Home Aktualitet Autobuset greve 24 ore, paralizohet Tirana

Autobuset greve 24 ore, paralizohet Tirana

519
0

autobus-unazeTransporti urban sot nuk do të ofrojë shërbim për 24 orë. Sindikata e punonjësve të transportit ka vendosur që asnjë linjë urbane në kryeqytet të mos qarkullojë në Tiranë, duke paralizuar këtë shërbim. Ndërkohë që nga ana tjetër, po nesër, qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile, do të protestojnë sërish kundër rritjes së çmimit të biletës dhe aboneve mujore të shërbimit urban, në orën 12:00, para Ministrisë së Transportit.

Sindikata, në grevë
Punonjësit e transportit, shoferë dhe faturino, në linjat urbane të kryeqytetit, nuk kanë marrë pagat e tre muajve të fundit. Për këtë arsye, sindikata ka vendosur që të bëjnë grevë 24-orëshe.
“Ne, grevën 24-orëshe e bëjmë jo vetëm për pagat e punonjësve që nuk janë marrë, por edhe për të tërhequr vëmendjen e qeverisë për të mos nxjerrë nga shporta sociale shërbimet e transportit publik, por mendojmë që është rasti i aplikimit të marrëveshjes paraprake të arritur midis shoqërive të transportit urban dhe Ministrisë së Transportit, pastaj të bëhet i plotë kalimi i kompetencave te pushtetit vendor”, – tha Zija Hasani, kryetari i sindikatës. Ndërsa nga ana tjetër, Shoqata e Transportit Urban Qytetas kërkon të vihet në zbatim marrëveshja që ata kanë bërë me Ministrinë e Transportit, që bileta e urbanit të shkojë 50 lekë, si dhe të bëhet kompensimi për personat që me ligj e përfitojnë shërbimin urban falas.

Qytetarët, në protestë
Qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë dalë në një tubim paraditen e djeshme, kundër rritjes së çmimit të biletës. Po ashtu, protesta e tyre do të vijojë edhe ditën e sotme, në orën 12:00, para Ministrisë së Transportit. Qytetarët u janë drejtuar autoriteteve të qeverisë të zgjidhin ngërçin dhe jo ta adresojnë problematikën nga një hallkë në tjetrën. “Të mos rritet çmimi i biletës. Dakord, sot veteranët dhe invalidët e përfitojnë këtë shërbim, por jo, kaq nuk mjafton, duhen edhe kategori të tjera: të papunët, pjesëtarët e familjeve në nevojë, studentë. Dëgjon pronarët që thonë ‘dalim me humbje’. E pse duhet t’i besojmë kaq thjesht ne ata? Duam transparencë për koston”, – tha Jani Marka, përfaqësues i shoqërisë civile. Ndër të tjera, ata u bëjnë apel të gjithë qytetarëve që sot të mblidhen në protestë, pasi edhe reagimi i tyre për këtë çështje që i prek drejtpërsëdrejti ka qenë i vogël në protestën e së enjtes. Shoqëria civile, për pesë ditë ka mbledhur 1550 firma, kundër rritjes së çmimit të biletës së transportit urban.

Bashkia
Për situatën kaotike të krijuar në shërbimin e transportit urban në Tiranë ka reaguar sërish Bashkia e Tiranës, duke i kërkuar qeverisë të mos heshtë, si po bën për më shumë se dy muaj rresht. “Qeveria ka zgjedhur të mbyllë veshët dhe të mos dëgjojë problematikën e bërë prezente prej muajsh tashmë; qeveria ka zgjedhur gjithashtu të mos dëgjojë qytetarët, të cilët ditë për ditë kërkojnë që çmimi i biletës të mos rritet; qeveria nuk dëgjon as Shoqatën e Transportit Publik, e cila kërkon zgjidhje për rritjen e kostove të shërbimit të tyre, të shkaktuara nga rritja e çmimit të karburantit; qeveria nuk ka dëgjuar dhe vazhdon të mos dëgjojë as Bashkinë e Tiranës, që prej dy muajsh i ka propozuar mënyrën më të mirë për të zgjidhur këtë çështje”, – tha nënkryetari i bashkisë, Enno Bozdo, i cili ka konfirmuar dhe një herë që zgjidhja nuk qëndron te rritja e çmimit të biletës, por te subvencionimi i operatorëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here