Ministra e Mbrojtjes reagoi pasditen e sotme në lidhje me rastin e shpërthimit aksidental në Skrapar ku një oficer humbi jetën dhe tre të tjerë u plagosën.
Në deklaratë thuhet se tre të plagosurit që janë shtruar në spitalin ushtarak, ndodhen jashtë rrezikut përjetën ndërkohë që strukturat e mbrojtjes kanë nisur menjëherë hetimin mbi ngjarjen.
“Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura, do të marrin të gjitha masat për nderimin e thellë ndaj ushtarakut Agim Mekollari, të rënë në përmbushje të misionit si dhe për përkujdesjen e plotë ndaj të plagosurve dhe familjarëve të prekur prej kësaj ngjarje.”, thuhet në deklaratë.
**********************
Një aksident tragjik gjatë demontimit të armëve i mori jetën një shtetasi në Skrapar. Agim Mekollari mbeti i vdekur gjatë procesit të demontimit, si pasojë e shpërthimit të predhës që kishte në dorë. Mekollari është oficer i këtij reparti.
Ndërsa të plagosurit janë Jetmir Demaj 30 vjeç nga Çorovoda, Ilir Kurti 27 vjeç nga Tirana dhe Drino Tiko, 22 vjeç po nga Tirana. Ngjarja tragjike ndodhi në repartin ushtarak të Pigazit.
Të plagosurit janë dërguar me urgjencë me helikopter drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë. Procesi i demontimit të armëve në Skrapar është i varur drejtpërdrejtë me ministrinë e Mbrojtjes dhe deri më tani është mësuar shumë pak lidhur me shkaqet që kanë çuar në këtë aksident tragjedik.
Një ditë më parë, po në këtë rreth, një grua 35-vjeçare mbeti e plagosur gjatë procesit të demontimit të armëve në Poliçan ndërsa ka qenë duke punuar në repartin e fonderisë. Miranda Dehari, 34 vjeçe, nënë e dy fëmijëve mësohet se ka qenë duke punuar në një makineri për demontimin e municioneve në kohën që është plagosur në krahun e majtë.
Burime nga Uzina Mekanike e Poliçanit bëjnë me dije se kemi të bëjmë me një gabim njerëzor, ndërkohë që pranohet fakti se gruaja vetëm pak kohë më parë ishte punësuar pranë këtij reparti si punonjëse fonderie.
Prej kohësh, pushtetarët vendorë të këtij qyteti kishin dhënë alarmin se praën uzinës janë punësuar punonjës të paspecializuar, të cilët kryejnë punën e demontimit të municioneve.
Dy vitet e fundit kanë ndodhur disa herë shpërthime në procesin e demontimit të armëve dhe municionit në Skrapar.