Duket se veprimtaria e pesë të rinjve është zbuluar edhe në sajë të “pakujdesisë”, pasi sipas Policisë së Gjirokastrës, veprimet me qëllime terroriste të tyre janë pasqyruar edhe në rrjetet sociale.
Dyshohet se grupi funksiononte në mënyrë të organizuar si shenjë hakmarrjeje në lidhje me operacionin e drogës që u zhvillua verën e kaluar në këtë fshat. “Nga hetimet e kryera është konfirmuar se motivi i këtyre ngjarjeve është i lidhur me veprimtarinë policore të goditjes së elementëve kriminalë gjatë operacionit policor “Lazarati 2014″. Tërësia e veprimeve kriminale e autorëve formëson gjithashtu elementë të figurës së veprës penale të kryerjes së “veprimeve me qëllime terroriste”, veprime të pasqyruara edhe në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Policisë.
Blutë u kanë adresuar të rinjve lazaratas, të cilët rezultojnë me precedentë penalë, një sërë ngjarjesh kriminale të ndodhura në ditët e fundit. Personat e shpallur në kërkim janë shtetasit Arbion Aliko 20 vjeç, Alban Aliko 18 vjeç, Viktor Aliko 20 vjeç, Thimjo Ceka 20 vjeç dhe Bervin Basho 22 vjeç. Sipas Policisë, ata janë përgjegjës për tri ngjarje që kanë lidhje me Hysen Bejkajn, babai i kreut të PD-së në Gjirokastër, Roland Bejkaj. Në muajin gusht 2014, ata i kanë djegur atij kasollen e bagëtive në lagjen “Kordhocë” të Lazaratit. Disa muaj më pas, më 17 mars 2015, në oborrin e pasmë të banesës së Hysen Bejkajt është gjetur një kallëp i dyshuar si lëndë eksplozive i pashpërthyer, si dhe një fitil zjarrpërcjellës.
Pesë ditë më pas, po në banesën e Hysen Bejkajt, është hedhur një sasi lënde eksplozive ku si pasojë e këtij shpërthimi janë dëmtuar porta kryesore e hyrjes, si dhe xhamat e derës së shtëpisë. Policia bëri të ditur se këta shtetas dyshohen edhe si autorë të ngjarjes së ndodhur më 10 mars, në vendin e quajtur Ura e Kordhocës në fshatin Lazarat, ku është dëgjuar një shpërthim. Pas veprimeve në vendin e ngjarjes rezultoi se sasia e lëndës eksplozive ishte vendosur në afërsi të kësaj ure.
Një tjetër ngjarje e adresuar pesë të rinjve lazaratas të shpallur në kërkim është ajo e ndodhur më 17 mars, kur punonjësit e policisë u qëlluan me armë. Policia bëri të ditur se rreth orës 20:30 në lagjen “Lenxat” të Lazaratit, nga automjeti tip “Mistubishi” me targa KO 7793 B, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të punonjësve të Policisë, të cilët kryenin shërbim në atë zonë. Dy ditë më pas, po në Lazarat është vendosur lëndë eksplozive në shtyllën mbajtëse të një shtylle elektrike, duke u shkaktuar dëmtime.
Po këta shtetas, sipas Policisë, kanë vendosur lëndë shpërthyese më 22 mars në vendin e quajtur ish-Pularia, në verandën e banesës së Agron Totos, ku u shkaktuan dëme të konsiderueshme. Një orë pas kësaj ngjarjeje, policia konstatoi sërish lëndë plasëse në oborrin e shtetasit Ferdi Dajlani. Nga veprimet hetimore në vendngjarje u konstatua se fitili zjarrpërcjellës ishte ndezur në skajin e tij, por shpërthimi nuk ishte realizuar dhe si rrjedhojë nuk janë konstatuar dëme materiale.
AUTORET E DYSHUAR
1. Arbion Adil Aliko, i datëlindjes 28.12.1995, lindur dhe banues në Lazarat, Gjirokastër, person me precedent kriminal i cili rezulton i shpallur në kërkim që prej datës 22.06.2014, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve” parashikuar nga nenet 283 dhe 278 i K. Penal.
2. Alban Adil Aliko, i datëlindjes 25.11.1997, lindur dhe banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër, person me precedent kriminal i cili rezulton i shpallur në kërkim që prej datës 21.08.2014, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarave dhe municioneve” parashikuar nga neni 278/4 i K. Penal.
3. Viktor Xhemil Aliko, i datëlindjes 14.09.1990, lindur dhe banues në Lazarat, Gjirokastër, person me precedent kriminal i cili rezulton i shpallur në kerkim që prej datës 13.11.2014 pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër ka vendosur ndaj tij masën e sigurimit personal “Arrest me burg”, për veprat penale “Shkatërrim i pronës i kryer në bashkëpunim”, “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme, në b/punim” dhe “Kundershtim i punonjësit të policisë së rendit në b/punim” parashikuar nga nenet 150/25, 236/2 dhe 262/2 te K.Penal.
4. Thimjo Irakli Ceka, i datëlindjes 30.07.1995, lindur në Përmet dhe banues në Gjirokastër, i dënuar më parë për vjedhje, person i shpallur në kërkim më datë 20.03.2015, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje e punonjësve të policisë e kryer në bashkëpunim e ngelur në tentativë” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municioneve” parashikuar nga nenet 79/b, 25 e 22 dhe 278/4 i K. Penal.
5. Bervin Kastriot Basho, i datëlindjes 24.12.1993, lindur dhe banues në Lazarat, Gjirokastër, person me precedent kriminal i cili rezulton person i shpallur në kërkim që prej datës 17.03.2015, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje e punonjësve të policisë e kryer në bashkëpunim e ngelur në tentativë” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municioneve” parashikuar nga nenet 79/b, 25 e 22 dhe 278/4 i K. Penal.