Pallatet e ndërtuara në zonën bregdetare të Durrësit “vrasin” në një atentat mafioz Kujtim Dyrmishin, ortakun e dytë të firmës së ndërtimit, vetëm 4 muaj pasi u ekzekutua biznesmeni Xhemal Çela nga shpërthimi me tritol në makinën e tij.
49-vjeçari nga Cërriku dhe banues në Durrës është vrarë po në makinë…por skema ka qenë e ndryshme…
Ekzekutimi mafioz është kryer nga makina në makinë, pranë zonës së plazhit në Durrës në mes të ditës dhe në një zonë mjaft të populluar me pushues në sektorin e Hekurudhave.
Autorët kanë derdhur breshëri automatiku në drejtim të Kujtim Dervishit, i cili ndodhej brenda makinës së tij tip Benz me targa italiane DP 411 VF, duke u siguruar se viktima e tyre nuk do të kishte shance mbijetese.
Autorët, identiteti i të cilëve ende nuk dihet, kanë qëlluar nga një tjetër makinë, tip Benz ngjyrë gri me xhama të zinj dhe me targa të Kosovës, 01 204 EN. Në automjet ndodheshin tre persona, dy prej tyre, të ulur në vendin e pasëm të pasgjerëve kanë derdhur breshërinë e plumbave të kallashit mbi biznesmenin e ndërtimit, ndërsa personi i tretë ka qenë duke drejtuar automjetin.
Në foto duken dhe plumbat e shumtë në derën e makinës tip Benz në xhamat e saj, ndërsa blutë e qytetit bregdetar kanë gjetur 24 gëzhoja automatiku.
Autorët pasi kanë qëlluar me breshëri plumbash janë larguar nga vendi i krimit në drejtim të Tiranës, ndërsa një orë pas krimit, automjeti u gjet i braktisur në autostradën Durrës-Tiranë në nënkalimin e Shën Vlashit.
Dyrmishi dhe Çela ndërprenë ortakëtinë pak para atentatit të Janarit
Burime nga policia bëjnë të ditur për A1 REPORT se Kujtim Dyrmishi dhe Xhemal Çela kanë qenë ortak në ndërtimin e pallatave në Durrës, ndërsa vetëm pak kohë para se Çela të humbte jetën në atentatin që iu bë në Janar, ata e kishin ndërprerë ortakërinë mes tyre.
Autoret braktisin automjetin me targa te Kosoves, policia gjen 3 automatikë dhe 24 gëzhoja
Ora 12:00 Rreth një orë pas vrasjes policia ka gjetur makinën e autorëve, mjetin tip Benz me targa 01 204 EN me xhama të zinj, të braktisur në autostradën Durrës-Tiranë në nënkalimin e Shën Vlashit. Policia gjeti brenda makinës 3 automatikë dhe 24 gëzhoja.
Policia ka arritur të identifikojë targën e automjetit të autorëve dhe janë ngritur postblloqë në autostradën Tiranë-Durrës për të mundësuar kapjen e tyre.
Ekzekutimi i ndertuesit Xhemal Cela në janar të 2014 – shkak, pallatet!
Biznesmeni durrsak, 45-vjeçari Xhemal Çela ndërroi jetë në spital më 24 Janar të 2014-ës, një ditë pasi iu bë një atentat me një sasi eksplozivi që shpërtheu në makinën e tij në mënyrë të telekomanduar.
Policia e qytetit bregdetar deklaroi në atë kohë se të paktën 300 gramë tritol ishin vënë në gomën e makinës së 45-vjeçari Çela dhe shpërtheu teksa automjeti ishte në ecje. Ndërsa edhe pas shpërthimit makina vijoi lëvizjen për disa metra edhe pse ishte në flakë.
Hetimet për ekzekutimin ndaj ndaj bisnesmenit të ndëtimit fokusuan si motiv kryesor përplasjet e shumta në lidhje me pronësinë e trojeve, ku ai ndërtonte pallatet.