Home Politike Ambasadori holandez: Shqiptarët të gatshëm të shesin votën

Ambasadori holandez: Shqiptarët të gatshëm të shesin votën

555
0

Ambasadori holandez në Tiranë, Henk van Den Dool u bëri thirrje dje palëve politike për vëmendje ndaj apelit të Komisionit Evropian për përgjegjshmëri dhe zgjedhje të ndershme. Nga Korça, ku pati një debat me studentë për çështje të demokracisë, ambasadori Henk van Den Dool, u tregua mjaft i ashpër kundrejt politikës shqiptare. Ai tha se, qytetarët shqiptarë mund të gjejnë arsye për të mos dalë në votimet e 8 majit, duke parë ngjarjet e 21 janarit, korrupsionin, dhunën dhe shitjen e votave.
Alarmi i diplomatit holandez
Sipas tij çdo ditë e më shumë përballemi me kandidatë që ushtrojnë dhunë ndaj njëri- tjetrit, si para fillimit të fushatës ashtu edhe gjatë këtyre ditëve. Pavarësisht se të dy palët vazhdojnë të flasin për gjetjen e një gjuhe të përbashkët, ende nuk është bërë asgjë. “Në fakt mjafton të hapësh gazetat dhe shembujt e korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin të përplasen në fytyrë. Mjafton të ndezësh televizorin dhe të jesh dëshmitar i gjuhës fyese dhunës fizike në parlament, kandidatëve ushtrojnë dhunë ndaj njëri-tjetrit si dy javë më parë, dhe politikanët e të gjitha palëve vazhdojnë të flasin për të gjetur gjuhën e zgjidhjes për këto debate. Por në 21 janar 4 persona u vranë në bulevard në Tiranë, në një kohë që flitet për balancë dhe për proceset e integrimit europian. Rezultatet e zgjedhjeve të kaluara në Shqipëri kanë qenë të kontestueshme por edhe pse ka patur këshillime për një proces demokratik, ka persona të cilët nuk shqetësohet aspak të refuzojnë të marrin pjesë në mënyrë demokratike në zgjedhje por janë të gatshëm ta shesin votën e tyre. Komisioni Europian po paralajmëron për këto probleme serioze. Komisioni po bën thirrje për nevojën e përgjegjshmërisë, dialogun konstruktiv. Por akoma Shqipëria në 20 vjet vazhdon të quhet vend i tranzicionit, ku akoma edhe sot ka incidente siç ka ndodhur gjatë këtyre ditëve”, tha ambasadori holandez Henk Van Den Dool.
Apeli i ndërkombëtareve
Deklarata e ambasadorit holandez është në vazhdën e një seri deklaratash nga diplomatët Perëndimor në Tiranë. Dy ditë më parë edhe ambasadori i BE Etore Sequi deklaroi se vendi duhet të jetë më i angazhuar në reformat integruese për në Bashkimin Evropian. Edhe ambasadorët e SHBA-së dhe OSBE-së kanë apeluar që të luftohet korrupsioni i lartë që ndodhet në vend dhe partitë politike të nisin dialogun mes tyre për të mirën e qytetarëve shqiptarë.

Edhe ambasadori i BE ka bërë apel Shqipërisë për përmbushjen e reformave

Bregu: Rekomandimet e BE, në fund të prillit gati plan-veprimi

Pas deklaratës se Shqipëria duhet të përfundojë projektet e financuara nga Bashkimi Europian, ambasadori Ettore Sequi ka bërë një tjetër thirrje, këtë herë nën prezencën e ministres së Integrimit, Majlinda Bregu duke thënë se tani është koha për të vepruar. Qëndrimi i Ambasadorit të BE-së në Tiranë u bë gjatë një takimi me shoqërinë civile mbi projektplan- veprimin që adreson rekomandimet e opinionit të KE për Shqipërinë. “Delegacioni i Bashkimit Evropian ju mbështet për këtë iniciativë, pasi faktor në këtë proces duhet të jetë edhe shoqëria civile. Ajo që nevojitet tani është veprimi”, tha Sequi.
Reformat e Shqipërisë
Ministrja Bregu i është përgjigjur deklaratave të dy ditëve më parë të ambasadorit Sequi duke fajësuar opozitën për bllokimin e ligjeve të financuara nga Bashkimi Europian. “Gjykata administrative, e dini historinë tashmë, është një nga detyrimet kryesore që duhet të ishin votuar është financuar dhe kanë patur ekspertizë, jo vetëm me fonde të BE, por dhe me fonde të qeverisë amerikane dhe nuk është votuar në seancë plenare sa herë është paraqitur nga opozita. Sikurse ligji për gjykatën administrative të njëjtin fat kanë pasur dhe një sërë ligjesh të tjera me 3/5. Qeveria ka për detyrë të çojë përpara reformat dhe të ndërmarrë me seriozitet dhe të propozojë ligje të cilat janë ligje kyç për integrimin e vendit në BE. Opozita ka përgjegjësinë e madhe për të votuar bashkë me qeverinë ligje të cilat nuk janë pjesë e axhendës partiake, por nuk bllokojnë dhe çojnë përpara integrimin europian të vendit” tha Bregu.

Pasaportat e vjetra, të vlefshme për votim në 8 Maj
Në zgjedhjet e 8 Majit do të votohet edhe me pasaportat e vjetra të cilat ende janë të vlefshme. Krahas dokumenteve biometrike të identifikimit, letërnjoftimit dhe pasaportës biometrike, zgjedhësit do te votojnë edhe me pasaportën e vjetër kur ajo është e vlefshme. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni sqaron se ka ende kohë për aplikimin për dokumentet biometrike. “Unë i ftoj të gjithë qytetarët që të mos kujtohen në minutën e fundit. Kanë pasur gjithë kohën në dispozicion dhe e kanë akoma në dispozicion t’u drejtohen zyrave të aplikimit për të marrë dokumentin e tyre të identitetit. Kodi Zgjedhor thotë që mjeti i identifikimit është letërnjoftimi elektronik dhe pasaporta e vlefshme, ose biometrike ose pasaporta tjetër për ata që nuk e kanë bërë pasaportën biometrike”- tha Poni. Zëvendësministri Poni, thotë se kompania koncesionare ka pranuar që sportelet e aplikimit të jenë të hapura këtë fundjavë që është afati i fundit për prodhimin në kohë të tyre. “Ditën e shtunë dhe të diel për Tiranën dhe Durrësin do të jenë në punë nga ora 8:00 deri në orën 16:00. Shpresojmë që edhe këto dy ditë të jenë në ditët që pranohet aplikimi për tu marrë karta edhe para 8 Majit”- tha Poni. Mbi 2.7 milion shtetas kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik dhe rreth 1.7 milion për pasaportën biometrike. Në zgjedhjet e 8 Majit janë thirrur në votime 3.2 milion shtetas.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here