Home Ekonomi Buxheti per uljen e borxhit, pritet ulje ne 68 perqind

Buxheti per uljen e borxhit, pritet ulje ne 68 perqind

1742
0

Projektbuxheti i vitit 2018 ka dy ka karakteristika kryesore. Ai vazhdon politikën e uljes së borxhit dhe rrit investimet publike.

Vitin e ardhshëm qeveria parashikon që të ardhurat totale në arkën e shtetit të arrijnë në rreth 3.5 miliardë euro, duke u rritur me 6.3 për qind krahasuar me këtë vit.

Ndërsa shpenzimet publike shkojnë në 3.7 miliardë euro me një rritje prej 5.7 për qind. Zëri që merr rritjen më të madhe të shpenzimeve është ai i investimeve.

Sipas tabelave, në 2018-n qeveria do të investojë 645 milionë euro në veprat publike, pjesa më e madhe e të cilave shkon për ndërtimin e rrugëve. Kjo është sa 5.2 për qind e prodhimit kombëtar, nga 4.8 që ishte shifra për këtë vit.

Veç investimeve, rritje ka edhe në zërin e pagave. Por ajo vjen për shkak të institucioneve të reja të drejtësisë dhe pritshmërive për plotësimin e vendeve bosh që ka aktualisht administrata.

Ndërsa për rritje pagash nuk ka ende një vendim, përveç disa kategorive si mësuesit apo punonjësit e shëndetësisë, për të cilët qeveria ka deklaruar publikisht se do i rrisë ato.

Por çfarë ndodh me borxhin? Huamarrja e qeverisë për vitin e ardhshëm parashikohet në rreth 240 milionë euro, ose 2 për qind e PBB.

Por pavarësisht huamarrjes, treguesi i borxhit ulet, për shkak të efektit që vjen nga rritja ekonomike dhe inflacioni. Sipas llogarive paraprake, në 2018-n borxhi publik do të zbresë rreth nivelit 68 për qind e prodhimit kombëtar nga 70.2 për qind që është aktualisht.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here