Me 74 votat e mazhorancës, Kuvendi miratoi sot projektligjin për faljen e borxheve. Pas shumë debatesh në sallë mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, e cila e kundërshoi që në fillim votimin e amnistisë fiskale, duke e quajtur atë një projektligj me qëllime elektorale, shumica votoi faljen e borxheve.
* * *
“Opozita e ka vullnetin e mirë të një amnistie fiskale, por ajo kërkon një amnisti reale dhe jo populiste e elektorale”, tha deputetja e PS, Mimi Kodheli, gjatë seancës së sotme parlamentare, ku po diskutohet projektligji për amnistinë fiskale, i propozuar nga qeveria.
Duke e vlerësuar amnistinë si një projektligj me qëllime elektorale dhe të padrejtë, Kodheli tha se opozita kërkon një amnisti gjithëpërfshirëse. “Ky projektligj ka gjetur kundërshtimin e biznesit si diskriminues dhe jofunksional. Kjo e ashtuquajtur amnisti është një tentativë për të reduktuar borxhin e qeverisë”, tha ajo.
“Projektligji që ju na keni paraqitur është në kundërshtim me ligjin “Antimafia”.
Qeveria do të lejojë mbajtësit e parave të pista t’i legalizojnë ato. Amnistia do të sjellë humbje të kredibilitetit të administratës së brishtë tatimore. Amnistia është një alternativë e varfër kundrejt punës për një administratë më të mirë tatimore”, vuri në dukje deputetja socialiste.
Duke theksuar qëndrimin kundër të opozitës ndaj amnistive afatshkurtra që prodhojnë vota elektorale, deputetja e PS-së tha se kjo është një tentativë e mjerë që bëhet për të fajësuar opozitën se ajo është kundër këtij projektligji.
“Ju kërkoni një pazar elektoral, jo një zgjidhje të problemeve të biznesit. Borxhet që ju kërkoni të falni janë borxhe që nuk do t’ju paguhen kurrë, dhe kjo për faj të keqqeverisjes suaj”, tha ajo.
Duke e ftuar mazhorancën të ulet në një diskutim të të gjitha propozimeve nga opozita dhe grupet e interesit, Kodheli theksoi se qeveria nuk mund ta përdorë amnistinë në favor të votave.
“Votat e shqiptarëve nuk mund të blihen me amnistinë fiskale. Shqiptarët kërkojnë një amnisti ekonomike dhe politike që t’u japë atyre shpresën për të dalë nga tuneli ku ata ndodhen sot”, përfundoi Kodheli.
Berisha: Hapeni zemrën, votojeni amnistinë fiskale
“Hapeni zemrën, mos u tregoni shpirtkazmë dhe zemërngurtë. Sot është dita e faljes. Votojeni amnistinë fiskale sepse është dhurata më e bukur që u bëhet për Pashkë qytetarëve”, iu drejtua kryeministri deputetëve sot në seancën parlamentare.
Duke akuzuar kryesocialistin Rama se ka urdhëruar votimin kundër projektligjit, Berisha tha se ky qëndrim i opozitës është qëndrim armiqësor ndaj qeverisë.
“N.q.s. ju mendoni se ne do të amnistojmë paratë që vijnë nga krimi, droga dhe shpk-të tuaja, ta harroni, se jeni në rrugën e vetmisë”, u tha ai deputetëve të opozitës.