Sot në orën 11:00 Partia Demokratike do të zhvillojë protestën kundër çmimit të karburantit ku selia blu së bashku me simpatizantë dhe qytetarë do të fikin makinën për 5 minuta, duke shënuar nisjen e protestave pranverore të opozitës për këtë vit.
E paralajmëruar dy javë më parë dhe e përsëritur ditën e djeshme edhe nga kreu i saj Lulzim Basha, Partia Demokratike proteston sot kundër taksave që sipas tyre kanë bërë që çmimi i karburantit të mbetet i lartë, duke mos reflektuar uljen e çmimit që ka ndodhur në të gjithë Evropën kohët e fundit.
Në daljet e saj për mediat, opozita pretendon se gjatë më shumë se një viti qeverisë, Kryeministri Rama nuk ka mbajtur premtimin e dhënë gjatë fushatës zgjedhore të 2013, për të ulur çmimin e karburantit, por përkundrazi sipas tyre ai është rritur.
Sipas Bashës, protesta e sotme do të shënojë për PD-në nisjen e valës së protestave pranverore, kundër punës së qeverisë. Dhe kjo pasi siç u shpreh kreu i selisë blu, sot qytetarët shqiptarë janë më të varfër, dhe një nga arsyet janë edhe rritja e taksave, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në jetesën e tyre, mes të cilave dhe në çmimin e karburantit.
Por nga ana e tij, Kryeministri Rama e ka cilësuar si mashtrimin e radhës së opozitës pretendimin e PD-së, duke theksuar se ndryshe nga një vit më parë shqiptarët paguajnë 20% më pak për një litër naftë.
Në këtë kontekst kryeministri përmend faktin se në tetë vite qeverisje të djathtët e rritën çmimin e naftës me 200 %, ndërsa vetëm në 16 muaj qeveria e koalicionit PS-LSI e ka ulur çmimin me 20 %.