Home Politike Basha: Ja si do ndryshojë Tirana me mua në krye

Basha: Ja si do ndryshojë Tirana me mua në krye

511
0

De Facto, Lulzim Basha do të jetë figura e Partisë Demokratike që do të garojë për të marrë drejtimin e Bashkisë së Tiranës, të cilësuar prej kohësh si një bastion i së majtës. Partia Demokratike hapi dje fushatën zyrtare për zgjedhjet vendore të 8 Majit. Në një koncert festiv të organizuar në Pallatin e Sportit, “Asllan Rusi” është prezantuar dje kandidati Lulëzim Basha. Kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së tij shprehu mbështetjen për Lulëzim Bashën, duke e cilësuar si njeriun e sukseseve në Partinë Demokratike.
Berisha prezanton Bashën
Kryeministri i vendit dhe Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, prezantoi zyrtarisht Lulzim Bashën si kandidat për Bashkinë e Tiranës, ndërsa motivoi këtë zgjedhje duke thënë se Basha ishte kandidati më i mirë që mund të zgjidhej. Në fjalimin e tij, Berisha e përshkroi ish-Ministrin e Brendshëm si një njeri që ka njohur vetëm suksese në të gjithë karrierën e tij politike, prandaj u shpreh i bindur se ai do të jetë në gjendje të transformojë fytyrën e kryeqytetit, “pasi të fitojë zgjedhjet”.”PD dhe Aleanca për Qytetarin është krenare të mbështesë njërin prej personaliteteve më të suksesshme të Partisë Demokratike, njërin prej qytetarëve më të shquar të kryeqytetit, intelektualin e talentuar, Lulzim Bashën”, deklaroi Berisha. ”Zgjodhëm Bashën, sepse ai është një njeri që ka njohur vetëm shkëlqime gjatë jetës së tij. Ai ishte gjimnazisti që shkëlqeu në lëvizjen anti-komuniste, studenti që shkëlqeu në Utreht, në një prej universiteteve më të mira në botë. Basha është njeriu që shkëlqeu në luftën kundër Milosheviçit, njeriu që pa internet e pa klikime, studioi për të fituar vendin e parë në një prej konkurseve më të rëndësishëm të të drejtave njerëzore”. Berisha vazhdoi fjalimin duke përdorur kartën e cilësive morale të kandidatit të tij. “Lulzim Basha është bashkëshorti shembullor, prindi shembullor, prandaj ai do të jetë edhe Kryebashkiaku shembullor, për një Tiranë Europiane, për të cilën ai vetë ka kontribuar kaq shumë”.
Basha premton
“Edhe unë si gjithë të tjerët, nuk jam i kënaqur me ndryshimin e Tiranës. Realiteti i sotëm, është rraskapitës për qytetarët e saj”. Me këto fjalë e ka nisur përshëndetjen e tij para mbështetësve të mbledhur në “Asllan Rusi”, kandidati tashmë i zyrtarizuar i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Lulëzim Basha. Sipas tij, ka ardhur koha që të vihen në qendër të vëmendjes qytetarët e Tiranës dhe problemet e tyre. “Rama tha se ka plane të tjera, ngaqë kërkon karrigen e kryeministrit. Ne duhet të bashkohemi që të realizojmë ëndrrat tona për një Tiranë, si e duam të gjithë”, shtoi Basha. Ai ka përmendur faktin se Tirana duhet të kthehet në një qytet të mundësive për të gjithë, se Tirana ka nevojë për një kryebashkiak që në qendër të punës së tij ka atë dhe qytetarët e saj. “Bashkia do të punojë për përmirësimin e infrastrukturës, do të krijoj një Task-Force për punësimin” tha Basha.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here