Kryeministri Edi Rama thekson nevojën e riorganizimit të sistemit të transportit publik në vend, në mënyrë që të garantojë siguri për udhëtarët. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kryeministri tha se “transporti publik nuk mund të funksionojë më pa rend ligjor, pa konkurrencë të ndershme, pa kontroll teknik të besueshëm, pa stacione, dhe pa drejtime”. Sipas kryeministrit mazhoranca paraardhëse e la transportin publik në ditën më të zezë dhe tani kërkon përfitime politike.
“Udhëtari sot kërkon siguri, ne duam siguri në këtë sektor. Udhëtari sot kërkon inovacion. Ajo që ndodhi në Tiranë që shërbimi i mjeteve 8 plus 1 nuk u konsiderua më një shërbim urban , por u kthye në një shërbim taksi krijoi hapësirën për të ndërtuar shërbimin urban me standarde evropiane.”- u shpreh kryeministri.
Më tej kryeministri theksoi se asnjë mjet i palicencuar nuk do të lejohet të transportojë udhëtarë dhe furgonat nuk mund të vijojnë të mbajnë jashtë ligjit rolin e shërbimit interurban, duke falimentuar kompani të tëra autobusësh.
“Qeveria nuk do të lejojë më qarkullimin e mjeteve të palicencuara. Do tu japë kohë për tu riorganizuar të gjithë atyre që kanë një licencë të rregullt dhe që duhet të bëjnë një zgjedhje nëse do të kalojnë në shërbimin taksi normal, apo shërbimin urban brenda rrethit të përcaktuar nga autoriteti që jep licencën për ta. Qeveria do të ndërmarrë projektin për inovacionin dhe transformimin e gjithë sistemit të transportit tonë publik.”- deklaroi shefi i qeverisë.
Paloka: “Ndodh aksident me furgon këta dalin thonë do bllokojmë furgonat. Ndodhi dje aksident me Benz, do dalin nesër të bllokojnë Benzat? Mao Ce Duni ka thënë “bajga është më e vlefshme se dogma, pasi bajga të paktën bëhet pleh.”
Rama: Burimi i citatit të Mao Ce Dunit është dikush tjetër dhe mbi këtë citat është ngritur dhe qenia e këtij që foli para meje.
REPLIKA BREGU-META-BERISHA PËR LARGIMIN E RAMËS
Ora 15:00- Gjatë diskutimeve në Parlament, deputetja e PD-së, Majlinda Bregu kërkoi ndërprerjen e seancës pasi në sallë nuk ndodhej kryeministri Rama.
“Shkëlqesia e tij kryeministri është larguar për drekë tek klubi i Ashikut, a ka mundësi ta ndërprisni seancën pasi ministri s’është, kryeministri i gjithëditur nuk është”.
Kryeparlamentari Meta u shpreh se, “Këtë debat e kapërcyem edhe në respekt të Kushtetutës, ministri më i rëndësishëm është ai i Parlamentit”.
Replikave iu bashkua edhe ish kryeministri Berisha: “Ju keni Peleshin më të rëndësishmin, për ne ai është kot është bosh..nuk mund të kesh si argument për ty është…Prania e kryetarit të qeverisë në frymë nuk zbatonte rregulloren, por tani është tek klubi i Ashikut, ku klubi ku parlamenti, prandaj të vijë këtu, të bëjmë pushim, të vijë dhe diskutojmë”.
Ndërsa Meta shtoi: “Unë e dhashë shpjegimin tim si kryetar parlamenti, ju zoti Berisha nuk keni pse shqetësoheni e keni këtu bashkëkryeministrin”, shtoi ai.
TOPALLI: KRYEMINISTRI FJALIM SHATRA PATRA
Ora 14:35- Deputeti i PD-së, Gert Bogdani tha se kryeministri Rama nuk foli për rendin e ditës, ndërsa deputetja Jozefina Topalli, u shpreh se Ramës i duket vetja se është ende në opozitë.
“Një kryeministër që foli shatra parta më shumë se 30 minuta vetëm këtu kam parë. Më bën përshtypje më shumë dhe se di në ka vend tjetër ku që ministri i Brendshëm flet për transportin dhe kryeministri për inovacionin e udhëtarëve”, thotë ajo.
TAHIRI: NESËR NISIN BISEDIMET ME PËRFAQËSUES TË TRANSPORTIT
Ora 14:20 – Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri bëri të ditur se duke filluar nga dita e premte do të nisin bisedimet me përfaqësues të ligjshëm të transportit ndërurban, për të ndërtuar modelin e transportit ndërqytetas, që siç tha ai, do të garantojë sigurinë e udhëtarëve dhe standarde moderne.
“Bëhet fjalë për një transport që nuk ofron asnjë kusht sigurie. E parashikon ligji, pavarësisht se ju dështuat ta zbatonit ligjin. Ne po ecim me masa të planizuara për të ndërtuar një model të ri të transportit ndërqytetas. Po ndalojmë mjetet që zhvillojnë shërbim transport të licencuar.”- deklaroi ministri Tahiri.
RULI: ASNJË RISI NË DEKLARATAT E KRYEMINISTRIT PËR BUJQËSINË
Ora 12:20- Ish-ministri i Bujqësisë, deputeti i PD-së Genc Ruli gjatë fjalës së tij në Kuvend, u shpreh se qeveria aktuale nuk duhet të mohojë arritjet e qeverisë paraardhëse në lidhje me sektorin bujqësor, por as nuk duhet të përsërisë gjërat që janë bërë keq.
“Vendi ynë ka filluar të bëhet përfitues i ndihmës së BE për fonde të bujqësisë, nëse nuk kemi këtë sistem të aplikuar dhe të ngritur këto fonde nuk do mund të shkojnë tek fermeri”, tha ai, ndërsa ftoi qeverinë t’i kushtojë më shumë vëmendje bujqësisë.
“Bujqësia është sektori i i vetëm që e mbylli vitin me 2,9% rritje, prandaj duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje”.
Ruli tha më tej se, nuk ka asnjë “risi në deklaratat e kryeministrit për bujqësinë”.
“Po pate vizion mos mbaj ato reforma që kemi pasur ne, ose prano se ja ke futur kot, financimi për skemat e granteve thotë ai do jenë 70% më të larta. Se kuptoj ku është kjo rritja 70%, s’ka asnjë skemë se si do t’i marrë qytetari rimbursimet”, tha Ruli.
DODA: ZËVENDËSIMI I MANDATEVE TË GRAVE, SHKELJE E KUSHTETUTËS
Ora 12:01- Deputetja e PD-së, Mesila Doda e cilësoi si shkelje të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor dorëzimin e mandatit nga gratë deputete të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
“Kuvendi duhet të kishte nisur sot me një minutë heshtje, pasi demokracia vdiq dhe fjala po ashtu, duke zëvendësuar mandatet e dy grave me një lehtësi të jashtëzakonshme. Dhe kjo nuk më duket shaka. Diskriminimi ndaj grave nis pikërisht nga vendi ku duhet të mbrohen të drejtat e njeriut. Kjo që po ndodh është shkelje e Kushtetutës dhe e kodit zgjedhor”, – tha deputetja Doda.
Në nisje të seancës, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, informoi se deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Ermira Koçi, e cila zëvendësoi deputeten Klodjana Pashkaj, në qarkun e Durrësit, u dorëhoq nga mandati i dhënë nga KQZ, duke krijuar sërish vakancën e radhës në parlament. Një javë më parë dhe deputetja Pashkaj, po ashtu, u tërhoq nga mandati.
KUVEND, SEANCA NIS ME MARRËVESHJEN PËR KONTRIBUTET NË BUJQËSI
Ora 11:37 – Kuvendi i Shqipërisë nisi punimet e seancës plenare të së enjtes me shqyrtimin e marrëveshjes, ndërmjet qeverisë shqiptare dhe qeverisë italiane për programin “Fuqizimi i Agjencisë Shqiptare të Pagesave (AZHBR) për lëvrimin e Kontributeve në Bujqësi”.
Rendi i ditës i seancës parashikon diskutimin edhe të dy marrëveshjeve të tjera me palën italiane në fushën e bujqësisë dhe më pas ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese mes qeverisë shqiptare dhe bankës gjermane KFW, për financimin e projektit “Linja e transmetimit 400 KV Shqipëri-Kosovë (Tiranë – Prishtinë).
Axhenda parlamentare përfshin dhe diskutimin e disa ndryshimeve në ligjin ”Për sigurimet shoqërore”; miratimin e përbërjes së komisionit hetimor të Kuvendit “për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi gjatë procesit të lëvizjeve të burimeve njerëzore të Policisë së Shtetit”.
Në fund të axhendës është parashikuar një interpelancë me ministren e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, kërkuar nga deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo, lidhur me masat e marra për çështjen e mungesës së teksteve shkollore në gjuhën amtare për shkollat e minoritetit.