Home Armand Shkullaku Rama- Thaçi, një shfaqje në Prizren

Rama- Thaçi, një shfaqje në Prizren

878
0

Nëse do të kishte qenë kryeministër disa vite më parë, Edi Ramës do t’i duhej që këtë të shtunë të kalonte ose nga Maqedonia, ose nga rruga e vjetër e Kukësit për të mbërritur në Prizren. Por ai do të jetë atje në më pak se dy orë, falë rrugës për të cilën nguli këmbë vazhdimisht se nuk ishte një prioritet i Shqipërisë dhe se ato para mund të ishin investuar diku tjetër ku qytetarët shqiptarë kishin më shumë nevojë. Megjithatë, sot që është kryeministër ai do të takohet me Hashim Thaçin me premtimin e madh se këtë rrugë dhe shumë mundësi të tjera që janë krijuar, do t’i përdorin në afrimin e shqiptarëve dhe përmirësimin e jetës së tyre. Dhe se ky angazhim i tyre do të jetë një prioritet. Të shtunën pra, dy kryeministrat kanë vendosur të bëjnë një mbledhje të përbashkët të dy qeverive. Simbolika e këtij takimi është e fortë. Ai do të mbahet në shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, është i pari i këtij lloji e për rrjedhojë mëton epitetin historik. Nga skenari gjithçka duket e studiuar që sfondi para të cilit do të pozojnë dy kryeministrat të jetë i denjë për librat e historisë. Por historia veç fotove ka nevojë edhe për akte, e këto do të jenë prova e vërtetë se çfarë vlere do të ketë në të ardhmen kjo mbledhje e parë e qeverive të Tiranës dhe Prishtinës. Zakonisht, përpjekja për t’i dhënë një nisme përmasa dhe peshë shumë më të madhe se çka ajo përmban në të vërtetë, çon në dyshime të forta mbi qëllimet pse ajo është ndërmarrë. E në këtë rast dyshimi kryesor ka të bëjë me përdorimin e simboleve kombëtare dhe lëshimin e premtimeve të mëdha thjesht për kapital politik dhe elektoral nga dy kryeministrat. Shija e ahengut alla turka me vëlla Erdoganin, po në qytetin e Prizrenit, është ende e freskët. Fakti që deri më tani është menduar më shumë për anën figurative të takimit dhe jo për ndonjë projekt konkret për të cilin shqiptarët do të duhej të informoheshin më parë, të bën të mendosh se Rama dhe Thaçi kanë patur prioritet takimin në vetvete dhe jo produktin e tij. Ata synojnë të prodhojnë një lajm të madh pa patur një plan se çfarë do të bëjnë më pas. Problemi më i madh për shqiptarët në të dyja anët nuk është nevoja për ndonjë lidhje apo besëlidhje si ajo e 100 e ca viteve më parë, as betimet e përbetimet se jemi një apo se do bashkohemi në Europën e Bashkuar. Këtë moment historik shqiptarët e kanë kaluar dhe afrimi mes tyre ka ndodhur. Ndarja ka rënë, njohja është më e madhe, hapësira e përbashkët fizike, mendore e shpirtërore zgjerohet dita-ditës e njerëzit po fitojnë ndjesinë se jetojnë në të njëjtin vend. Simbolika patriotike, qoftë edhe e nënkuptuar, në diskursin e politikanëve tingëllon sot e panevojshme, e tejkaluar dhe butaforike. Shtëpia e Lidhjes së Prizrenit, ku dy burra do i japin dorën (besën) njëri-tjetrit duket tepër folklorike pavarësisht moshës së personazheve. Ajo që shqiptarët kanë nevojë, më shumë sesa një show patriotik, është lehtësimi nga ana e dy qeverive i një procesi që ata vetë e kanë ndërmarrë veçanërisht 4-5 vitet e fundit. Afrimin mes tyre ata po e bëjnë vetë dhe qeveritë përkatëse duhet të mos vënë pengesa në mes, por të krijojnë kushtet që do të përshpejtonin një fenomen që tashmë ka marrë udhë. Me interes për qytetarët e dy vendeve do të ishte të dinin nga dy qeveritë nismat konkrete në drejtim të përmirësimit të gjendjes dhe afatet e realizimit të tyre. Nëse Edi Rama dhe Hashim Thaçi do të arrinin të realizonin diçka në këtë drejtim, shqiptarët do të ishin të kënaqur edhe nëse ata komunikonin me skype dhe nuk merrnin rrugën deri në Prizren. Është pikërisht tendenca për show politik dhe skenografia e takimit të së shtunës që e komprometon qëllimin e mbledhjes mes dy qeverive. Qeveritë mund të ishin takuar edhe në Tiranë ose Prishtinë, sepse më me rëndësi janë vendimet që ato marrin se sa vendi ku i marrin. Rama dhe Thaçi mund t’i shtrëngonin duart edhe në ndonjë fshat të veriut ku mbillen patate, sepse simboli i patateve të bllokuara në doganë është sot më domethënës sesa ecja e udhëheqësve në oborrin e shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit. Sepse njerëzit presin një zgjidhje për pataten, për rrushin, për materialet e ndërtimit e prodhimet e tjera që prej vitesh janë peng i politikave amatore fiskale mes dy vendeve. Qeveria e Tiranës vendosi të japë 100 mijë euro për një maternitet në Luginën e Preshevës dhe mirë bëri, por a ka një plan konkret për të ndërtuar spitale të përbashkëta Shqipëri- Kosovë për të administruar më mirë fondet dhe mjekët e që shqiptarët mos marrin rrugët për Shkup e Turqi? Po universitete të licencuara nga komisione të përbashkëta a mund të krijohen? Kur do të ngrihet një qendër e madhe distribucioni në afërsi të Morinës për të gjitha prodhimet e mallrat që qarkullojnë mes dy vendeve? Po me energjinë, taksat, investimet e përbashkëta çfarë do të ndodhë vitin e ardhshëm mes Shqipërisë dhe Kosovës? A do të ketë lehtësira për ata që investojnë në dy vendet, që promovojnë prodhimin vendas, që rrisin turizmin, etj? Këto nuk janë pyetje që shtrohen vetëm për takimin e së shtunës mes dy qeverive. Këto janë çështje që prej vitesh shqetësojnë realisht qytetarët që shohin mundësi të mëdha në afrimin mes tyre dhe boshllëk po aq të madh në aftësinë e politikanëve për t’i trajtuar ato. Shenjat janë që edhe të shtunën në Prizren angazhimet qeveritare të mbeten në kufijtë retorikë. Rama dhe Thaçi do të mundohen secili për vete të përfitojë kapital politik nga një show mediatik që do të transmetohet live në Tiranë e Prishtinë. Kryeministri Thaçi ka nevojë për kredite patriotike për zgjedhjet e ardhshme. Shqiptarët e Luginës së Preshevës, pavarësisht se nuk përmenden në asnjë rresht të marrëveshjeve mes Prishtinës e Beogradit, janë vënë me mjeshtëri në qendër të mbledhjes së të shtunës për të dëshmuar shqetësimin patriotik të dy qeverive për fatin e tyre. E nëse Thaçit i duhet një kartë shqiptarizmi për ta luajtur në skenën politike vendore, kryeministri Rama është në kërkim të një tjetër kapitali. Pas dështimit të marrëveshjes me SHBA për asgjësimin e armëve kimike siriane, ai po tenton dëshpërimisht të dëshmojë dimensionin e një lideri jo thjesht lokal. Nëpërmjet Kosovës, Luginës apo ftesave për të përfshirë në takime simbolike edhe shqiptarët e Maqedonisë e Malit të Zi, Edi Rama përpiqet të fitojë një peshë rajonale dhe të faktorizohet kështu tek partnerët strategjikë të Shqipërisë. Por një lider i vërtetë provohet në momente të vështira kur duhet të marrë vendime dhe Rama ka mbetur në këtë provim. Problemi i Thaçit brenda dhe ai i Ramës jashtë padyshim që reflektohen në takimin e së shtunës në Prizren, duke e rritur më shumë dyshimin në efikasitetin e një nisme të tillë. Megjithatë të presim e të shohim, një gjë e kemi të sigurt: spektakli nuk do të mungojë.

Nga Gazeta “Mapo”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here