Home Politike Meta: Braho i ka treguar Berishes video ku eshte perfshire Shkelzeni

Meta: Braho i ka treguar Berishes video ku eshte perfshire Shkelzeni

128
1

meta-babaramoSpartak Braho i ka treguar Berishës në zyrën e tij dy video në të cilat ka qenë i përfshirë edhe Shkëlzeni dhe akuzat që kam bërë nga salla e Kuvendit kanë qenë një mesazh i qartë për doktorin.

Kështu ka deklaruar Ilir Meta në intervistën e dhënë për Ilir Babaramon në emisionin “5 pyetje nga Babaramo.

Meta theksoi se fjalët e tij në Kuvend adresuar ish kryeministrit Berisha ishin një mesazh i qartë i arsyes se përse ai kishte dhënë dorëheqjen katër vite më parë dhe përse nuk do ta japë sërish.

Ndërkohë referuar ngjarjeve të fundit të vendosjes së tritoleve në vend, Meta tha se këto janë ngjarje me prapavijë politike dhe se bëhen qëllimisht për të krijuar tensione. “Ka një prapavijë politike me thënë të drejtën, kjo sepse para pak ditësh kemi parë në Fushë-Krujë se flamuri i kujt partie ishte në ata që i kapën. Ka një lloj taktike për të krijuar një lloj pasigurie në vend, duan të krijojnë alarme të paqena. Nuk duan të luftojnë krimin, por godasin policinë e ministrinë” – tha Meta.

Intervista e plotë e Ilir Metës

Doja ta nisnim bisedën me këmbënguljen e PD-së që kërkon dorëheqjen tuaj nga posti i Kryetarit të Kuvendit për t’i hapur rrugë të lirë hetimit. Pasi pretendohet se qenia juaj si Kryetar të Kuvendit është një lloj trysnie që i bëhet drejtësisë për të mos zbardhur akuzat e deputetit Tom Doshi. A keni ndërmend ta jepni dorëheqjen?
Është e vërtetë që prej tre javësh kërkohet dorëheqja ime nga ana e opozitës dhe kjo është një e drejtë e saj. Jo vetëm kaq, por ajo po të ketë mundësinë ta kërkojë edhe tre vitet e ardhshme deri në përfundimin e mandatit tim të plotë si Kryetar i Kuvendit. Ajo që unë mund të bëj për opozitën në fakt e kam bërë që në minutën e parë që më ka ardhur një kërkesë për shkarkimin tim e firmosur nga 22 deputetë të opozitës, të cilën nuk e kam futur në sirtar, përkundrazi e kam firmosur menjëherë dhe kam qenë i hapur që me këtë kërkesë të fillojë rendi i ditës së seancës plenare. Më shumë se kaq nuk mund të bëj për opozitën.

Po protestat që bëhen çdo ditë sa në hyrjen e Kryesisë së Kuvendit ashtu edhe jashtë sallës së seancave plenare, a ndikojnë në punën e tuaj, pra në drejtimin e Parlamentit? Kam parasysh faktin se dy seancat e fundit nuk kanë qenë normale. E parafundit zgjati vetëm 12 minuta, ndërsa në seancën e fundit ju nuk ishit…
Gjatë një viti e gjysmë mund të jetë pasur 2-3 seanca normale në Parlament, kryesisht kur nuk ka qenë prezent Doktori. Çdo seancë tjetër ka qenë anormale po të kemi parasysh mënyrën se si është shpërdoruar edhe toleranca nga ana e mazhorancës në respektimin e të drejtave të opozitës. Pra, çdo lloj anormaliteti ka të bëjë me sjelljen e opozitës dhe ajo që ne mund të bëjmë në maksimum, është që ta respektojmë brenda të gjitha të drejtave që i takojnë, ta tolerojmë edhe përtej këtyre të drejtave, por nuk mund të na kërkojnë t’i llastojmë, sepse kjo nuk është një përgjegjësi e jona.

Sigurisht e keni lexuar kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme që kërkon autorizimin për të arrestuar dy deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku. Në materialin prej 7 faqesh, a ju duket bindës ku material, a ju duket shterues? A i jepet përgjigje të gjithë pyetjeve për gjithçka ka ndodhur?
Ndoshta nuk do ta besoni, por nuk kam pasur mundësi që ta lexoj materialin dhe relacionin, sepse nuk kam ndonjë kuriozitet shumë të madh për këtë histori. Kurioziteti është shuar me kohë. Natyrisht qytetarët mund të kenë kuriozitet për arsye se për ata fillimisht ka qenë si një ngjarje shumë e çuditshme, por tani është bërë mëse groteske pavarësisht nga një “background” i qartë kriminal që ka të bëjë me disa vepra penale. Por nuk e kam lexuar, sepse nuk besoj se është detyra ime dhe madje e çdo deputeti për të ndërhyrë dhe për të bërë një analizë të punës së Prokurorisë. Ky është qëndrim parimor, ndihmohet procesi i hetimit, duke pranuar një kërkesë të prokurorisë, ose nuk ndihmohet, ky është thelbi i këtij qëndrimi mendoj unë.

Kur pritet të dalë me një vendim Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin dhe kur pritet të shqyrtohet kjo çështje në seancë?
Mesa jam i informuar nga z. Dule, ditën e mërkurë pasdite Këshilli do të shprehet. Se kur mund të kalohet në seancë nuk mund ta them me siguri, sepse etapat duhet të ezaurohen një nga një.

Pritej që në mbledhjen e parë të merrej një vendim, por ka pasur disa shtyrje deri tani, për shkak të kërkesës së Doshit dhe më pas të PD-së. Si i gjykoni ju këto?
Nuk dëshiroj të hyj në këtë çështje, sepse e shikoj si çështje procedurale. Në fund fare qëndrimi është i qartë: ekziston vullneti i Parlamentit dhe i deputetëve për të ndihmuar procesin, duke mbështetur një kërkesë të Prokurorisë ose jo.

Tani që kanë kaluar tre javë nga fillimi i kësaj historie dhe disa pyetje kanë nisur të marrin përgjigje, a e pyesni veten “përse më akuzuan mua”?
Nuk mendoj se dua ta pyes veten për këtë gjë shumë, pasi besoj se përgjigja është e qartë dhe kjo përgjigje në mënyrë akoma më të qartë do të jepet në zgjedhjet e 21 qershorit. Por sigurisht që kjo është një çështje që i takon Prokurorisë që ta zbardhë dhe ajo po merret me këtë proces.

Paraardhësja juaj, znj. Topalli ka deklaruar se kjo mbledhje e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin konsiderohet nul, sepse sipas saj, rregullorja e përcakton se duhet drejtuar nga Kryetari i Kuvendit. dhe nëse nuk drejtohet prej jush çdo vendim i kësaj mbledhjeje është nul…
Jo vetëm kaq, por jam i bindur se çdo seancë plenare që nuk drejtohet nga ajo mund të konsiderohet si nul. Unë besoj se procedura është shumë e qartë dhe po ecën shumë mirë.

Si deputeti Doshi ashtu edhe avokatët e tij deklarojnë se kërkesa e Prokurorisë për arrestim është politike dhe lë qartë të kuptohet se duke e akuzuar se ka bërë dëshmi të rreme, kërkesa për ta arrestuar është proporcionale,sepse një njeri që bën një dëshmi të rreme nuk është ndonjë krim kushedi se çfarë i rëndë, sipas tij?
Nuk mund të bëj komete të tilla. Kjo është një çështje që i takon prokurorisë dhe nuk mund të ndërhyj në kompetencat e prokurorisë.

Z. Berisha e ka paragjykuar punën e Prokurorisë?
Doktori…

Po Doktori. E ka konsideruar se po vepron nën presion politik duke qenë se si Kryeministri, si Kryetari i Kuvendit, si Ministri i Brendshëm janë të përfshirë në këtë ngjarje direkt apo indirekt duke ushtruar presion mbi Prokurorinë nuk mund të zbardhet e vërteta dhe duhet hetim ndërkombëtar…
Në këtë telenovelë janë të përfshirë shumë persona dhe ju besoj se e dini se edhe një nga dëshmitarët e thërritur nga Prokuroria është edhe kunati i Doktorit, z. Agim Rama, për të cilin e theksoj përsëri se kam respekt dhe ndoshta nuk është faji i tij që ka qenë klient i këtij lokali të famshëm ku bëheshin gjoja gjithë këto komplotet. Dhe natyrisht që Doktori ka të drejtë të bëjë çdo deklaratë dhe çdo akuzë për presione politike që mund t’i bëhen Prokurorisë, por hetimet nuk ecin sipas tablosë sinoptike që ai ka përvijuar prej kohësh. Dhe natyrisht që ai nuk i quan presion ndaj Prokurorisë gjithë këto protestat, shantazhet që përpiqet të bëjë për të ndikuar hetimet sipas interesit të tij politik. Doktori tashmë është i famshëm për dy standardet e tij në të gjitha drejtimet.

Tashmë ju si e shikoni punën e Prokurorisë në këtë çështje?
Nuk dëshiroj që të prononcohem për këtë çështje, por e kam bërë të qartë që në fillim që kam qenë i gatshëm për të bashkëpunuar me Prokurorinë meqenëse është përmendur emri im, dhe për këtë arsye i jam përgjigjur kësaj thirrjeje të Prokurorisë. Jo vetëm kaq, por ia kam bërë të qartë Prokurorisë dhe më pas edhe për opinionin publik pasi kam dalë nga Prokuroria, që kam qenë i gatshëm në rast se Prokuroria do ta gjykonte të domosdoshme për të bërë edhe ballafaqime me z. Berisha që ka qenë një ndër akuzuesit kryesorë dhe me të gjithë zotërinjtë e tjerë për këtë çështje. Dhe sikurse e dini në Prokurori, kanë vajtur edhe pothuajse të gjithë personat e përmendur, edhe nga deputeti në fjalë, ka vajtur bashkëshortja ime, ka vajtur babai im 72 vjeç.

Ka vajtur edhe babai juaj?
Po, patjetër ka vajtur babai im. Pasi i dështoi skenari me vrasjen nga Fushë-Kruja, ishte bërë gati vrasësi nga Skrapari, z. Petrit Çinari, i cili doli edhe që ishte me kartelë klinike, me probleme mendore, por dhe jo fare pa mend, sepse ndërkohë bashkëshortja e tij doli që kishte marrë një apartament falas si dhuratë nga personi që ky do të vriste për llogari të babait tim. Kështu kjo është gjithë historia.

Jam kurioz, e keni pyetur babanë pasi doli nga prokuroria se çfarë e pyetën, çfarë tha?Si e përjetoi ai vetë?
Jo, nuk e kam pyetur, nuk kam patur mundësi ta takoj.

Po të paktën e keni pyetur si e ka përjetuar gjithë këtë ngjarje sepse në moshën e tij nuk është kaq e lehtë që dikush të thotë: “Shiko se ke porositur një vrasje”?
Shiko, mosha e tij, është mosha e Doktorit pak a shumë, janë mësuar me këto procese, me këto grupe, sabotime. Kanë kaluar shumë grupe armiqësore, kështu që nuk besoj se është edhe diçka fare…. Ndoshta për këta të rinjtë mund të jetë më e vështirë për të kuptuar, për t’u orientuar se çfarë po ndodh. Këtyre u kanë kaluar këto gjëra me kohë.

Si z. Berisha ashtu e dhe z. Doshi i konsiderojnë hetimet e Prokurorisë jobindëse dhe kërkojnë një hetim ndërkombëtar. Ju si mendoni, a duhet një hetim ndërkombëtar apo çështja tashmë është e ezauruar nga drejtësia shqiptare?
Kam përshtypjen se hetimi ndërkombëtar për këtë çështje ka përfunduar me kohë, megjithatë është e drejta e tyre të kërkojnë çfarë të duan. E gjithë interesantja e kësaj çështje është që më në fund Doktori e mësoi rrugën e Prokurorisë. Kjo mendoj se është pozitive.

Thatë që ka pasur hetime ndërkombëtare. Nuk jemi në dijeni, çfarë hetimesh ndërkombëtare ka pasur?
Sipas mendimit tim.

E keni fjalën për deklaratat e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës?
Unë dhashë një mendim tim, kaq nuk kisha ndërmend që të komentoja asgjë tjetër.

E lini pezull?
Hetim ndërkombëtar për Petrit Çinarin, të shkojnë të kontrollojnë klinikën nëse është atje kartela për problemet mendore. Të shkojnë të verifikojnë apartamentin, të shkojnë të verifikojnë gjëra të tjera që ndodhen në emrin e këtij personi dhe të tjerë.

Ndërkohë, Prokuroria kërkon dhe arrestimin e Mark Frrokut. Z. Berisha në një nga ato postimet e tij të shpeshta në Facebook thotë se pritet një kërkesë ose ka ardhur më saktë një kërkesë nga Belgjika për ekstradimin e tij, për një krim të kryer në…
Do i ketë vajtur Doktorit kjo. Ai s’na e kanë dhënë ne, kështu që mbetet një e dhënë ekskluzive për Doktorin.

Pra, nuk keni ndonjë dokument nga prokuroria lidhur me deputetin Frroku?
Do të kenë ngatërruar adresën. Mendojnë se akoma Doktori është Kryeministër dhe do t’ia kenë çuar atij. Doktori po të ketë ndonjë kërkesë të tillë le ta kalojë këtë nga Kuvendi ose ta kalojë nga z. Rama.

Pse kanë dhe komunikim të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin?
Për të çuar përpara drejtësinë. Për t’i shërbyer drejtësisë.

Gjithnjë duke iu referuar si z. Doshi ashtu edhe z. Berisha, të dy thonë se ju keni dërguar deputetin Spartak Braho në Hanover të Gjermanisë për të manipuluar një nga dëshmitarët kyç të kësaj çështje. Si është e vërteta? A ka qenë z. Braho në Hanover në Gjermani?
Kjo është një pyetje që duhet t’ia bëni z. Braho. Së dyti, z. Braho është njeri në moshë madhore, ka pak a shumë moshën e Doktorit. Kështu që merr gjithë përgjegjësitë për veten e tij. Unë pasi është bërë kjo zhurmë e kam pyetur dhe më ka thënë që ka parë një ndeshje të Hanoverit me Bajernin atë ditë. Për çështjet e tjera, t’i drejtohen drejtësisë. Z. Berisha dhe cilido tjetër që është i interesuar për itinerarin e tij, ashtu sikurse në qoftë se janë të interesuar edhe për itinerarin tim për në Milano, për ta saktësuar kam qenë dhe në Torino, përsëri të bëjnë verifikimet e tyre, t’i drejtohen drejtësisë.

Për çfarë keni qenë në Torino?
Mund të pyesni z. Vasili që ka qenë bashkë me mua meqenëse është përmendur dhe ky si komplotist.

Sot pritët në një takim, që qe pak surprizë për ne, kryeprokurorin kroat i cili ka hetuar dosjen Sanader, të ish-Kryeministrit kroat i cili u arrestua. Nga zyrat e Komisionit Evropian na thuhet se ai ka ardhur në kuadër të misionit EURALIUS për të trajnuar prokurorët shqiptar. Ju e takuat sot. A u fol për korrupsionin në nivelet e larta? U fol për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në politikën shqiptare?
Ishte një takim institucional, i cili zhvillohet do të thosha në kuadër të reformës në drejtësi dhe përvoja kroate besoj se është shumë e vlefshme në të gjitha fushat për Shqipërinë, duke qenë se është vendi i fundit anëtar i Bashkimit Evropian, por është edhe një vend pranë vendit tonë me një të kaluar relativisht të ngjashme me ne dhe me suksese të shumta në të gjitha drejtimet, edhe në drejtim të forcimit të ligjit dhe të sundimit të tij. Nuk do të hyja në gjëra më konkrete, por besoj që përvoja kroate është shumë e mirë. Askush në Shqipëri nuk duhet të ketë…

Kush jua zgjodhi këtë prokuror për të ardhur në Shqipëri?
Nuk mund ta them me saktësi, por ka qenë në axhendën time prej disa kohësh për t’u takuar me të.

Të rikthehemi sërish tek ajo që ju e konsideroni telenovelë por që qe një ngjarje për hir të së vërtetës e tronditi opinionin publik sepse kemi një deputet i cili thotë se Kryetari i Kuvendit ka urdhëruar vrasjen time. Ju jeni përgjigjur, ju dhe protagonistë të tjerë të LSI-së, që ky është një “puç i pularisë së Koplikut”, dhe në kohën kur Berisha e mori në mbrojtje këtë deputet ju thatë që Berisha “të mos ngrohë vezët e krimit”. Ndërkohë që të nesërmen kur doli verdikti i Prokurorisë ju zgjodhët për daljen tuaj të parë një kompleks shpendësh, sërish një pulari. Ishte një mesazh për ta trajtuar në mënyrë burleske?
Mendoj se përkrahja e rritjes së prodhimit vendas nga të gjitha drejtimet, edhe në këtë aspekt, dhe këtu nuk ka asgjë për të buzëqeshur, është një prioritet i padiskutueshëm dhe kjo përfshin dhe shpendarinë. Ishte me të vërtet një kompleks i mrekullueshëm, një teknologji e jashtëzakonshme. Ministria e Bujqësisë ka bërë një punë shumë të mirë për të mundësuar ekspozimin e vezëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Kompania në fjalë ka gati shumë parakontrata me partnerë të rëndësishëm ndërkombëtar dhe duhet mbështetur ky sektor, pasi e theksoj edhe një herë, në qoftë se nuk prodhojmë vezë, në qoftë se nuk prodhojmë shpendë, në qoftë se nuk prodhojmë po themi blegtori e kështu me radhë, nuk prodhojmë dot raketa. Të paktën këto t’i prodhojmë, t’i eksportojmë të mos importojmë dhe në këtë mënyrë do të hapim vende të reja pune dhe do të përmirësojmë ekonominë e vendit tonë.

Pra nuk kishte asnjë lidhje, asnjë sinjal?
Nuk besoj se duhen të politizohen këto gjëra.

Por gjithsesi një nga aksionerët e pularisë së Koplikut është z. Prifti, i cili në një nga daljet e tij publike tha se, nëse citoj saktë, “se ka pasur sinjale se edhe atë donin ta vrisnin dhe ai që donte ta vriste ishte sërish ju”. Por gjithnjë sipas z. Prifti çështja është e sqaruar. Si është e vërteta?
Unë nuk mund të them asgjë më shumë, nuk mund të bëj asnjë koment më shumë. Të gjithë që kanë shqetësime të tilla t’i drejtohen Prokurorisë. Këto problemi i zgjidh ose drejtësia ose mjekësia. Unë nuk jam as prokuror as doktor. Një doktor mund t’i zgjidh këto probleme.

E keni fjalën për Doktorin me “D” të madhe?
Këtë e thatë ju.

Marrëdhëniet tuaja me z. Prifti i ngjajnë një plage që sadopak ta gërvishtës, gjithnjë reagon…
Nuk kam asnjë problem. I kam marrëdhëniet shumë të mira me të. Ai ka kërkuar falje. Mund të pyesni z. Ndroqi, këtu afër e keni.

Ka kërkuar falje në prani të z. Ndroqi?
Po, këtu nuk ka asnjë problem.

Ju e keni marrë, ai rrëfeu që erdhi dikush…
Mund të pyesni z. Ndroqi, ta mbyllim këtë histori këtu. Të vazhdojmë në gjëra më serioze.

Pra refuzoni ti përgjigjeni kësaj pyetje?
Jo, nuk është se refuzoj, por s’kam asnjë shqetësim, asnjë problem. Të mos i marrim kohën telespektatorëve.

E qartë, por gjithsesi qëndrojmë tek z. Prifti, sepse mbaj mend në një intervistë që kam patur 3-4 vjet më parë ai ka thënë se ka bërë rreth 60 video tek ajo zyra kur ishte Ministër i Ekonomisë dhe kam përshtypjen se për shkak dhe të procedurës të cilën e dorëzoi aparatin me të cilin kishte regjistruar, e dorëzoi në Prokurori dhe për shkak të procedurës, avokatët tuaj, i bie që ti disponojnë ato video?
Të mos merremi me këto çështje. Të lutem, ky është një sektor që e mbulon z. Braho, nuk merrem me këtë sektor.

E mbulon z. Braho por ndërkohë t’i rikthemi marrëdhënieve tuaja me z. Berisha.
Me Doktorin po.

Me Doktorin po. Kur ju kërkoi dorëheqjen ju thatë se e kam dhënë një herë dorëheqjen, e kam dhënë për Shkëlzenin një herë, dhe nuk mund ta jap dy herë për Shkëlzenin dhe aluduat që kishte një video të djalit të ish-Kryeministrit…
Nuk ia vlen të merremi me këtë çështje mendoj unë, sepse ky ishte një mesazh i drejtpërdrejtë për Doktorin. Nuk ia vlen as të merremi me çështje videosh. Spartaku i ka treguar më duket edhe nja dy video dhe Doktorit, por nuk ia ka treguar të gjitha, por ndoshta mund të ketë rastin t’ia tregoj të gjitha.

Ia ka treguar privatisht…
Privatisht, një moshë janë ata.

Pra sektorin e videove të komunikimit me video e mbulon z. Braho. Por jua ka thënë se çfarë përmbajnë ato video?
Të lutem, është një sektor që nuk e mbuloj unë.

Gjithsesi komunikimin me Doktorin është një sektor që ju e mbuloni në mënyrë ekskluzive në Parlament…
Me kënaqësi dhe me dashuri

Por e shikoj që ka, të paktën nga opinioni publik, ka një komunikim me kod mes…
Po mirë edhe një çik malësor jemi ne që të dy.

Po sikur ka diçka që nuk shkon…
Ajo që nuk shkon është se varet se si e përjeton angazhimin politik. E përjeton si përgjegjësi, e përjeton si kënaqësi, ndonjëherë të kap dhe si sëmundje dhe më duket se Doktori ka këtë problemin e fundit dhe kjo e bën që të humbas shpesh logjikën, të dali nga realiteti, të shoh ëndrra me zgjedhje të parakohshme. Të shikojë vetëm vrasje, tritol dhe të shikojë një qamet, i cili nuk ka se zgjidhje tjetër përveç se rikthimin e Doktorit në pushtet, mundësisht pa vota.

Z. Meta, thatë pak më parë që sektorin e videove në LSI e mbulon…
S’thashë LSI unë. Mund të jetë edhe më e përgjegjshme, mund të jetë edhe më personale se s’merret LSI-ja. E ka pasion ai. Hetues i vjetër është Spartaku.

Një nga miqtë tuaj që mbulon këtë sektor është z. Braho?
Mik dhe kundërshtar, sepse është edhe i pabindur Spartaku. Ka edhe mendjen e vet shpeshherë .

Cilat raste ka qenë i pabindur?
Ka plot raste, kështu rebelime, etj.

Thatë që ia ka treguar 2-3 video z. Berisha?
Kështu më ka thënë Spartaku.

Po çfarë përmbajtje kanë ato?
Nuk e di, mund të pyesni Spartakun.

Po ju ka thënë si ka reaguar z. Berisha pasi ka parë brendinë e atyre videove?
Atë që ka parë, lëvizte nga kënaqësia, ato që s’ka parë, ndoshta nuk e di se si mund të reagonte, siç thotë Spartaku.

Po çfarë përmbajtje kanë?
Po nuk e di tani…

E shikoj që për z. Berisha….
Z. Berisha mbetet dobësia ime.

Dhe do të vazhdojë të ketë statusin të flasë sa herë të dojë dhe sa kohë të dojë?
Absolutisht. Tani kjo nuk është se varet vetëm nga unë, varet edhe nga mazhoranca, nga kryetarët e grupeve parlamentare. Nëse ndonjë nga ata kërkon respektimin strikt të rregullores, por unë do të bëj maksimumin për ta toleruar.

Çfarë ndjenje ju ka krijuar deklarata e z. Basha kur tha se Partia Demokratike e udhëhequr nga unë kurrë nuk do të bëjë koalicion me LSI-në e Ilir Metës?
Më ka krijuar bindjen se është me këmbë në tokë dhe që e ka të qartë se mandati i tij si kryetar partie mesa duket është deri në 21 qershor. Pra, do të jetë një mandat i shkurtër, sepse kuptohet se dikush do të marrë përgjegjësinë për rezultatin e 21 qershorit. Kështu që s’do të ketë as mundësi për të patur ndonjë hapësirë për të bërë koalicion, qoftë edhe me Ballin Kombëtar pas 21 qershorit, fjala vjen.

Ju parashikoni se pas zgjedhjeve të 21 qershorit, z. Basha nuk do të më kryetar i Partisë Demokratike?
Unë parashikoj një humbje bindëse, sepse Partia Demokratike ka hyrë në një qorrsokak të thellë për fat të keq, dhe mesa duket vetëm rikthimi i Doktorit mund ta mbledhë përsëri.

Në fakt një lloj humbje e tij nuk pritet që t’i faturohet se kemi parasysh që z. Berisha dje deklaroi se nuk e shikon z. Basha si kandidat për kryetar bashkie në Tiranë. Gjersa e ka thënë z. Berisha, kam përshtypjen se z. Basha nuk do të kandidojë në Tiranë?
Atëherë përgjegjësinë kush do ta mbajë për Tiranën dhe për gjithë Shqipërinë?! Prapë Doktori do të mbajë përgjegjësinë e humbjes?! Mendoj unë, por është çështje e Partisë Demokratike, nuk dua të hyj tek çështja …

Është çështje administrative, nuk janë zgjedhje?
Është e drejta e tyre, nuk dua të ndërhyj më shumë. Dhashë mendimin tim, ndoshta bëra gabim, kërkoj ndjesë.

Partia Demokratike ka bërë publike sot një draft për dekriminalizimin e Parlamentit. Do ta aprovoni?
Nuk jam njohur akoma me kërkesat e PD-së, ose me propozimet e saj. Kemi një marrëveshje me PD. Do ta respektojmë atë marrëveshje, ashtu siç është e shkruar dhe do të shqyrtohen me vullnetin më pozitiv të gjitha ato propozimet e saj, apo propozimet e kujtdo tjetër.

Janë propozime që ndërhyhet edhe në Kushtetutë. Jeni i gatshëm ju si shumicë të merrni ndryshime edhe në Kushtetutë?
Çdo ndryshim pozitiv që i shërben të ardhmes patjetër. Por natyrisht që për këto çështje është rënë dakord për të marrë edhe ekspertizën më të mirë evropiane edhe të komisionit të Venecias e kështu me radhë. Pra, është shpejt për të folur për propozimet konkrete sepse unë nuk e kam lexuar dhe ndoshta …

Gjithsesi le të flasim për parimet….
Në parim ne do ta respektojmë marrëveshjen që kemi bërë me Partinë Demokratike në dhjetor.

Në parimet e këtij drafti të PD-së, sepse tre deputetë dolën dhe thanë që ka mandate që ndërpriten, por ndërkohë ka juristë që thonë se një ligj nuk ka efekt prapaveprues. Ju do të pranoni që në kuadrin e dekriminalizimit, të aprovoni një ligj ose një paketë ligjore e cila i ndërpret mandatet disa deputetëve?
Ne nuk mund të japim një përgjigje konkrete. Duhet t’i shikojmë propozimet e Partisë Demokratike. Ato duhet të zyrtarizohen. Ka një komision që do t’i shqyrtojë, do t’i shikojnë grupet parlamentare dhe padyshim vullneti është pozitiv për të ecur përpara. Tani unë nuk mund të japë një përgjigje konkrete.

Gjithsesi në kuadrin e dekriminalizimit, u fol kjo mbledhja e Grupit të Miqësisë Shqipëri-SHBA. Konstituimi i tij është kthyer në një odise të vërtetë. Madje lista paraprake ka ndryshuar. Keni rreth gjashtë emra deputetësh që janë hequr, përfshirë edhe dy deputetë për të cilët prokuroria ka kërkuar arrestimin tyre. Kush e ka ndryshuar këtë listë? Si ndryshoi kjo listë? Kuvendi? Ambasada apo të dy bashkë?
Besoj se këto saktësime janë në përputhje me grupet parlamentare dhe nuk dua të bëhem pjesë e debateve dhe e spekulimeve mediatike duke pasur parasysh pozicionin tim si Kryetar Kuvendi.

Këto janë qenë një reflektim i grupeve parlamentare që i kanë ndryshuar anëtarët e tyre në këtë grup miqësie apo ka pasur një lloj filtri nga Ambasada e SHBA-ve?
Besoj se vendimi kryesor është i grupeve parlamentare dhe i Kuvendit.

Po një lloj sugjerimi ose një informacioni shtesë nga Ambasada a ka pasur?
Nuk mund të them asgjë më shumë.

E qartë, sa flitet për Ambasadën?
Nuk jam punonjës i Ambasadës, jam Kryetar i Kuvendit…

Jo, gjithsesi si Kryetar i Kuvendit mund të keni një informacion?
Ky ishte informacion, janë vendime të Kuvendit dhe grupeve i parlamentare.

Dikur kishim shpërthime tritoli, sikur janë rralluar, por ndërkohë kemi përditë, madje ka edhe raste kur dy-tre alarme false për bomba në qytetet kryesore të vendit, Tiranë, Durrës. A kanë lidhje me situatën politike?
Ka një prapavijë politike kjo, të jemi fare të sinqertë. Para pak ditësh u kap edhe në Fushë-Krujë, një makinë me tritol dhe patë edhe flamujt e kujt partie ishin atje dhe tritoli dhe nuk pati asnjë deklaratë për t’u distancuar nga elementë të tillë kriminalë. Kuptohet se ka një përpjekje për të krijuar një ndjenjë paniku, tensioni, pasigurie në vend përmes një politike që synon artificialisht të krijojë alarme të paqenë dhe jo të dekurajojë krimin, por të frymëzojë veprime të tilla kriminale përmes goditjes që i bëhet Policisë, Ministrisë së Brendshme dhe agjencive ligjzbatuese. Ndërkohë që u duhet dhënë përkrahja maksimale.

Një rol të rëndësishëm në këtë situatë duhet të luajë edhe Shërbimi Informativ Shtetëror. A është duke e kryer siç duhet?
Përgjigjen më mirë mund ta japë Kryeministri ose Presidenti. Kështu që ata kanë një lidhje më të vazhdueshme me këtë Shërbim.

Mbaj mend se disa muaj më parë pati një hetim parlamentar nga Kuvendi në zyrat e Shërbimit Informativ. Z. Braho u tregua shumë aktiv. Nxori edhe një listë të njerëzve më të rëndësishëm përfshirë edhe ju, përfshirë edhe z. Rama, Kryeministrin e vendit, shumë deputetë të mazhorancës që sipas z. Braho dhe sipas anëtarëve të tjerë të komisionit, ishin përgjuar në mënyrë të paligjshme. Çfarë është bërë me raportin? Çfarë ndodh me raportet mes Kuvendit dhe një kërkese të mundshme për shkarkim me kreun Shërbimit Informativ Shtetëror?
Puna e këtij komisioni është në vazhdim dhe nuk ka një raport përfundimtar. Kështu që përderisa nuk ka një raport përfundimtar, gjithçka tjetër që mund të komentohet, mendoj se nuk është shumë e dobishme, sidomos kur bëhet fjalë për një Agjenci të rëndësishme të sigurisë kombëtare.

Kur pritet që të hartohet raporti ?
Nuk mund t’ju them diçka me saktësi. Unë nuk jam anëtar i këtij komisioni.

Si Kryetar i Kuvendit donim një informacion ose një informacion paraprak që bëhet?
Nuk duam të ndikojmë në punën e pavarur të komisionit.

Kthehemi tek marrëdhëniet që ekzistojnë brenda mazhorancës. Shumë vetë në opinion publik kanë fiksuar skenat kur katër vjet më parë ju ndodheshit në një situatë të ngjashme. Atëherë sulmoheshit jo nga Partia Demokratike, por nga Partia Socialiste. Tani jeni në invers dhe të gjithë mbajnë mend atëherë z. Berisha hipur në podiumin, aty ku është Këshilli i Ministrave, me pamje si piktura e Zef Shoshit që përshkruan Mic Sokolin dhe aty një grumbull deputetësh socialistë që shanin dhe e fyenin dhe ai luftonte fort për t’ju mbrojtur juve. Ndërkohë që seanca e fundit apo seancat e fundit shikojmë që ju jeni i vetëm përballë Partisë Demokratike. Z. Rama hesht. Çfarë ndodh?
Së pari unë dua të shpreh dhe njëherë tjetër keqardhjen më të thellë për denatyrimin e doktorit në këto dimensione të ditëve të fundit. Dhe më vjen keq vërtet sepse kam patur një periudhë bashkëpunimi me të gjatë katër viteve, e cila ka qenë përgjithësisht do të thosha shumë konstruktive duke pasur parasysh parametra e politikës sonë.

Megjithatë, për mua asnjë gjë nuk do të ndryshojë. Sjellja ime dhe e opozitës pavarësisht nga gjithë këto akuza të përbindshme që amplifikohen prej saj praktikisht, kjo do të më bëjë edhe më tolerant, edhe më zemërgjerë , edhe më mirëkuptues, por nuk më bën dot shërues të fenomenit, i cili e thashë edhe njëherë tjetër, që është fenomen që zgjidhet ose nga drejtësia, ose nga mjekësia.

Në fakt unë nuk ju pyeta për z. Berisha, ju pyeta për z. Rama, si e shpjegoni heshtjen e tij? A ka solidaritet brenda të majtës? Apo do këtë konfliktin tuaj me Partinë Demokratike, me Berishën me Bashën?
Së pari dua të sqaroj se nuk ka një konflikt të Ilir Metës me Partinë Demokratike. Ka një sulm tërësisht kriminal, do ta quaja pa frikë të doktorit dhe të një grupi në Partinë Demokratike se krimet, sigurisht dhe deputetët edhe ish-ministrat që kanë bashkëpunuar me mua ndihen në një situatë mjaft të rëndë, ndërsa ato të Partisë demokratike në terren të jeni të sigurt që janë me Ilir Metën, nuk është me doktorin me Tom Doshin, të jeni të sigurt me këtë.

Ndoshta dhe kjo i nervozon edhe më shumë sepse unë gjithmonë i kam respektuar demokratët edhe ata e dinë që unë i qëndroj marrëveshjeve.

A ka kalkulime në lidershipin e Partisë Socialiste që ky incident, e ky skandal mund ta quajmë, mund të ketë një lloj zvogëlimi të peshës tuaj specifike brenda koalicionit dhe të ketë Partia Socialiste duart më të lira në vendimmarrje? Jemi dhe para zgjedhjeve, jemi dhe në kohën kur sa u ndanë kandidatët…
Raportet me Partinë Socialiste janë bashkëpunuese, janë mjaft konstruktive. Nuk do ta teproja po të thosha dhe luajale dhe reciprokisht kështu që çdo gjë tjetër është spekulim. Ndërsa përsa i takon efektit të këtij sulmi, mendoj se efekti është bumerang për ata që e kanë sponsorizuar dhe sponsorizojnë çdo ditë.

Sulmet mua nuk më shqetësojnë aspak nga ana politike dhe elektorale. Përsa i takon klimës politike në vend, natyrisht kjo nuk është një gjë pozitive, por nuk është se përpara gjashtë muajsh ishte një klimë më e mirë.

Gjithnjë lidershipi i Partisë Demokratike, jo partive demokratike, jo demokratët në Shqipëri, do të përpiqen të ushqejnë tension, të ushqejnë konflikt, të ushqejnë mundësisht urrejtje dhe për fat të keq edhe dhunë vetëm dhe vetëm për të justifikuar shterpësinë e paaftësisë së tyre, për të dhënë një zgjidhe, për të ndërtuar një alternativë, për të mësuar mbi gabimet e tetë viteve, një qeverisje mbi dështimet dhe kjo vjen pasi janë në presionin e madh të padurimit të doktorit për shumë arsye.

Çfarë padurimi?
Nuk duron dot të rrijë në opozitë, i duket një sakrificë e padenjë dhe e pa merituar për të dhe nuk mund ta mendojë si mund ta drejtojnë të tjerët Shqipërinë, kështu që kërkon me çdo mjet të thyej çdo lloj normalitetit demokratike sepse nuk e di se ç’mund të bënte më shumë kjo mazhorancë për këtë opozitë. I dha drejtimin e Këshillit Kombëtar të Integrimit, funksion që nuk po e marrin, ndërkohë që ideja ishte dhe propozimi për të pasur dy bashkëkryetar, një nga mazhoranca dhe një nga opozita. Jo e duam ne thonë, merreni.

Në vend që të bëjnë këtë gjë, shikojini se çfarë bëjnë. I dhamë mundësinë ndryshe nga ata çfarë kanë bërë që të kenë hapësirë të jashtëzakonshme në parlament. Shikoni raportet e seancave plenare, opozita ka dyfishin, trefishin e kohës së mazhorancës. Gjë që nuk mund të ndodhte kurrë në të kaluarën dhe ju e keni parë, të enjten, tani quhet e enjtja e doktorit, sepse nga ora 10 deri në orën 9 që fillojnë debatet, e ka fjalën doktori, pastaj e kanë fjalën ata të tjerë. Kështu që çfarë mund të bëhet më shumë.

KQZ nuk e ndryshuam raportet si ç’mund ti ndryshonim me shuam të drejt siç bëri dhe doktori para zgjedhjeve ku hoqi padrejtësisht një anëtar të KQZ për të patur shumicën me idenë që shumica… ne kemi thënë jo, le ta mbajë Doktori shumicën. Se kemi problem sepse ne besojmë tek votat e qytetarëve, nuk besojmë tek votat e KQZ-së.

Pra gjithçka kemi patur mundësi e kemi bërë me përgjegjshmërinë maksimale që opozita të ndihet sa më mirë, ndërsa se si ata e kanë investuar këtë shans, këtë mundësi që iu është dhënë nga mazhoranca, çdo qytetar e shikon dhe e vlerëson shumë mirë çdo ditë dhe mua më vjen keq vërtet sepse në rast se ne kemi vërtet një krizë politik, kjo është thjeshtë kriza se nuk kemi një opozitë, një opozitë të përgjegjshme, një opozitë dinjitoze, një opozitë që sjell propozime alternative për qeverisjen e vendit. Natyrisht se kjo nuk i shërben as qeverisjes së vendit.

Ka disa analist që thonë se z. Basha ndërton një Opozitë ndryshe nga ajo e zotit Berisha, më të kohës, më evropiane, më pak agresive. Ju ndani të njëjtin mendim?
Unë nuk do të hyjë në debat me analistët sepse kemi shuam analistë dhe ata kanë mendimet e tyre dhe unë i respektoj por nuk e shikoj asgjëkundi z. Basha si drejtues të opozitës, sidomos konferenca e shtypit në bulevard, në ambiente të tjera, tek shtëpia e oficerëve, në mjedise të ndryshme, por nuk shikojë asnjë propozim, asnjë alternativë.

Marrim rastin e reformës administrative territoriale. Zoti Basha nuk iu lejua ti jepte dorën zotit Rama kur ky i fundit i kërkoi takim për të diskutuar për reformën për të dëgjuar alternativën e Partisë Demokratike. Atij iu mohua dhe e drejta për të patur një takim me kryeministrin e vendit. Pra duhet të jemi të ndërgjegjshëm se nuk ekziston ai si një lider i opozitës pavarësisht detyrës që ka si kryetar i partisë të cilën ne jemi të detyruar ta respektojmë.

Kthemi tek zgjedhjet lokale, a ishin të vështira negociatat me Ramën për përcaktimin e kandidatëve?
Nuk kemi patur asnjë vështirësi për këtë gjë. Përkundrazi kemi një mirëkuptim të plotë. Qëllimi janë kandidatët, dhe kandidatët janë të përbashkët. Nuk janë të LSI-së apo të PS-së. Janë kandidat të koalicionit që do të vendosen me konsensus me qëllimin kryesor që kjo reformë historike, sepse është historike reforma administrative-territoriale, që të japi impaktin saj pozitiv menjëherë, ka nevojë që në 21 qershor në krye të 61 bashkive të kemi një staf të përkushtuar që do ta administrojë këtë probleme dhe këtu nuk është shumë e rëndësishme janë të PS-së apo të LSI-së apo qoftë të Partisë Demokratike dhe forcave të tjera. Kjo është kryesorja dhe për këtë duhet të votojnë qytetarët në 21 qershor.

Nga raportimet që na vijnë nga gazetarët që kemi në rrethe, jo vetëm të televizionit tonë, por edhe të mediave të tjera, vihet re përcaktimi, ndarja që i është bërë pra LSI ka të drejtën për të zgjedhur…
Ka prioritet.

Ka prioritet për 15 bashki. Është riaktivizuar rivalitetit mes militantëve. A mendoni se ai kohezion që këto negociata që arritët ju me zotin Rama do të funksionojë aty në bazë? Madje ka dhe vetë që thonë se mund të ketë dhe sabotim.
Ka ikur koha kur kishim frikë nga sabotimet. Tani të jemi të sigurt se do të funksionojë shumë më mirë, edhe më mirë se sa funksionoi në zgjedhjet e 23 qershorit. Edhe atëherë pati një shqetësim se ky koalicioni do të dëmtonte të dy partitë dhe ju e patë rezultatin. Të jeni të sigurt se rezultati i 21 qershorit do të jetë akoma më pozitiv falë edhe ndihmës që na jep doktori çdo ditëm me mënyrën se si e bën opozitën.

Koalicioni tashmë është i kristalizuar PS-LSI, do të ketë subjekte të tjera që do ti shtohen këtij koalicioni?
Boshti i koalicioni është PS-LSI, pra koalicioni është më i gjer se sa kaq. Patjetër që ka subjekte të tjera. Mund të ketë edhe subjekte të reja. Mund të ketë edhe individ, personalitete të shoqërisë civile, ky është një proces që do të vazhdojë.

Pse mund të ketë edhe personalitete të shoqërisë civile që mund të kandidojnë në siglën e koalicionit?
Po pse jo, patjetër.

Ku në çfarë qyteti?
Nuk mund të them por në parim kjo është një mundësi e hapur që do të shqyrtohet.

Pra shqyrtoni mundësinë dhe për…
Mund të ketë kandidat më të mirë, që gëzojnë nj mbështetje më të gjer.

Është folur se negociatat me PS dhe PDIU-së janë drejt përfundimit dhe kanë marrë të drejtën për të kandiduar në pesë bashki. Si e lexoni këtë afrim të zotit Idrizi i cili ka dhe katër deputet të tjerë që janë në parlament. A e shikoni si një lloj presioni të Ramës që unë mund të qeveris edhe pa LSI-në dhe me votat e PDIU-së e kam mazhorancën me 71 vota?
Çdo kontribut shtesë në zgjerimin e koalicionit është i mirëpritur dhe nuk shikohet me shqetësim, por me gëzim nga ana e LSI-së. Nuk mund të bëj komente nëse ka pasur apo ka negociata në rastin konkret. Absolutisht çdo rritje kontributi është e mirëpritur. Vendi ka përpara reforma të mëdha dhe ka nevoja për kontribute të shtuara.

Z. Rama a ju informon për negociatat që bën me z. Idrizi apo janë pavarësisht negociatave që bënë me LSI-në?
Z. Rama gëzon besimin tim të plotë për çdo lloj negociate.

Nuk thatë nëse ju ka vënë apo jo në dijeni…
Pra, gëzon besimin tim të plotë për çdo lloj negociate. Nuk ka detyrim të më informojë herë pas here sepse ka besimin tim të plotë.

Po me FRD-në e z. Topi, kjo shumicë qeverisëse është në negociata për ta përfshirë në koalicionin e zgjedhjeve të 21 qershorit?
Do të thosha se përgjigja është e njëjtë si në rastin e mëparshëm, do të thosha se çdo kontribut i shtuar është i mirëpritur.

Ndërkohë në mbledhjen e fundit të PS-së së Tiranës janë propozuar 4 emra si kandidatë të së majtës për Bashkinë e Tiranës. Këto janë Blendi Klosi, Pandeli Majko, Lindita Nikolla dhe Albana Dhimitri. Kush ju duket emri më bindës?
Unë më shumë jam njohur nga mediat me këtë informacion që po jepni edhe ju. Të gjithë janë emra pozitivë me veçantitë përkatëse. Të gjithë i shoh si emra fitues për shkak edhe të koalicionit që do të përfaqësojnë dhe natyrisht që ky është një proces i cili është në vazhdim dhe do të kurorëzohet me sukses të plotë në përzgjedhjen e kandidatit sa më përfaqësues.

Kur do të përcaktohet kandidati i Tiranës, pasi për rrethet e tjera ne i dimë pak a shumë emrat?
Shpresoj që deri më datën 1 prill të jetë zbardhur enigma për të gjitha emrat, për të 61 bashkitë.

Mund të ketë edhe kohë shtesë për bisedime përtej datës 1 prill?
Shiko, edhe mund të ketë për ndonjë rast të caktuar, por ideja është që deri në fund të marsit, pra në prag të 1 prillit të jenë zbardhur të gjithë emrat. Por përderisa afati ligjor shkon përtej kësaj date, qëllimi është t’i jepet kohë kandidatëve të përgatisin edhe programet e tyre dhe stafet përkatëse, t’u jepet kohë edhe qytetarëve, të cilët sa më shumë kohë të kenë për t’u njohur me kandidatët, aq më mirë është për ta.

Ju i keni përcaktuar emrat për 15 bashkitë ku keni të drejtë të dili me kandidatët tuaj?
Unë besoj se do t’i propozojmë në kohën e duhur dhe do të bashkëpunojmë shumë ngushtë edhe me PS-së për të gjetur emrat më përfaqësues të koalicionit.

A ia keni paraqitur emrat z. Rama?
Jemi në këtë proces.

Takoheni në mënyrë frekuente çdo të mërkurë me Kryeministrin?
Takohemi sa herë të mundemi.

Ju keni një ditë në javë për Doktorin, tani keni edhe një ditë për Ramën ku takoheni për të negociuar në lidhje me zgjedhjet…
Dita e Doktorit është e veçantë, është një ditë që dihet kur fillon, por nuk dihet se kur mbaron. Këto takimet e tjera pastaj janë edhe më të thjeshta.

Duket sikur keni arritur të merreni vesh për gjithçka me Ramën, por a ka ndonjë gjë që ka mbetur pezull në lidhje me zonat zgjedhore apo kandidatët?
Nuk është problemi se ne do të diskutojmë çdo emër, sepse PS-ja ka një ekip të tërë që merret me këtë çështje, natyrisht edhe LSI-ja. Besoj se procesi po ecën shumë mirë.

Pak a shumë ju keni folur për parimet dhe një ndër to, është nëse do të kandidohen apo jo anëtarë të kabinetit aktual qeveritar…
Nuk mendoj se kjo është shumë e rëndësishme, pra të përjashtohen anëtarë të kabinetit qeveritare apo të kenë prioritet, sepse fakti që ata janë anëtarë të qeverisë do të thotë se ata janë të angazhuar në detyra shumë të rëndësishme, por kjo as nuk i përjashton nga një mundësi përzgjedhjeje siç nuk përjashton as deputetët.

Në emrat që keni diskutuar deri tani, a ka mes tyre emra ministrash që mund të lënë postin për të kandiduar në ndonjë bashki të madhe?
Nuk kemi gjë me emër kaq konkret.

Latë të kuptohet që do të ketë edhe deputetë që do të lënë mandatin për të kandiduar…
Edhe kjo është e mundshme.

Në cilat qytete pritet të ndodhë kjo?
Unë nuk mund të shpall asnjë emër në mënyrë të njëanshme edhe pse mund të kem emra në mendjen time sot. Këto janë emra që do të diskutohen dhe janë emra që do të dalin pas një procesi konsensual.

Emrat që keni ndërmend mes deputetëve janë të LSI-ë apo të PS-së?
Janë të koalicionit.

Nuk i ndani?
Jo, nuk i ndaj dot.

Gjithsesi, një lloj ndarje ka…
Është ndarje përgjegjësish dhe bashkim përgjegjësish.

Ju keni përgjegjësi për të propozuar kandidatët për 15 bashki…
Po, por jo për të punuar vetëm për fitoren e 15 bashkive. Do të punojmë për fitoren e 61 bashkive.

Pyetja ime konsistonte në propozimin, në gjetjen, në përzgjedhjen e kandidatëve…
Duhet të bëjmë përpjekjet më të mira që të përzgjedhim emra sa më përfaqësues.

Në takimet që ju zhvilloni me z. Rama, a bëni një analizë të punës së ministrave? A ka ardhur momenti për ndryshime në qeveri para zgjedhjeve?
Kjo është një përgjegjësi që i takon Kryeministrit.

Gjithsesi, ju jeni bashkëdrejtues i koalicionit qeveritar dhe nëse ka një sektor ku nuk shkon në kuadrin e ndarjes së përgjegjësive…
Ju z. Babaramo nuk keni hallin e sektorit, ju keni hallin e emrave, sigurisht. Kështu që ne kur diskutojmë e bëjmë për problemin e sektorëve.

Dhe cilët sektorë kanë qenë problematikë?
Kjo nuk do të thotë se një sektor është problematik apo jo problematik. Një ditë del një problem, për shembull problemi i përmbytjes. Një ditë tjetër del një problem tjetër, pra problemet janë të ndryshme, sepse çdo sektor ka problematikat e veta, por kjo nuk do të thotë se doli ky problem dhe ky ministër nuk punon mirë. Problemi del edhe për arsye objektive.

Në gjykimin tuaj, duhet të ketë një rifreskim të qeverisë para zgjedhjeve?
Nuk më duket se kjo është diçka e rëndësishme apo diçka e domosdoshme. Është një çështje që gjykon Kryeministri. E rëndësishme është që ministrat të ecin me ritmin e Kryeministrit.

Pra, Kryeministri është duke ecur më shpejt dhe ministrat duhet ta ndjekin… Këtë thatë?
Padyshim, ecën më shpejt ngaqë është edhe më i gjatë.

Fiks me sloganin e LSI-së “të ecim më shpejt”…
Po patjetër, edhe me qetësi dhe dashuri.

Po kjo batutë e juaj e fundit po gjen shumë hapësira sa edhe z. Doshi duke folur për mediat tha “me qetësi dhe dashuri”…
Sepse qetësia është gjithëpërfshirëse.

Duke folur për punën e qeverisë a mendoni se ka një frenim të investimeve. Ekonomia nuk po ecën siç duhet dhe shifrat e rritjes ekonomike të vitit 2014 janë të gjitha nën nivelin 2 % çka duke pasur parasysh inflacionin e zeron. Ka edhe shifra rritjeje deri në 1.4 % si ajo që tregon banka….
Duhet të jemi më të qetë më të duruar. Ndoqa edhe intervistën e përfaqësuesit të FMN-së para pak ditësh. Mendoj që bëri një vlerësim mjaft objektiv të ecurisë së ekonomisë së vendit tonë. Sigurisht që ekonomia nuk po shkëlqen as në vendet e tjera përreth Shqipërisë, pra as në vendet e eurozonës nga të cilat ne padyshim që ndikohemi tek ekonomia jonë. Është një ekonomi që lëviz në drejtimin e duhur dhe besoj që do të eci më shpejt në këtë drejtim.

Si e gjykoni situatën në rend. A po e fiton z. Tahiri luftën kundër krimit?
Besoj se patjetër që në rend ka arritje mjaft të rëndësishme edhe pse për fat të keq opozita në vend që të mbështes Policinë në luftën kundër krimit, shpeshherë bën të kundërtën dhe kjo nuk e ka penguar as ministrin, as Policinë e Shtetit për të qenë në lartësinë e detyrës.

Mbledhja e sotme e dy qeverive, të Kosovës dhe të Shqipërisë kishte një deklaratë shumë të fortë përtej çdo toni diplomatik të Kryeministrit Rama kur tha që Kosova nën sistemin e vizave është një trup për Bashkimin Evropian. Është deklarata e duhur?
Unë besoj se është një përpjekje për të tërhequr vëmendjen, për t’i dhënë fund këtij izolimi natyrisht të padrejtë të qytetarëve të Kosovës si të vetmit në këtë rajon që nuk gëzojnë të drejtën e liberalizimit të vizave. Ndërkohë, që nuk duhet të harrojmë se dikur ata si pjesë e Jugosllavisë e gëzonin këtë të drejtë.

Pra, ndryshe nga ne shqiptarët e Shqipërisë në fund të fundit asnjëherë nuk e kemi pas këtë mundësi, ata janë kthyer mbrapa, aq më tepër i gjithë rajoni po e gëzon këtë mundësi, theksoj akoma më shumë, një lloj izolimi i padrejtë. – See more at: http://shqiptarja.com/home/1/meta-n–5-pyetjet-braho-i-ka-treguar-sali-berish-s-dy-video–280703.html#sthash.hbXfDsJT.dpuf

1 COMMENT

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here