Home Armand Shkullaku Shpërblimi i qeverisë për Vitin e Ri

Shpërblimi i qeverisë për Vitin e Ri

661
0

Këtë fundviti nuk do të ketë shpërblim për pensionistët. As për punonjësit e administratës dhe familjet në nevojë. Madje as premtime se viti që po vjen do të jetë më i mirë, nuk do të jepen dot. Në vend të tyre, qeveria e re do të shpërndajë copa tullash e dritaresh nga “pallati i Bashës” në Vlorë dhe do të shumëfishojë në facebook padinë e ministres Kodheli për ish-ministrin Imami. Të paktën në tryezën e darkës së fundit të vitit, shqiptarët do të kenë diçka për të shtuar. Megjithë dëshirën e kryeministrit Rama për t’i paraqitur aksionet e tij të fundit si përpjekje në drejtim të luftës kundër korrupsionit, ato janë hapur selektive, me prapavijë politike dhe mbi të gjitha të nxitura nga populizmi dhe jo nga përgjegjshmëria përballë ligjit. Në pamundësi për t’u dhënë shqiptarëve ato çka u premtoi me bujë në fushatën elektorale, kryeministri ka zgjedhur të bëjë kurbane për të qetësuar në mos stomakun, të paktën shpirtin e tyre. Në vend të reduktimit të TVSH për energjinë dhe ushqimet bazë për të gjithë konsumatorët (dhe jo vetëm për familjet në nevojë siç pritet të bëjë), të legalizimeve falas apo të hapjes së 300 mijë vendeve të punës, Edi Rama po ofron spektaklin e ndëshkimit si mundësinë më të mirë për të mbuluar paaftësinë qeverisëse. Një spektakël që vërtet mund të shuajë etjen momentale të shqiptarëve për drejtësi, mundet edhe të entuziazmojë militantët në tavolina kafenesh për të harruar hallet e përditshme, por që si model qeverisjeje nuk premton ndonjë zhvillim të qëndrueshëm. Madje më shumë se kaq. Veprimet e bujshme të qeverisë, të motivuara nga populizmi, selektiviteti dhe ndjeshmëritë personale të kryeministrit, rrezikojnë ta zhvlerësojnë përfundimisht luftën kundër korrupsionit. Në vargun e gjatë të këtyre veprimeve, të shembjeve, mbylljeve, anulimeve, falimentimeve e kallëzimeve, mund të veçojmë dy më të fortat që e vënë në dyshim besueshmërinë e qeverisë së re në luftën kundër paligjshmërisë e korrupsionit: kompleksin “Jon” në Vlorë dhe kallëzimin për ndjekje penale ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami. Në këto dy ngjarje, kryeministri Rama u investua personalisht për t’i paraqitur si simbole të luftës së tij në emër të shtetit ligjor. Por sa më i madh u bë ky investim, po aq i madh u rrit edhe dyshimi për goditje selektive me sfond të pastër politik e demagogjik. Kompleksi “Jon” nuk u ngrit brenda natës. Edi Rama e kishte parë atë dhe ishte në dijeni të të gjitha procedurave edhe përpara se të bëhej kryeministër. Ai nuk foli dhe nuk mbajti qëndrim ndaj kryetarit të bashkisë së Vlorës, sa kohë që ky i fundit i duhej për zgjedhje dhe sa kohë kishte raporte personale të mira me të. Ashtu siç nuk ka folur e nuk flet ende për shumë kryetarë të tjerë që kanë lejuar ndërtime të ngjashme me atë në Vlorë. Selektiviteti dhe politizimi është mëse i qartë. Kompleksi “Jon” përbën një metaforë të abuzimit dhe ndoshta për këtë edhe duhej prishur, por jo ashtu siç zgjodhi të bënte Rama. Në det e buzë detit, me leje e pa leje, janë ndërtuar me dhjetëra objekte, një pjesë e të cilave janë në pronësi të politikanëve e njerëzve pranë kryeministrit Rama. Nëse do të niste të paktën me prishjen e njërës prej tyre, nëse do të kërkonte të paktën ndjesë për ndërtimet që ai vetë lejoi në Tiranë mbi lulishte, monumente e qendra historike, premtimi i tij për ligjshmëri e miradministrim të territorit do të fitonte një fije besueshmëri. Por Rama nuk u shqetësua për t’i gjetur mbulesë morale dhe ligjore aksionit të tij. E nisi si ndërtim pa leje duke e rrethuar dhe e prishi si ndërtim me leje duke e shpronësuar, për të nuk kishte shumë rëndësi. I rëndësishëm ishte fakti që me këtë aksion implikohej opozita, largohej vëmendja nga dështimet e qeverisë dhe shuhej etja e militantëve për ndëshkim. Në këtë mënyrë nuk u bë kurban vetëm një pallat, por u bë kurban edhe besueshmëria e qeverisë në të ashtuquajturën luftë në emër të ligjshmërisë. E njëjta situatë po përsëritet edhe në rastin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami. Investimi personal dhe nxitimi emocional i kryeministrit në këtë çështje, e bën edhe atë shumë pak të besueshme si një akt në emër të antikorrupsionit. Nëse do të ishte vërtet një veprim i sinqertë dhe i pandikuar politikisht, padia mund të ishte bërë pa zhurmë, bujë e kamera televizive. Ministrja e Mbrojtjes mund të kishte nxjerrë një njoftim apo maksimumi të dilte para kamerave në zyrën e saj. Dalja në selinë e kryeministrit, nxitimi i këtij të fundit për të kërkuar si prokuror popullor në facebook ndëshkimin (dhe jo hetimin e paanshëm siç do të bënte çdo kryeministër normal) e Arben Imamit, nxjerr zbuluar nevojën e qeverisë për kurban dhe jo vullnetin serioz për të luftuar korrupsionin. Për t’u bërë i besueshëm në këtë drejtim, Edi Rama përsëri do të duhej ta fillonte nga vetja ose nga aleatët e tij, për të cilët dikur ka përsëritur të njëjtat akuza si për Imamin e ka kërkuar publikisht të ndëshkohen. Arben Imami mund të jetë fajtor ose jo, këtë e vendos gjykata, por ai nuk është pëlhura ku Edi Rama mund të vizatojë portretin e tij si lideri i ri që po lufton korrupsionin. Përkundrazi, e bën të pabesueshëm angazhimin e tij në këtë drejtim. Një kryeministër që ka akuzuar paraardhësin për ndërhyrje në drejtësi dhe për protagonizëm në çdo drejtim, duhet të paktën të heshtë dhe të sillet si burrë shteti për të fituar besueshmëri në aksionet e tij. Deri tani nuk po arrin ta bëjë këtë, ndaj për natën e Vitit të Ri e vetmja gjë që do të serviret janë kurbanet dhe spektakli. Si një ushqim për premtimet e pambajtura.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here