Është ndarë nga jeta kryetari i komunitetit bektashian në Shqipëri, Baba Reshat Bardhi. Ai ka ndërruar jetë në moshën 75-vjecare, pas një sëmundjeje të gjatë. Prej shumë vitesh, Bardhi ishte drejtues i Kryegjyshatës së Shqipërisë dhe gëzonte respekt në komunitetet fetare.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, shprehu ngushëllimet më të ndiera për ndarjen nga jeta të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhit.
“Të nderuar familjarë të të ndjerit Reshat Bardhi.Të nderuar drejtues dhe anëtarë të Bashkësisë Bektashiane.
Me hidhërim të madh dhe dhimbje të thellë mësova se Haxhi Dede Reshat Bardhi u nda përfundimisht nga gjiri ynë. Në këtë ditë të trishtuar, shembulli i këtij njeriu me vlera të jashtëzakonshme humane e shpirtërore, i këtij udhëheqësi fetar të përkushtuar, i cili ka dhënë kontributin e vet të çmueshëm e të pakursyer jo vetëm për fenë e bektashizmit, por edhe për rivendosjen dhe konsolidimin e demokracisë në Shqipëri, na detyron të gjithëve të përulemi me nderim e respekt para jetës dhe veprës së tij.
Haxhi Dede Reshat Bardhi i përket atij brezi të paharrueshëm atdhetarësh, të cilët iu kundërvunë diktaturës komuniste nëpërmjet forcës së shpirtit, besimit për të plotfuqishmin dhe dashurisë për shqiptarizmën. Ai ishte jo vetëm një njeri i rrallë, një udhëheqës fetar altruist dhe frymëzues, por edhe një shqiptar i vërtetë, i cili e kaloi gjithë jetën dhe u shua duke luftuar e duke u përpjekur për idealet më sublime të besimit, lirisë, demokracisë dhe përparimit.
Pas ndarjes nga jeta të Kryegjyshit botëror të bektashinjve, Kryeministri i vendit Sali Berisha ka dhënë mesazhin e tij të ngushëllimit.
Në mesazhin ngushëllues ai është shprehur se, Shqipëria dhe shqiptarët kanë pasur tek Kryegjyshi i bektashizmit një simbol të madh të mirësisë, paqes, mirëkuptimit dhe përkushtimit ndaj vlerave njerëzore e hyjnore.
Kryeministri Berisha, është shprehur se ka ndjekur me vëmendje gjendjen e rënduar shëndetësore të Baba Reshat Bardhit gjer mbrëmë në mesnatë, dhe është shprehur se ndihet i pikëlluar thellë, së bashku me të gjithë shqiptarët, me ndarjen nga jeta të udhëheqësit shpirtëror të bektashizmit shqiptar dhe botëror, Kryegjyshit Baba Reshat Bardhi.
Në mesazhin e tij thuhet: “Pas shembjes së diktaturës komuniste, Baba Reshat Bardhi rindërtoi me shpejtësi vlerat e rrënuara nga regjimi barbar të bektashizmit shqiptar. Ai vdiq sot duke lënë mbrapa veprën e tij të frymëzimit për mirëkuptim, paqe, tolerancë e harmoni. Me këtë rast, Kryeministri Berisha i shpreh Kryegjyshatës së vendit, të gjithë bektashinjve shqiptarë ngushëllimet më të sinqerta dhe lutet së bashku me ta që shpirti i ngritur i tij të gjejë paqen e amshuar”. Shpirti i tij u prehtë në paqe!” theksohet në mesazhin ngushëllues të presidentit Topi.
Njëkohësht dhe kreu i LSI-së Ilir Meta ka përcjellë mesazhe ngushëllimi duke deklaruar se kryetari i komunitetit bektashian në Shqipëri, Baba Reshat Bardhi ka dhënë kontribute historike. “Baba Reshat Bardhi ka qënë modeli i tolerancës. Baba Reshat Bardhi ndimoi në rilindjen e besimit” është shprehur Meta në fjalën e tij.