Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, investimet e huaja direkte janë bërë përcaktuese për ecurinë e ekonomisë shqiptare.
Në vitin 2016, investimet e huaja në Shqipëri ishin 1 miliard e 124 milionë dollarë. Kjo do të thotë se, një në çdo 3 lekë që investohet në ekonominë shqiptare, tashmë vjen nga jashtë.
Sipas seksionit të tregtisë dhe zhvillimit në OKB, kjo është një nga normat më të larta në vendet e rajonit. Në Bosnje, kapitali i huaj financon vetëm 10 për qind të investimeve totale në ekonomi, në Bullgari 7.8 për qind, ndërsa mesatarja e Europës Juglindore është 26.3 për qind.
Ndikimi i investimeve të huaja në ekonominë shqiptare është rritur sidomos në 5 vitet e fundit. Sipas INSTAT-it, në vitet 2015-2016 investimet, veçanërisht projektet e mëdha me kapital të huaj, si gazsjellësi transadriatik dhe kaskada e Devollit, ishin burimi kryesor i rritjes ekonomike.
Por, shqetësimi më i madh i ekspertëve është se çfarë ndodh pas përfundimit të këtyre dy projekteve. Pak ditë më parë, “Moody’s” paralajmëroi se investimet e huaja në Shqipëri mund të ulen gjatë viteve në vijim, nëse vendi nuk do të forcojë institucionet dhe klimën e biznesit.
Sipas “Moody’s”, kjo do të bënte të mundur diversifikimin e investimeve nga jashtë, veçanërisht në fushat me potencial të madh, si energjia, turizmi, por edhe bujqësia.