“I will always love you”. Me tingujt e kësaj kënge është përcjellë për në banesën e fundit, artistja e madhe Vaçe Zela, pas homazheve të kryera në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Pas fjalëve të dhjetëra artistëve, politikanëve dhe miqve të këngëtares, ku nuk mungonin as krerët më të lartë të shtetit, artistja u largua për në varrezat e Sharrës, rreth orës 12.15 të ditës së sotme.
Ceremonia e organizuar nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës dhe kryeministrit Edi Rama ishte organizuar si një formë shprehjeje e fundit, edhe pse e vonuar dashurie, për artisten, e cila prej vitesh jetonte larg atdheut, e sëmurë në Basel të Zvicrës.
“Ajo iku, duke mos kërkuar vëmendje për muzikën e paçmueshme që na bëri të jetojmë. Pas kaq vitesh dërgoi befas thjesht lajmin e vdekjes si kartolinë e një dashurie të pathënë kurrë deri në fund. Nuk ka vdekur, vetëm ka ikur për fare nga kjo botë, se kohë më parë kishte ikur për fare nga ky vend”, është shprehur në fjalën e tij të lamtumirës, Kryeministri Edi Rama.
Ndërkohë që për nder të artistes janë shprehur edhe Kryetari i Bashkisë dhe Partisë Demokratike, Lulëzim Basha, ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ettore Sequi, ish presidenti Alfred Moisiu, ish presidenti Bamir Topi dhe dhjetëra miq artistë të këngëtares.
Ndërkohë që kanë qenë qindra edhe njerëzit e thjeshtë, të cilët ishin të pranishëm para TKOB, për t’i bërë nderimet e fundit Vaçe Zelës.
Dhjetëra shënime në librin e kujtimeve për figurën dhe artin e saj, dhjetëra kurora dhe lotë pa fund e kanë shoqëruar artisten në orët e fundit mes bashkëatdhetarëve të saj.
Homazhet janë çelur nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ndërsa fjala e Edi Ramës ka qenë ajo që ka mbyllur ceremoninë.
Muzika e Vaçe Zelës dhe fytyra e saj, në monitorin e madh të skenës së TKOB dhe ekranin e madh jashtë teatrit, kanë shoqëruar ceremoninë për mëse dy orë.
Trupi i pajetë i artistes së madhe mbërriti mbrëmë në Tiranë në orën 18.00. Këngëtarja e madhe, e cila ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë më 6 shkurt në Basel të Zvicrës, e la amanet që trupi i saj të varroset në Shqipëri.
Menjëherë pas mbërritjes së trupit të saj në atdhe, miq, të afërm dhe artistë të njohur kanë shkuar drejt shtëpisë së artistes së madhe për t’u takuar me familjarët dhe për të shprehur ngushëllimet për largimin e saj nga jeta.
Homazhe për artisten janë zhvilluar edhe në qytetin e saj të lindjes, në Lushnjë, ku Bashkia e qytetit uli flamurin në gjysmështizë.
Flamuri në gjysmështizë u ul edhe në Ministrinë e Kulturës në Tiranë.
Këngëtarja Vaçe Zela ndërroi jetë në moshën 75-vjeçare në shtëpinë e saj në Basel të Zvicrës, ku jetonte së bashku me vajzën e saj, Irmën dhe bashkëshortin, Pjetër.
Artistja, prej kohësh nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore.
Pesë muajt e fundit ajo i pati kaluar në spital, prej ku kishte afërsisht dy javë që kishte dalë. Një prej pengjeve më të mëdha të artistes, të cilin e shprehu dhe në të gjallë, ishte jeta e saj larg Shqipërisë vitet e fundit.
ORA 10.00
Kompozitorë, aktorë dhe regjisorë të njohur, janë mbledhur bashkë për t’I bërë nderimet e fundit.
Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës: “Të kam parë, të kam ndjekur, të kam kënduar me vete, por nuk kam patur fatin të të afrohem, se jam ndjerë e vogël para teje.
Sot të kam afër këtu dhe ndiej mall”.
ORA 10.30
Bujar Kapexhiu, mik dhe bashkëpunëtor: “Të gjithë ne, të gjithë ju do të themi të njëjtat fjalë, do të përsërisim ndoshta të njëjtat fjalë për Vaçen e do të ndodhë se i njëjtë është mendimi dhe vlerësimi ynë për madhështinë e saj dhe dhimbja për largimin e saj nga kjo jetë, e pazakontë. Kam marrë meshazhe ngushëllimi nga njerëz të thjeshtë, të bukura, të ndjera dhe i besova se ju të gjithë besoni që ne artistët jemi të gjithë një familje. Sot ka ikur prej nesh një pjesëtar, më e madhja, më e madhëshirshmja.
Jo vetëm bashkëkohësit e saj, por çdo njeri i thjeshtë kur dëgjon këngën e saj krijon brenda vetes piedestalin e këngës shqiptare.
Vaçja ishte shumë e mençur dhe kishte botë të pasur shpirtërore.
Në çdo çast zbriste nga piedestali. Afrohej me nesh, e bukur, e mirë, fisnike, delikate.
E rrallë se ju e shikoni dhe vetë, e rrallë si askush tjetër. Ajo po largohet krejt e veçantë, në mënyrë krejt të rrallë, po largohet duke kënduar e në të njëjtën kohë është mes nesh me këngë në gojë.
Emri, kënga dhe zëri i saj qofshin të përjetshëm. Lamtumirë Vaçe!”
ORA 10. 45
Zana Shuteriqi: “Vështirë të gjej mes emrave të kohës të tillë që të kenë ndikuar në shoqërinë e rinisë shqiptare me af forcë se Vaçe Zela. Rinia e viteve ’60-të mbante rradhë të gjatë për një biletë estrade për të parë Vaçen si këndonte muzikë latine me kitarë e thyente dyert e TOB, për të parë Vaçen në skenë, që këndonte muzikën ritmike të Agrim Krajkës e me rradhë.
Ajo hyri në jetën tonë si këngëtare e madhe, talent i madh, shpirt rebel, i lirë, forcë e madhe emancipuese.
Për këtë, në emër të shumë moshatarëve të mi e falenderoj Vaçen. Ishte shumë e rëndësishme për jetën tonë, jo vetëm për këngën, por me gjithë personalitetin e saj.
Vaçe Zela bëri epokë në këngën shqiptare”.
ORA 11.00
Sherif Merdani: “Sot ka ditëlindjen djali im, bën 20 vjeç. Përmes shokëve tij dua t’i them gjithë brezit të shqiptarëve të sotëm se brezi ynë nuk e kishte Shqipërinë si e keni ju sot, me ndërtesa të larta, apartamente luksoze, rrugë të gjera, pub-e, Citroen etj.
Por Zoti nuk ka na e vrau shpresën. Ai dërgoi një zë që na i zbuti dhimbjen, mjerimin. Na dha shpresë optimizëm. Ishte Vaçja e madhe që me zërin e sa na shqpër nbë gëzimet mjerane të gjimnazit, fejesat e dasmat tona e kudo tjetër.
Vaçja bëri një popull të tërë të ndihet krenar me këngën e saj. Jam krenar që jetova në brezin e saj, i privilegjuar që kam qenë miku dhe kolegu i saj”.
Ora 11.05
Sokol Balla, gazetar: “Në një moment që nuk e prisnim, Vaçe Zela u largua, mbase sepse ndjente peshën e konkurrencës apo nuk i pëlqente vetja në pasqyrë, nuk do e dimë kurrë. Të zënë në ethet e tranzicionit dhe ethet e veseve që njohëm pas diktarurës, aq shumë e harruam sa ndonjë prej nesh e vdiq para kohe.
Ajo e dinte më mirë nga të gjithë se liria e mendjes dhe shpirti nuk takohen me njëra- tjetrën. Ajo vendosi të largohej si një Greta Garbo. Shumë nuk e kuptuan.
Edhe unë, vetëm dje e kuptova, tani që trupi i saj u dorëzua, mendja dhe zëri i saj i freskët.
Vaçe Zela na dha mësim me jetën dhe vdekjen. Kush nuk e kupton nuk ka problem. Ajo ka lënë zërin e saj. U prehsh në paqe!”
ORA 11.08
Mbërrijnë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama
Juliana Pasha, këngëtare: “Është artistja që më ka inspiruar që fëmijë. Ishte moment i veçantë kur për herë të parë kam arritur ta shihja nga afër. Për herë të parë do të këndoja para artistes që mund ta imitoja gjithmonë në shkallët e pallatit. Për herë të parë mu drodhën gjunjët kur u futa në skenë, duke pasur para syve Vaçen”.
ORA 11.10
Osman Mula, kompozitor: “U rritëm me zërin tënd brilant. Askush nuk na mësoi më mirë se ti të këndonim “E dua vendin tim”. U këndove nënave shqiptare, gjyshes, atij partizani që na erdhi një natë dimri në shtëpi. Faleminderit Vaçe”.
ORA 11.14
Ilir Meta mbërrin në TKOB për të bërë homazhe në nder të këngëtares.
Ilir Kerni, koreograf, balerin, drejtori i TKOB: “Jam i lumtur që si artist kam debutuar në të njëjtën skenë këtu me ty. Misioni yt ishte dashuria, emocioni, paqja për të cilën kemi aq shumë nevojë të gjithë. Shko në paqe e dashur Vaçe! Misioni yt ishte dashuria dhe paqja!”
Aleksandër Lalo, kompozitor: “Mu kujtua një njeri i vetëm si Vaçja, që në mënyrë të natyrshme, pa urdhër sensibilizoi gjithë njerëzit. Ne kemi punuar në një sistem ky duhej të gjenim edhe vrima ku të çanim. Vaçja krijoi personalitetin e saj, krijoi një oaz lirie në shkretëtirë. Gjithçka i dedikohet këtij njeriu.
Lamtumirë Vaçe!”
ORA 11.10
Osman Mula, kompozitor: “U rritëm me zërin tënd brilant. Askush nuk na mësoi më mirë se ti të këndonim “E dua vendin tim”. U këndove nënave shqiptare, gjyshes, atij partizani që na erdhi një natë dimri në shtëpi. Faleminderit Vaçe”.
ORA 11.14
Ilir Meta mbërrin në TKOB për të bërë homazhe në nder të këngëtares.
Ilir Kerni, koreograf, balerin, drejtori i TKOB: “Jam i lumtur që si artist kam debutuar në të njëjtën skenë këtu me ty. Misioni yt ishte dashuria, emocioni, paqja për të cilën kemi aq shumë nevojë të gjithë. Shko në paqe e dashur Vaçe! Misioni yt ishte dashuria dhe paqja!”
Aleksandër Lalo, kompozitor: “Mu kujtua një njeri i vetëm si Vaçja, që në mënyrë të natyrshme, pa urdhër sensibilizoi gjithë njerëzit.
Ne kemi punuar në një sistem ky duhej të gjenim edhe vrima ku të çanim. Vaçja krijoi personalitetin e saj, krijoi një oaz lirie në shkretëtirë. Gjithçka i dedikohet këtij njeriu.
Lamtumirë Vaçe!”
ORA 11.20
Alfred Moisiu, ish president i Shqipërisë: “Koha kur kemi jetuar ne ka qenë një periudhë që ka pasur problematikën e saj. Në atë kohë Petrit Dumja e ftoi të bëhej pjesë në Estradën e Ushtarit, duke i dhënë gjithë mundësitë të akomodohej në Tiranë.
Ishte momenti që në karrierën e saj artistike kishte nevojë për mbështetje të tillë, duke vlerësuar dhe njohur nga afër talentin dhe kontributin e saj.
Ka lënë aq shumë pasuri sa në jetë të jetëve do të mbahet mend dhe vlerësohet”.
ORA 11.25
Bamir Topi, ish president i Shqipërisë: “Shpreh fjalë zemre për këtë personalitet të jashtëzakonshëm të kulturës shqiptare, që na shoqëroi në etapa të ndryshme të jetës sonë, nga fëmijëria në pjekuri.
Vaçja lindi dhe u rrit si talent natyral. E lindur në shtëpi të thjeshtë, pa asnjë lloj përkujdesjeje në fillimet e karrierës së saj. Por talentet e lindura ndihen të lumtura nëse arrijnë ta përdorin atë në funksion të të tjerëve. Kam bindjen se Vaçja talentin e saj, jo vetëm e realizoi në fuksion të imazhit të saj, por këtë lumturi arriti ta përçojë në gjithë brezat”.
ORA 11.30
Robert Radoja, kompozitor: “Kam pasur marrëdhënie miqësore me të. Do të doja t’i drejtohesha asaj, të cilën nuk e kemi më fizikisht por në shpirtrat tanë është e përjetshme: Na ke bërë me dashurinë tënde, me zgjuarsinë tënde dhe zërin tënd të mrekullueshëm, që s’pate nevojë për shkollë, se kishe lindur bashkë me të, na ke bërë të shijonim çaste të bukura në jetën tonë, të ëndërrojmë bukur, na e bëre ndoshta dhe të ardhmen tonë po aq të bukur
Çdo këngëtar ka një këngëtar që përfaqëson kombin, unë do të të krahasoja me Minën, Edith Piaf”.
Mbërrin Ambasadori i Bashkimit Evropian, Ettore Sequi. Ish Kryeministri Sali Berisha vendos kurorë me lule.
ORA 11.37
Luan Zhegu, këngëtar: “Është humbje shumë e madhe për miken time të shtrenjtë Vaçe Zela. Ngushëllime më të sinqerta familjes, të afërmve dhe gjithë fansave të saj. Jam krenar dhe i privielgiuar që kam kënduar në kohën e Vaçe Zelës. Kam dëshirë të këndoja një këngë që e ka pasur shumë për zemër”. Kështu është shprehur Luan Zhehu, ndërsa ka kënduar: “Kur ishim fëmijë,/ ëndërronim ne të ardhmen tonë më të bukur se çdo ëndërrim…”
“Vaçe u prehsh në paqe!”
ORA 11.40
Alketa Vejsu, prezantuese, moderatore:
“Nuk na mbahen lotët të gjithëve, sa herë kemi dëgjuar muzikën e saj kumbuese. Në fakt dyshoja që do t’ia dilja. Do të flas sot njeriu i fundit që pranoi të flasë e shkëmbejë dy fjalë, 10 vjet më parë. Ishte e brishtë të lodhej me intervista të gjata.
Më la një lot të fundit në Shqipëri, duke thënë e përmallur: Sa të kisha frymë do të këndoja për vendin tim.
Kam kaluar vetëm pak orë në shtëpinë e saj, që ilaç për të kuruar kishte dashurinë”.
Ettore Sequi, ambasadori i BE-së në Shqipëri: Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia të thella e të ndjera për humbjen e Vaçe Zelës, një prej artisteve më të mëdha të Shqipërisë, që do të mbahet mend gjatë, sepse zëri i saj i fuqishëm e stili i të këndruarit mbeten të përjetshëm. Ajo u dha zë shpirtit dhe ndjenjave të vendit të saj fisnik. Mendimet e mia janë me familjen dhe miqtë e saj në këtë moment të hidhur.”
ORA 11.50
Lulëzim Basha, kryetar i Bashkisë së Tiranës, kreu i Partisë Demokratike: “Ngushëllime për Vaçe Zelën. Është dhe mbetet zëri dhe kujtesa e saj përjetë mes nesh, në zemrën e një kombi të tërë. Jemi mirënjohës dhe krenarë për të, për veprën e saj, çka shihet qartë nga bashkimi i qindra mijëra shqiptarëve në homazhin për Vaçe Zelën”.
ORA 11.55
Edi Rama: “Është shuar diçka brenda gjithkujt që e njohu nga afër apo e dëgjoi nga larg. Kjo është vdekje që e bën lajmin për ikjen e Vaçes nga kjo botë posaçërisht të veçantë për secilin prej nesh, një dhimbje që përçohet në trajtën e një humbjeje të përbashkët. Edhe tek më të rinjtë që deri dje s’kishin dëgjuar asgjë për të, pas disa orësh lanë shënimin e tyre në rrjetet sociale.
Kur këndonte Vaçe Zela, bota ishte bardh e zi.
Edhe ekrani ishte bardh e zi dhe i vetmi rrjet që lidhte figurën dhe zërin e saj me këtë vend ishte rrjeti i një propagande bardh e zi.
Këngëtarët visheshin njësoj, kriheshin njësoj, rrinin njësoj para mikrofonit dhe i linin rradhën njëri-tjetrit në hyrje –dalje, ku hapat dukeshin njësoj e duartrokitjet që ngjanin njëlloj edhe në koncerte edhe në kongrese.
Lajmi për ikjen e Vaçes më çoi pas në atë botë, në kuzhinënë e vogël, ku pas tryezës së bukës, në një kënd të ngushtë pranë ditares qëndronte televizori “Iliria” dhe ne, familja e mbledhur rreth tyrezës, gjithnjë njësoj, në të njëjtin vend, me sytë të kthyer te televizori, ndiqnim Festivalin e Këngës në RTV, që çdo vit dukej i njëjti festival, që përsëritej me pushkën, kazmën dhe çelësin solo, që vit pas viti ëndërronin vetëm vendin në sfond, si gjymntyrë që ndërrojnë vendin që të mos ngrijnë fare.
Me këngërt që tingëllonin si pjesë e një të vetme të gjatë, pa mbarim, pa dallim, pa ndryshim.
Në gjatësinë e një fëmijërie shumë të gjatë, sa është fëmijëria. E ndoqa dhe unë thuajse si të gjithë njëlloj gjithë atë ritual të paimagjinueshëm për fëmijët e sotëm të FB, duke pritur gjithnjë e më shumë vetëm për ato minuta mes orësh të tëra, të ndarë mes tre netëve kur në skenë hynte Vaçe Zela”.
Me flokët e derdhur jashtë normës së ngurtë, portretin e ngjashëm me askënd, buzëqeshjen që mbulonte gjithë ekranin me rrezatim misterioz, me shikim xixëllues që paralajmëronte diçka tjetër, që pa rrëzuar normën elektrizonte gjithë ajrin e kuzhinës sonë. Një zë që në vend tjetër, në kohë tjetër, me tekste e melodi të tjera do të kishte elektrizuar qiellin e gjithë botës.
Në atë vend, nuk mund të bënte asgjë me shumë se të ndizte një yll magjepsës në qiellin tonë të kyçur mes nesh.
Vaçe Zela iku mes nesh, kur iku bota bardh e zi
Ajo iku duke mos kërkuar vëmendje për muzikën e paçmueshme që bëri të jetojmë.
Pas kaq vitesh dërgoi befas thjesht lajmin e vdekjes si kartolinë e një dashurie të pathënë kurrë deri në fund.
Nuk ka vdekur, vetëm ka ikur për fare nga kjo botë, se kohë më parë kishte ikur për fare nga ky vend.
Është shuar mes nesh një yll magjepsës, e që askush që nuk e pa nuk do të jetë në gjendje të ndiejë magjinë përmes ekranit dhe altorpolanteve të botës së sotme.
Të falenderoj që ekzistove për secilin prej nesh, atëherë kur ekzistenca jonë ishte e ngrirë si këngëtarët e festivaleve dhe zëri yt tregonte fshehurazi mrekullinë e jashtëzakonshme të të jetuarit të kësaj bote.
Pyes veten, si do të këndonte Vaçja po të ishte me fat të këndonte “I ëill alëays love you”.
Në këtë orë lamtumire, ata që e dëgjuan nga larg apo afër i thonë Vaçes: “I ëill alëays love you”.
U prehsh në paqe yll i shuar. Do të të duam gjithmonë”.
ORA 12.05
Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës: “Në këtë momente të fundit të gjithë e duam Vaçen, por duhet ta lemë pak atë me njerëzit e saj më të dashur, Irmën, Pjetrin, ata që i qëndruan afër. Do iu lutesha që butësisht, pa zhurmë të lemë sallën, të dilnit anash nga ajo derë, t’i lemë familjarët në mnomentet e fundit të lamtumirës dhe të presim jashtë te shkallët për lamtumirën e fundit. Dhe t’i japim lamtumirën, ne atje jashtë e familja këtu”.