Home Aktualitet Prençi gjobit shefin e komisariatit të Bulqizës

Prençi gjobit shefin e komisariatit të Bulqizës

630
0

Drejtori i Policisë së Qarkut Dibër, Shemsi Prençi mes shkresave skandaloze pa numër protokolli e gabime trashanike, ka dhënë masa disiplinore për shefin e Komisariatit të Bulqizës Rakip Hoxha, shefit të rendit Preni Kushta dhe shefit te krimeve Embro Zholi.
Kjo formë hakmarrjeje e Prençit erdhi vetëm pak ditë pasi ky i fundit mori përsipër rolin e një task-force kur mblodhi në takim në mënyrë të selektuar biznese të licencuara të kromit në vend të atyre të palincencura, të cilat ka dhe detyrim ligjor për ti kontrolluar, duke anashkaluar totalisht komisariatin e Bulqizës.

Gazeta Shqiptare dhe News24, zbuluan dokumente origjinale dhe të pakontestueshme mbi penalizimet që u janë bërë këtyre autoriteteve por dhe gafat skandaloze në formulimin zyrtar të shkresave me të cilat këta titullarë janë vënë në dijeni të këtyre masave. Në këtë dokument që përbën raportin përfundimtar të masës disiplinore ndaj një titullari të sipërpërmendur policie shënohet data e marrjes së vendimit por mungon numri i protokollit, një detyrim ligjor për çdo shkresë zyrtare.

Në nisje të shkresës shënohet çuditërisht data 12 mars, por viti është ai i shkuari, pra 2011, ndërkohë që shkresa duket se i takon këtij viti. Duke parë me tej muaji ku tentohet të sqarohet se kur është kryer një analizë mujore për të cilin ky zyrtar është ndëshkuar është thuajse i padukshëm. Duke e parë imtësisht dyshojmë se është muaji maj i cili ende s’ka mbërritur, e nëse i referohet të shkuarit, Prençi sqarojmë se ka vetëm 1 muaj në këtë detyrë. Te një shkresë tjetër që përbën vendimin e masës disiplinore sërish mungon numri i protokollit por jepet edhe këtu vetëm data.

Dhe në pikën 4 të kësaj shkrese, një tjetër absurditet, thuhet; Vendimi hyn në fuqi në datën e protokollimit, por shkresa nuk ka fare numër protokolli. Absurditeti arrin kulmin kur shënohet data e njoftimit 33 mars i këtij viti. Në një shkresë tjetër pikërisht në njoftimin që bëhet për masën disiplinore shkruhet data 16/3/2012, ditën që drejtori Prenci mblodhi bizneset e licencuara. Aktualisht prej dy ditësh, krimi ekonomik në Bulqizë dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë po kryejnë kontrolle në Qafë Buall të Bulqizës, në bizneset e sektorit të kromit, pa dijeninë e policisë lokale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here