Prel Pjetrushi duhet të ishte arrestuar dhe të jepte llogari para drejtësisë për krimet e kryera dhe jo të gradohej major”. Kryekomisari Mit’hat Havari, ish-drejtor i Policisë së Shkodrës, është njeriu që ka firmosur përjashtimin e Pjetrushit nga radhët e policisë, pasi sikurse thekon “Pjetrushi dhe banda e tij dogjën Shkodrën”. Në një intervistë për “GSH”, Havari, emër mjaft i lakuar dhe jo pak i sulmuar, rrëfen përplasjet me ish-vartësin, Prel Pjetrushin, njeriun që vëllezërit Admir dhe Genc Tafili, e akuzojnë si përgjegjës për fatkeqësitë e familjes së tyre dhe si autor të vrasjes së babait Bahri Tafili. Në një postim në “Facebook”, Havari e quan “kryekriminel që dogji Shkodrën”. Ndërkohë, për “GSH”, Havari, shprehet se dosja e Arben Zylyftarit, ka vend për tu riparë sërish dhe drejtësia duhet ta thotë fjalën e saj.
Z.Havari, në një status në FB ju reaguat ashpër për intervistën që Prel Pjetrushi dha për “GSH” ku për herë të parë foli për vrasjen e kolonel Arben Zylyftarit. Përse ky reagim?
Mu kujtuan kohët e tmerrshme kur kam qenë drejtor i Policisë në Shkodër. Ka qenë pikërisht Prel Pjetrushi, njeriu që më ka tronditur gjatë kohës që ushtroja këtë detyrë. Pas kryerjes së detyrës së suksesshme, si drejtor i Policisë në Qarkun e Beratit, kryeministri i kohës Fatos Nano, më emëroi Drejtor Policie në Shkodër, pasi në këtë rreth krimi kishte zënë terren. Bëhet fjalë për vitin 1998. Unë e kam marrë këtë detyrë në fillim të muajit shkurt. Për t’i dhënë rëndësi emërimit tim, ai urdhëroi ministrin e Brendshëm Neritan Ceka, të më bënte prezantimin para strukturës së drejtorisë së policisë atje. Në kohën që Neritan Ceka ishte duke folur rreth meje, filloi një zhurmë në rresht dhe zëri kryesor ishte i një prej efektivëve, që më pas do ta identifikoja si Prel Pjetrushi. Ky person reagoi për emërimin tim si drejtor në Shkodër. Filloi të bënte zhurmë në rresht, duke i thënë ministrit se “nuk jemi dakord me këtë emërim”. Ministri Ceka e mbylli mbledhjen. Unë u shqetësova, pasi nuk kisha futur ende këmbët në zyrën time. Fillova detyrën në mënyrë korrekte në zbatimin e ligjit dhe vendosjen e rendit në Shkodër. Mora informacion nga zyrtarë të lartë të policisë atje, që këtu në Shkodër, është situatë e rëndë, pasi Prel Pjetrushi, me persona të tjerë kanë ushtruar dhunë dhe terror dhe mbi dy drejtorë të tjerë, që ishin emëruar në detyrën që unë mbaja, por që më pas ishin larguar pikërisht prej këtij presioni. Kur unë e pashë në televizor Pjetrushin që dialogonte me gazetaren, menjëherë vendosa të reagoj në mënyrën time në faqen e FB, ku të shprehja indinjatën time që ky person, me gjithë atë veprimtari terrori që ka ushtruar në policinë dhe qytetin e Shkodrës, vazhdon të jetë i lirë.
Ju firmosët shkarkimin nga detyra të Pjetrushit. Cili ishte motivacioni?
Rregulli im është që e fus gjithë strukturën në punë, nuk punonte. Nën terrorin e armëve dhe të dhunës, kishte krijuar një frymë terrori dhe askush nuk i kërkonte llogari. Mesa duket mënyra e të drejtuarit tim i krijoi probleme, e bëri të ndihet i pasigurt. Fundi i kësaj marrëdhënieje të shkurtër, por konfliktuale me këtë njeri, ishte kur u fut me dhunë në zyrë bashkë me grupin e vet, duke më kërcënuar. “Duhet të ikësh nga Shkodra. Nuk të njohim ne për drejtor policie”. Bënë presione të kësaj natyre. U trondita dhe vendosa në moment lirimin e tyre nga detyra.
Pasi ju u larguat nga detyra, pati ndonjë reagim nga ana e Prel Pjetrushit?
Natyrisht pati reagim, me fyerje dhe sharje. Kërcënime verbale, duke më thënë se do të vrasim, do të zhdukim, siç kërcënojnë banditët.
Sa kohë pas përplasjes me Pjetrushin dhe shkarkimin e tij ju e ushtruat detyrën e drejtorit të Policisë së Shkodrës?
Shkarkimi i Pjetrushit nga ana ime, erdhi në ditët e para të emërimit si drejtor i policisë së qarkut. Unë e ushtrova këtë detyrë dhe afro dy muaj më vonë, por data e largimit nuk më kujtohet.