Home Rajoni Kush eshte Aleksis Tsipras?! Biografia e tij.

Kush eshte Aleksis Tsipras?! Biografia e tij.

1005
0

alexis-tsiprasAleksis Tsipras është i pari kryetar partie greke i lindur pas rrëzimit të juntës së kolonelëve. U lind në Athinë më 28 korrik 1974 dhe që në moshë të njomë u aktivizua në radhët e rinisë së partisë komuniste (KNE). Ishte ndër liderët e lëvizjeve të fuqishme të nxënësve grekë të shkollave të mesme në fillim të viteve 1990, ndërsa e rriti aktivitetin e tij sindikalist gjatë vazhdimit të studimeve të larta për inxhinieri ndërtimi dhe më pas urbanistikë dhe rregullim territori në Athinë, kur ishte njëkohësisht edhe sekretar i seksionit të studentëve të rinisë së Koalicionit të së majtës dhe progresit (Unioni i të rinjve të majtë). Në 1999 u zgjodh sekretar i këshillit qendror të rinisë, pozicion që e mbajti deri në 2003. Ishte ndër organizatorët e krijimit të Forumit Social grek dhe pjesëmarrës në thuajse gjithë protestat ndërkombëtare (përfshirë edhe atë në Gjenova në 2001), kundër globalizmit.

Në dhjetor 2004 ishte ndër pesë më të votuarit për komitetin qendror të Koalicionit, duke u zgjedhur njëkohësisht edhe në sekretariatin politik të partisë, ku ishte i ngarkuar me çështjet e shkollës e të rinisë.

Tsipras filloi të tërhiqte vëmendjen e opinionit pas zgjedhjeve lokale të 2006-s, kur kandidoi për kryetar bashkie i Athinës dhe arriti të merrte 10,5% të votave, duke u renditur i treti pas dy politikanëve shumë të njohur, Nikitas Kaklamanis (Demokracia e re) dhe (Kostas Skandalidis (PASOK), ndërsa formacioni i tij siguroi katër vende në këshillin bashkiak.

Në 2008 u zgjodh kryetar i SYRIZA-s, me 840 vota, duke patur përballë Fotis Kuvelis i cili mori vetëm 342 vota.

Persona që e kanë njohur nga afër, që atëherë kur “ylli” i tij nuk kishte shkëlqimin e sotëm, thonë se Tsipras “është revolucionar i lindur”, i cili nisi të studionte Marksin, Leninin dhe Hegelin që në moshën 14 vjeç. Më tej, e karakterizojnë si një njeri që i jep hapësirë mendimit ndryshe, është i hapur ndaj kritikës dhe beson shumë në “lojën kolektive”.

Si shprehje e një karakteri të fortë që disponon Aleksis Tsipras, theksohet edhe fakti se me shoqen e vet të jetës është lidhur që në vitet e shkollës së mesme, një marrëdhënie që duket se mbetet vitale edhe pas më shumë se dy dekadash, dhe që veç të tjerash ka “prodhuar” edhe dy fëmijë. Me shoqen e tij të jetës, inxhinieren elektrike Peristera (Beti) Baziana, nuk kanë vënë kurorë dhe as kanë kryer aktin e martesës, por vetëm kanë nënshkruar një kontratë bashkëjetese, duke vërtetuar edhe me vepra, përkushtimin e tij ndaj prishjes së tabuve të shoqërisë tradicionaliste greke.

Një tjetër akt i Tsipras që ende mbetet i pashlyer në kujtesën kolektive greke, është paraqitja e tij në pritjen e presidentit të republikës, Karolos Papulias, jo i shoqëruar nga shoqja e tij e jetës, ashtu si gjithë të tjerët, por nga emigrantja afrikane Kandinca Sanko. Lideri i porsazgjedhur i të majtës radikale, e kishte bërë këtë lëvizje për të theksuar problemin e gjithë fëmijve të emigrantëve që ndodheshin në Greqi prej gati dy dekadash dhe nuk gëzonin asnjë lloj të drejte.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here