SYRIZA e Aleksis Tsipras do të udhëheqë Greqinë për 4 vitet e ardhshme, duke u cilësuar si një “tërmet” për faktin se për herë të parë në një vend të BE-së vjen në pushtet një parti e majtë radikale. Syriza fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura këtë të dielë në Greqi, me një rezultat të thellë kundrejt Demokracisë së Re, partisë së kryeministrit në largim Antonis Samaras.
Procesi i votimit të rreth 10 milionë grekëve përfundoi në orën 19:00 (18:00 sipas orës në Shqipëri) dhe kur numërimi i voptave është drejt fundit, SYRIZA ka siguruar 149 deputetë, por pa garantuar shumicën absolute për të drejtuar e vetme vendin (151 eshte numri i vendeve ne Kuvend nga 300 qe ka parlamenti ne total, per te fituar shumicen absolute). Tashmë Tsipras pritet te shkoje drejt koliciaot qeverises dhe mundesite jane per greket e pavarur te ANEL. Dy kreret e ketyre forcave politike pritet te takohen ne oren 09:30.
Në fjalimin e fitores para mbështetësve që u mblodhën në selinë qendrore të partisë SYRIZA në Athinë, Tsipras deklaroi se populli grek me votën e së dielës bëri histori. Ai u zotua t’i japë fund masave shtrënguese ndaj popullit grek. Vetëm pak minuta pas daljes së rezultateve të para të zgjedhjeve, përfaqësuesit e SYRIZES deklaruan se trojka i përket së shkuarës dhe se marrëveshjet e nënshkruara nga qeveria e mëparshme me trojkën ndërkombëtare për daljen e Greqisë nga kriza, anulohen.
Vota e popullit grek vjen si ndëshkim kundrejt partive tradicionale, duke pësuar disfatë. Kështu ka ndodhur me PASOK-un e Venizellos apo edhe me “Demokracia e Re” të kryeministrit në largim Antoni Samaras, i cili ka siguruar vetem 76 deputete.
Kryeministri në detyrë Antonis Samaras në fjalimin e parë menjëherë pas shpalljes së rezultateve zyrtare paraprake, pranoi humbjen e partisë së tij. Ai tha se ndihej krenar për faktin që koalicioni qeverisës Demokracia e Re dhe PASOK e Venizellos, arritën të nxjerin vendin nga kriza e thellë, por shtoi se shpreson që partia e ardhshme të mos hedhë poshtë këto arritje.
Partia e tretë janë neonazistët e Agimit të Artë të pasuar nga Potami e PASOK ndërsa partia e re e Papandreut, Lëvizja e Socialistëve Demokratë nuk ka mundur të marrë votat e mjaftueshme për të qenë brenda parlamentit.
Ora 07:48 – Rezultatet zyrtare ne kohe reale, Syriza mbi 36 % te votave dhe 149 vende ne Kuvend
Rezultatet zyrtare të 99,81% të votave të numëruara deri më tani flasin se:
SYRIZA – 36,34% të votave – 149 vende në Kuvend
Demokracia e Re – 27,81% të votave – 76 vende në Kuvend
Agimi i Artë – 6,28 të votave – 17 vende në Kuvend
Potami – 6,05 % të votave – 17 vende në Kuvend
ANEL – 4.75 % të votave – 13 vende në Kuvend
PASOK – 4,75 % të votave – 13 vende në Kuvend
Lëvizja e Socialistëve Demokratë – 2.44 % të votave – nuk siguron vend ne Kuvend
Ora 07:00 – Kryetari i SYRIZA, Tsipras në orën 09:30 takohet me kreun e ANEL, Kamenos
Alexis Tsipras dhe kryetari i ANEL, Kamenos pritet të formojnë qeverinë e re me 162 deputetë në Parlament. Partia ANEL ka marrë 4.75% të votave, duke siguruar 13 vende në Parlament.
Ora 22:25 Fjalimi i fitores, Tsipras: Populli grek bëri histori
Në fjalimin e fitores para mbështetësve që u mblodhën në selinë qendrore të partisë SYRIZA në Athinë, deklaroi se populli grek me votën e së dielës bëri histori.
“Greqia lë pas 5 vite poshtërim dhe vuajtje, Greqia tashmë merr frymë me dinjitet drejt BE-së, por e ndryshuar. Vota juaj është shembulli i Evropës që po ndryshon, Greqia sot ka bërë që historia të ecë përpara. Për të gjithë popujt e Evropës sot është një festë.
Do të fillojmë me punë të madhe pas këtij vendimi të popullit grek. Mbyllet një kapitull i varfërisë së vendit tonë, duke lënë pas kujtimet e varfërisë dhe katastrofës. Trojka për Greqinë tashmë është një e kaluar. Jemi mëse të vetëdijshëm që populli grek nuk pranon urdhra nga të tjerët, por kemi shpresë për brezat e ardhshëm dhe unitetin e vendit tonë. Do ta përdorim besimin tuaj dhe do të krijojmë një qeveri greke për të gjithë grekët. Do të përfaqësojmë të gjithë grekët pavarësisht nëse votuan apo jo për ne. Do të luftojmë të gjithë sëbashku për të ringritur vendin bazuar në themelet e reja. Sot po i adresohem çdo burri e gruaje greke që po na ndjek në këto momente. Nuk ka fitues dhe humbës por sot kemi mposhtur oligarkinë. Ishte vota e popullit që na solli drejtësinë, ë këtij populli të ditur, punëtor, Greqisë së civilizimit. Është Greqia që lufton, që shpreson dhe që ka kërkuar për vendin e saj të krijojë një të ardhshme të re me dinjitet. Dua t’ju falenderoj përmzemërsisht, por mbi të gjitha ju mijëra grekë që keni ardhur nga mbarë Europa për të treguar këtë solidaritet. Kjo fitore e jona është fitore për të gjithë popujt në Evropë.
Të dashur miq qeveria e re greke nuk do të hapë konflikte të njëanshme, por sot përballë kemi një mundësi të jashtëzakonshme për një forum të ri, edhe për Europën, një politike të re për Evropën, për marrëdhënie të reja bazuar në respektimin e gjithsecilit por edhe në solidaritet.
Pikësynimi ynë i parë do të jetë të menaxhojmë dhe të përballemi me themelet e kësaj krizë. Do të luftojmë korrupsionin për të future kudo principet e reja demokratike.
Prioriteti ynë mbi të gjitha do të jetë që grekët të rifitojnë sërish dinjitetin e tyre dhe ky është mesazhi të fitojmë buzëqeshjen dhe dinjitetin e humbur të popullit tonë.
Falenderoj nga thellësia e zemrës këdo që më dhatë këtë fitore me pasion duke i dhënë shpresë popullit tonë, dhe ju i sollët sërish buzëqeshjen çdo gruaje dhe nënë greke. Ky është një moment historik për Greqinë. Do të luftojmë dhe përpiqemi me të njëjtin pasion drejt kësaj beteje të vështirë dhe të bukur. Le ta ngremë diellin e demokracisë, të dinjitetit dhe së bashku do ia dalim mbanë”.
Ora 22:20 Presidenti i PE, Schulz telefonon Tsipras: Fitore historike, do vij t’ju takoj
Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz telefonoi kryetarin e SYRIZA, Tsipras. “Kjo është një fitore historike, një sukses i madh. Unë do të bëj gjithçka që kam në dorë për të ndihmuar dhe për gjetur një zgjidhje të pranueshme dhe të qëndrueshme. Kam ndërmend të vij në Athinë në mes të javës për t’ju takuar dhe të premten do të takohem me Kancelaren gjermane, Merkel”, tha Schulz.
Samaras pranon humbjen: E nxora vendin nga kriza e thellë
Ora 21:45 Kryeministri në detyrë i Greqisë Antonis Samaras, ka pranuar publikisht humbjen, edhe para shpalljes së rezultateve zyrtare, duke marrë parasysh diferencën e thellë me partinë e kundërshtatit të tij politik Aleksis Tsipras.
Kreu i Demokracisë së Re, partisë së dytë pas SYRIZES, në një deklaratë nga selia e partisë së tij, tha se ndihej krenar për ndryshimet pozitive që i solli vendit, që siç theksoi ai e mori udhëheqjen e Greqisë në prag katastrofe dhe e nxorri vendin nga kriza.
Ai tha se shpreson që partia e re që do të marrë drejtimin e Greqisë të mos hedhë poshtë arritjet që kolaicioni i Demokracisë së Re me PASOK solli për vendin. Pavarësisht humbjes, Samaras tha partia e tij do të vazhdojë të rualë rol të rëndësishëm për reformat.
“Kur mora qeverisjen e mora vendin në prag katastrofe dhe u përpoqa ta zgjidh situatën. Arritëm të evitojmë më të keqen dhe e nxorëm Greqinë nga kriza e thellë. Një koalicion partiak i panjohur për Greqinë, ishim të detyruar të ndërmerrnim hapa të vështirë megjithatë arritëm të evitojmë më të keqen. Pra sot dorëzoj vendin në një situatë më të mirë ekonomike, një vend që ka dalë nga kriza dhe mbi të gjitha dorëzoj një vend që është anëtar i BE dhe për të mirën e këtij vendi shpresoj që qeveria e re të mos i hedhë poshtë këto arritje. Unë ndihem krenar që i kam thënë të vërtetën popullit grek, shpresoj qe edhe qeveria e ardhshme të jetë e tillë. Rezultatet nuk janë të kënaqshme për ne, por tregojnë që Demokracia e Re qëndron ende pavarësisht vështirësive që ka përjetuar. Dhe pavarësisht këtij rezultati kemi një humbje të vogël në krahasim me zgjedhjet e mëparshme. Demokracia e Re do të vazhdojë të luajë rol të rëndësishëm për reformat, kemi nevojë që të ecim përpara. Do të vazhdojmë të luajmë plotësisht rolin tonë”, u shpreh Antonis Samaras, kryeministri ende ne detyre ne fjalimin e pare menjehere pas shpalljes se rezultateve paraprake.
Ora 21:40 Samaras pranon humbjen: Kjo është kulturë politike
Kryeministri aktual i Greqisë, njëherësh kreu i Demokracisë së Re Antonis Samaras ka telefonuar kundërshtatin e tij politik Aleksis Tsipras ku e ka përgëzuar për fitoren. Sipas mediave greke Tsipras e ka vlerësuar telefonatën, ndërsa Samaras është shprehur: Kjo është kulturë politike. Kjo telefonatë vjen pak çaste para se Samaras të dalë para qytetarëve në deklaratën që do të pranojë publikisht humbjen e zgjedhjeve në Greqi.
Ora 21:30 – Venizellos uron fitoren e SYRIZES
Ministri aktual i Jashtëm i Greqisë, Venizellos, kreu i PASOK, partise ne koalicionin qeverises, ka pranuar publikisht fitoren e partisë SYRIZA, duke uruar sukses për të mirën e vendit. Në një deklaratë për mediat ai tha se tashmë SYRIZA ka një përgjegjësi të madhe pasi është zgjedhur nga populli.
“Kemi detyrim që të respektojmë zgjedhjen e popullit. S’kemi kohë për të humbur, duam që gjërat të shkojnë mirë”, tha Venizellos.
Venizellos tha se neonazistët e Agimit të Artë nuk duhej të ishin në vendin e tretë, por se PASOK duket të kishte atë vend. Kjo, shtoi Venizellos, do të kishte ndodhur nësë Papandreu nuk do të ndante partinë.
Ora 20:55 Financial Times: Tsipras, Lula apo Chavez i ri?
Një fitore e mundshme e Tsipras nuk ka mbetur pa u komentuar edhe nga prestigjozja angleze ‘Financial Times’. Në një editorial të saj, Financial Times pyet nëse Alexis Tsipras do të jetë një “Lula i ri (Luiz Inacio, një ish sindikalist, që pas zgjedhjes së tij si president i Brazilit zbuti pozicionin e saj të së majtës ekstreme duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit); apo si Hugo Chavez (ish-president i Venzuelës, që u largua në vitin 2013 duke e lënë vendin në prag falimentimi).
20: 50 Televizioni grek: Renzi i pari që telefonoi Tsipras
Kryeministri italian Matteo Renzi është përfaqësuesi i parë nga qeveritë e hyaja që ka telefonuar kreun e SYRIZA, Aleksis Tsipras për ta uruar, menjëherë pas publikimit të exit polleve të para të zgjedhjeve të sotme në Greqi. Lajmin e ka bërë publik një deputet i SYRIZA-s për televizionin Mega.
Ora 20: 36 – SYRIZA, marrëveshjet e nënshkruara me trojkën “kanë vdekur”
Vetëm pak minuta pas daljes së rezultateve të para të zgjedhjeve, kreu i programit ekonomik të Syrizas, Janis Milios ka bërë të ditur se në ditën e triumfit në zgjedhje (e cila mbetet për t’u verifikuar) marrëveshja e nënshkruar nga qeveria e mëparshme me trojkën ndërkombëtare për daljen e Greqisë nga kriza, automatikisht pushon së ekzistuari. Nesër pritet një takim i Bashkimi Evropian për të diskutuar rezultatin e votimit grek dhe pasojat e mundshme që mund të sjellë në eurozonë.
20: 40 Media: 45. 3 % të papunë votuan për SYRIZA
Sipas të dhënave nga gazeta greke Kathimerini, 45.3 % e të papunëve në Greqi kanë votuar për SYRIZA, 18. 4 % për Demokracinë e Re dhe 8.8 % e të papunëve kanë votuar për Golden Daën.
Ora 20:32 – Socialistët francezë: Sot riforcohet në Evropë fronti kundër politikave shtrenguese
“Një lajm i mirë për popullin grek”. Në një deklaratë, socialistët francezë uruan për fitoren e forcës politike të majtë në Greqi. “Fronti anti-shtrëngues sot është riforcuar në Europë. Nga vitit 2012 Francois Hollande dhe liderët Social demokratë janë duke punuar për të riorientuar Bashkimit Europian”, thuhet në deklaratë. “Do të gjejnë tek Alexis Tsipras një aleat të ri”.
Ora 20: 17 – Presidenti i Bankës Gjermane, Weidmann: Reformat janë në interesin e Greqisë
Presideni i Bundesbank Jens Ëeidmann në një prononcim për televizionin gjerman Ard pas rezultateve të para të votimit në Greqi, tha se reformat janë në interesin e Greqisë dhe se tashmë Athina duhet të respektojë angazhimet.
“Është në interesin e qeverisë greke të bëjë reformat e nevojshme për të zgjidhur problemet e saj. Greqia duhet t’i përmbahet kushteve të programit të ndihmës”, shtoi Weidmann.
20:10 – Turma e njerëzve para selisë së SYRIZA, në pritje të daljes së Tsipras
Në sheshin Koumoundourou në Athinë jashtë selisë qendrore të Syriza numri i përkrahësve të saj është është rritur dhe është në pritje të daljes së liderit të forcës politike që pritet të marrë drejtimin e Greqisë, Tsipras.
Ora 20:05 SYRIZA garanton: Nuk bëjmë ndryshime në polici e ushtri
Një bashkëpunëtor i Syriza me urdhër të Tsipras i ka telefonuar krerët e policisë dhe ushtrisë për t’i siguruar se nuk do të bëjnë ndryshime drastike në polici dhe ushtri
Ora 20:00 – Papandreu flet për mediat: Vendimi i popullit të pranohet brenda e jashtë Greqisë
Kreu i Lëvizjes së Socialistëve Demokratë Jorgos papandreu në një konferencë për mediat pak para zyrtarizimit të rezultateve të zgjedhejve, tha se vendimi i popullit duhet të respektohet brenda dhe jashtë Greqisë.
“Në pak orë ju do të dini saktësisht vendimin e qytetarëve, një vendim që duhet të respektohet nga populli grek dhe ata jashtë vendit. Nuk ka ende një parti të pavarur në kushtet aktuale. Gjithësesi asnjë parti, edhe ajo që merr shumicën e votave, nuk mund ta trajtojë situatën aktuale vetëm. Projekti ka nevojë për një plan me ndryshime progresive në mënyrë që Greqia të mos rendë drejt aventurave të reja. Marrëveshja për reduktimin e borxhit dhe planin grek për ndryshim duhet të ketë firmën e popullit grek me një referendum”, u shpreh Papandreu.
Ora 19:40 – Weidmaan, Presidenti i Bundesbanl Gjermane: Greqia duhet të respektojë marrëveshjen
Ora 19: 20 – Demokracia e re pranon: Syriza është forca e parë politike
Ora 19:15 – Zgjedhjet në Greqi, SYRIZA në Twitter: Shpresa fitoi, populli kundër masave shtrënguese
VIDEO/ Festimet në zyrën kryesore të Syrizas, në qendër të Athinës
Ora 18:10 Rezultatet e Exit Poll-eve
Syriza, 35-39 % të votave 146-158 vende në Parlament
Demokracia e Re, 23-27% të votave 65-75 vende në Parlament
Agimi i Artë 6.4 – 8 % të votave, 17-22 vende në Parlament
Potami me 6.4 – 8 % të votave, 17-22 vende në Parlament
PASOK 4.2-5.2% të votave 12-15 vende në Parlament
Lëvizja e Socialistëve Demokratë 2.2 – 3.2 % 0-8 vende në Parlament
Exit-Pollet e para: Fituese SYRIZA
Ora 18:00 Janë tre Exit Polle të cilat kanë shpallur fitoren e thellë të partisë së majtë radikale Syriza, të udhëhequr nga Alexis Tsipras me 35-39 % të votave, një diferencë mjaft e madhe nga Demokracia e Re, e kryeministrit në detyrë Antonios Samaras, e cila ka marrë 23-27% të votave. Në vendin e tretë janë Agimi i Artë dhe partia Potami me 6.4 – 8 %. Po sipas këtyre exit polleve, PASOK ka marrë 4.2-5.2% të votave.
Nga ana tjetër Exit pollet flasin për një humbje të thellë të Partisë së Papandreut me një përqindje të votave që e lë jashtë parlamentit. Pjesëmarrja në votime mësohet të ketë qenë mbi 62%, më e madhe se ajo në zgjedhjet e 2012-ës.
Sipas Exit Poll-eve Syriza mund të marrë nga 146-158 mandate në parlament të mjaftueshme për të formuar shumicën e thjeshtë në parlamentin prej 300 vendesh. Maxhoranca absolute është me 151 deputetë.
Sipas exit Polleve Syriza pritet të shpallet partia fituese, e cila ka për qëllim të formojë qeverinë e parë në eurozonë, që do të angazhohet hapur për anulimin e masave shtrënguese të programit të ndihmës. Giorgos Kyrtos, eurodeputet i partisë konservatore Demokracia e re e ka cilësuar këtë ‘një moment historik’ për të majtët radikalë.
Kujtojmë që në zgjedhjet e mëparshme exit poll kanë pasur një marzh gabimi të lartë, pasi ky është vetëm një projeksion fillestar në këtë fazë.
VIDEO / Në Lidhje telefonike kandidatja shqiptare e PASOK, Ina Panajoti
Gazetare nga 45 shtete në Athinë për të ndjekur zgjedhjet
Përveç dy incidenteve të vogla, procesi i votimit ka kaluar qetë dhe pa probleme. Në orët e fundit të votimit, sipas mediave greke, partia ‘Demokracia e Re’ e Antonis Samaras ka thënë se do të kërkojë një hetim gjyqësor mbi postimet e sondazheve, të publikuara të internet. Gjithsesi, zgjedhjet e sotme janë mbuluar nga 876 gazetarë të akredituar nga 45 vende të botës.
Në Greqi rreth mesditës është shënuar edhe incidenti i parë në zgjedhjet parlamentare . Skai TV ka raportuar se një përfaqësues i Agimit të Artë, është sulmuar në një qendër votimi në Kallipoli.
Zgjedhjet, në lidhje telefonike me A1 Report gazetari Ardi Stefa
Ora 12:20 Kandidatja shqiptare e PASOK, Panajoti: 20% e votuesve përcaktojnë fituesin
Kandidatja shqiptare në listën e PASOK për zgjedhjet parlamentare, Ina Panajoti, deklaroi se pavarësisht se SYRIZA është pretendente për fitimin e zgjedhjeve, është pjesa e lëkundur e votuesve, rreth 20 % e tyre, të cilët do të bëjnë diferencën.
“Pjesa më e madhe e votave do shkojë në partinë radikale të majtë, njerëzit nuk zgjedhin program, por votojnë si një reagim i këtyre viteve të fundit, të cilat kanë qenë të vështira.”- tha Panajoti.
Më tej Panajoti theksoi se në zonën e saj, në periferi të Athinës, janë rreth 6000 shqiptarë të cilët janë me të drejtë vote.
“Shqiptarët kanë shkuar të mbështesin të gjithë kandidatë shqiptarë që janë edhe në partitë e tjerë. Ka rreth 6.000 shqiptarë me te drejtë vote në zonën time elektorale, në periferi të Athinës.”-tha Ina Panajoti.
Gjithashtu ajo theksoi se PASOK është e vetmja parti që ka mbështetur shqiptarë në Greqi
“Jam krenare dhe shumë e lumtur që mu dha mundësia të marrë në këtë proces, më kanë mbështetur shumë prej njerëzve. Ka edhe nga ata shqiptarë, që kanë reaguar keq ndaj kandidaturës sime. PASOK është e vetmja parti që ka qenë krah të shqiptarëve. PASOK u dha të drejtën për nënshtetësi. Unë iu premtoi se së bashku do bëjmë çdo gjë të mundur për t’iu ardhur në ndihmë. Një nga problemet janë edhe fëmijët që kanë lindur këtu, por që duhet të largohen pas përfundimit të studimeve”
Më tej, ajo foli për synimet e partisë së saj, i cili është dalja si fuqi e tretë nga këto zgjedhje, por gjithsesi sipas saj ekziston frika se si forcë e tretë të dalë Agimi i Artë.
“PASOK po bën një luftë të madhe që të jetë partia e tretë, ka një frikë se do jetë Agimi i Artë, po bëjmë çmos që ta arrijmë këtë qëllim.”- tha Panajoti duke shtuar se PASOK do dalë më e fortë nga ky proces.
Ora 11:30 Presidenti Papoulias: Janë zgjedhje kritike, besoj te populli grek
Karolos Papoulias, votoi në Janinë, për herë të fundit në rolin e Presidentit të Republikës. Në fjalën e tij ai tha: “Këto janë zgjedhje kritike. Besoj se populli Grek, bazuar në eksperiencën e gjatë dhe me zgjuarësinë e tyre, do të dinë të zgjedhin më të mirët për t’i dërguar në parlament. Parashikoj se vitet e ardhshme do të kenë probleme të vazhdueshme, ndaj duhet një zgjidhje unanime dhe një tentativë për të zgjidhur çfarëdo situate.”
Ora 11:04 Dervishi: Rreth 100.000 shqiptarë me të drejtën për të votuar
Ambasadori i Shqipërisë në Greqi, Dashnor Dervishi gjatë një lidhjeje telefonike për A1 Report deklaroi se në Greqi janë rreth 100.000 shqiptarë me të drejtë vote, përfshirë këtu edhe minoritarët. Një nga faktorët që do i shtyjë shqiptarët drejt kutive të votimit në Greqi është edhe fakti se mes kandidaturave ka edhe disa shqiptarë.
“Rreth 100.000 shqiptarë kanë të drejtën për të votuar, përfshirë edhe minoritarët. Në Athinë ndodhen rreth 20.000 shqiptarë. Në Greqi ka edhe disa kandidatë shqiptarë për deputetë”- tha Dashnor Dervishi.
Më tej Dervishi ndërsa shtoi se parashikimet nxjerrin fitues SYRIZA-n, theksoi se gjasat janë që në qeveria e ardhshme do të jetë në formën e koalicionit dhe kjo parti do të ketë një tërheqje nga deklaratat fillestare.
Gjithashtu Dervishi vlerësoi se Faktori ndërkombëtar nuk ndërhyn në zgjedhje. “Shprehin opinionin e tyre, por pa ndërhyrë në njërin apo në tjetrin drejtim.”- tha Dashnor Dervishi duke iu referuar faktorit ndërkombëtar për zgjedhjet në Greqi.
Ora 10:41 Ish–kryeministri, Jorgos Papandreu: Greqia ndodhet në një udhëkryq kritik
Edhe Ish kreu i PASOK, tashmë nën drejtimin e një partie të re në Greqi, Jorgos Papandreu votoi në shkollën New Eritrea i shoqëruar nga bashkëshortja e tij. Në një prononcim të shkurtër ai tha se: “Greqia ndodhet në një udhëkryq kritik për të ndryshuar ‘status quo-në’. Në do të jemi të gatshëm për mirëkuptim dhe bashkëpunim për të ndryshuar dhe për të ndërtuar Greqinë. Mjafton të negociojmë për zhvlerësimin e borxhit dhe të planit grek për ndryshime të thella, kjo me aprovimin e popullit grek.”
Ora 10:00 Kreu i SYRIZA, Tsipras: Kjo është një ditë historike, jam si Renzi
Kjo është një ditë historike, deklaroi sot lideri i SYRIZA-s, Aleksis Tsipras për gazetarët pasi votoi në lagjen e Athinës Kipseli, ku ai edhe banon.
“Sot grekët duhet të vendosin nëse nesër trojka duhet të kthehet në Greqi për të vazhduar atë që ka bërë me qeverinë e Samarasit apo jo, thënë ndryshe të shkurtojë akoma pagat dhe pensionet. Populli duhet të votojë për të mbrojtur dinjitetin e tij dhe për një qeveri që do të vazhdojë tratativat e vështira me kreditorët ndërkombëtarë”, përfundoi Cipras, i cili shihet si fituesi i këtyre zgjedhjeve”- tha Tsipras.
Ora 09:30 Kreu i PASOK, Venizelos: Uroj që populli të bëjë zgjedhjen e duhur
Ndërkohë mes liderëve politikë që kanë hedhur votën e tyre ishte dhe kreu i PASOK, Evangelos Venizelos, i cili pas votimit tha: “Unë uroj që populli grek të bëjë zgjedhjen e duhur që do ta çojë vendin në diçka më të mirë dhe jo më të keqe për të ardhmen e Greqisë dhe fëmijët e saj.”
Ora 08:50 Voton ish-kryeministri Kostas Karamalis
Ndërkohë në Selanik ka votuar dhe ish-kryeministri Kostas Karamalis i cili nuk ka bërë asnjë deklaratë. Karamalis arriti në qendrën e votimit 310 në një shkollë fillore në Selanik në 08:50 dhe në hyrje u mirëprit nga Kryetari i Komitetit Drejtues të prefekturës Jugperëndimore të Selanikut, bashkë me deputetë kandidatë dhe zyrtarë të partisë.
Ora 08:20 Voton Samaras: Zgjedhjet vendimtare për të ardhmen tonë
Kryeministri Antonis Samaras, ka qenë ndër të parët nga liderët e shtetit fqinj që hedhur votën e tij, në zgjedhjet e jashtëzakonshme që po mbahen sot në vendin fqinj. Edhe pse i vetëdijshëm që rivali i tij, Aleksis Tsipras, me partinë Syriza, kryesojnë bindshëm sipas sondazheve paraprake, Samaras kërkoi mbështetjen e zgjedhësve të pavendosur për të mos ndryshuar kursin që ka marrë vendi.
Antonis Samaras: “Këto zgjedhje janë vendimtare për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë. Sot ne vendosim nëse do të ecim të fortë përpara, me siguri dhe vetëbesim, apo do t’i futemi aventurave. Në këto zgjedhje një numër i paprecedent votuesish janë ende të pavendosur. Ata do ta thonë fjalën e fundit. Jam optimist sepse besoj fort që askush nuk dëshiron të rrezikojë kursin europian të vendit. Ne do të fitojmë!”, tha Samaras pasi votoi në qytetin e lindjes, Pilos, në Peloponez.
Greqi, sondazhet nxjerrin fituese SYRIZA-n
Në sondazhet e publikuara dy ditë para zgjedhjeve tepër të rëndësishme parlamentare në Greqi, diferenca mes partisë konservatore në pushtet “Demokracia e re” dhe partisë së majtë radikale SYRIZA është rritur në gjashtë për qind në favor të kësaj të fundit.
Ndërkohë, sondazhet parashikojnë edhe hyrjen në parlament të 8 partive, por asnjëra prej tyre nuk mund të drejtojë e vetme vendin.
Sipas sondazhit të kryer nga kompania GPO për llogari të stacionit televiziv privat “Megatv”, SYRIZA ka 32,5 për qind të preferencave dhe 26,5 i ka “Demokracia e re”.
Më pas janë “Lumi” (5,8), “Agimi i artë” (5), Partia Komuniste (5), PASOK-u (4,4), “Grekët e pavarur” (3,4), KIDISO (3).
Interesant është fakti që për grekët kryeministri më i mirë për momentin është ai aktual, Antonis Samaras, që kryeson me 40,1 për qind të preferencave, ndërkohë që 38,2 për qind pëlqejnë Aleksis Tsipras