Brenda vitit të parë të drejtimit të bashkisë së Tiranës nga Lulzim Basha, do të marrë jetë projekti i zgjatimit të Bulevardit nga Stacioni i Trenit, deri tek Bregu i Lumit. Këtë ka deklaruar Lulzim Basha në njësinë bashkiake numër 9, ku ka prezantuar kandidatin për kryetar të njësisë bashkiake, Indri Fortuzi. Ulje e taksave ne funksion dhe të normalizimit të çmimeve, krijimi i një fondi garancie për kredi të buta për strehimin e çifteve të reja dhe ndërtimi brenda 4 viteve të ardhshme të 1000 apartamenteve sociale, janë ndër prioritetet e programit të kandidatit për kryetar bashkie, Lulzim Basha.
Bulevardi
“Do të vazhdojmë me një vepër e cila mbeti ëndërr, por nën përkushtimin tim si Kryebashkiaku juaj i ardhshëm do fillojë të marrë jetë brenda vitit të parë, zgjatimi i Bulevardit nga Stacioni i Trenit deri tek Bregu i Lumit. Do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë në vlerën e pronës së banorëve të njësisë vendore nr 9, si dhe volumin dhe cilësia e kapitalit që do të investohet në këtë arterie të re dhe të fuqishme, do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të Tiranës. Do t’i ulim taksat duke filluar nga tre javët e mia të para si Kryebashkiaku juaj dhe do bëhet gjithçka për normalizimin e çmimeve në këtë qytet. Unë do të ngre brenda muajit të parë Agjencinë Bashkiake të Mbroptjes së Konsumatorit, e cila do të hulumtojë, identifikojë, raportojë dhe të godasë këdo që spekulon me çmimet në tregjet e qytetit tone”, tha Basha. Ai i sqaroi banorët edhe për fondin e kredimarrjes. “Në platformën time dhe programin që do të nis të zbatoj që nga java e dytë e Majit, parashikohet një fond i veçantë për të lehtësuar kredimarrjen me kredi të zbutura për të gjitha çiftet e reja në qytetin tonë. Brenda katër viteve të ardhshme në territoret publike të Bashkisë së Tiranës, jo vetëm që nuk do të ketë më allishverishe me këto territore, por ato do të vihen në dispozicion të një skeme ndërtimi të 1 mijë apartamenteve sociale”, u shpreh Basha.
Fortuzi
Kush më mirë se një futbollist e di se për të fituar duhet një ekip i mirë, një kapiten i zoti dhe mentalitet kampioni. Pikërisht këto veti që sheh tek ekipi i zotit Basha, e bëjnë Indrit Fortuzin, i njohur nga sportdashësit si “Zogu”, të besojë se më 8 maj do të fitojë Tirana dhe qytetarët e saj. “Që të fitosh duhet të kesh një mentalitet fituesi, që të kesh një mentalitet fituesi duhet të kesh stafin e kampionit. Unë me zotin Basha jemi kampion. Të gjithë do fitojmë”, tha Indrit Fortuzi. Ndërtimi i shkollave dhe kopshteve të reja, i këndeve sportive dhe hapësirave te gjelbra, asfaltimi i çdo rruge e rrugice, janë ndër prioritetet e projektit të Lulzim Bashës, për të nisur ndryshimin e Tiranës nga lagjet e saj.
Berisha në Ballsh: Vitet që vijnë, do të 6-fishohen investimet
“Në katër vite, në këtë rreth janë ndërtuar 90 kilometra rrugë; janë ndërtuar e rindërtuar 10 shkolla; 10 ujësjellës e kanalizime; 8 qendra shëndetësore dhe janë subvencionuar 400 hektarë ullishte e vreshta”. Kështu u shpreh dje kryeministri Berisha në Ballsh, gjatë prezantimit të kandidatit të radhës së koalicionit “Aleanca për qytetarin” për zgjedhjet vendore të 8 majit. “Ne ju garantojmë se vitet që vijnë do të gjashtëfishohen investimet në këtë rreth dhe jam i sigurt se në sektorin e naftës, rafinimit, përpunimit, nxjerrjes së saj do të shumëfishohen investimet, si për fuqizimin e prodhimit dhe për mbrojtjen maksimale të mjedisit”, tha ai. Sipas tij, të fitosh zgjedhjet është një sukses, por ta shndërrosh suksesin tënd në një të mirë për të gjithë komunitetin, kjo është detyra më e vështirë dhe ky është misioni i vërtetë. Ai i ka ftuar më pas fermerët e Mallakastrës, këto katër vite, të mbjellin 4 mijë hektarë ullishte. “Kodrat e Mallakastrës, luginat e saj janë terreni më i shkëlqyer për ullirin dhe drurë të tjerë frutorë, ndaj të punojmë bashkërisht për ta shndërruar Mallakastrën në një nga kopshtet më të mëdha të Shqipërisë”, ishte ftesa publike që bëri Berisha. Duke përfunduar se gjatë viteve të fundit, falë mundit, djersës, sakrificave, mendjes, punës suaj dhe reformave të qeverisë që ju mbështetni, ekonomia shqiptare për të tretin vit qëndron në krye të rritjes ekonomike në Europë. “Vitin që kaloi, eksportet e këtij vendi u rritën me 62 përqind. Ky entuziazëm, kjo rritje e ekonomisë shqiptare bëri të mundur që, në kohën më të vështirë për ekonominë e Europës, ne të dyfishojmë pensionet e ulëta për të gjithë shqiptarët, bëri të mundur që ne të mbidyfishojmë rrogat e mësuesve, infermierëve, mjekëve dhe të administratës, bëri të mundur që, në një hark kohor të shkurtër, ne të ndërtojmë në mbarë vendin mbi 8 mijë kilometra korridore, autostrada, superstrada, rrugë rurale e dytësore, në të katër anët e vendit, bëri të mundur që së bashku të ndërtojmë qindra kilometra ujësjellës- kanalizime. Ju garantoj se në katër vitet që vijnë do të kenë ujë 24 orë të gjithë shqiptarët”, përfundoi Berisha.
Koka dhe Naço prezantojnë kandidatin e LSI-së në Nikël
Deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim Nasip Naço dhe Lefter Koka kanë prezantuar kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” në komunën Nikël, në qarkun e Durrësit, z. Avdi Vathi. Duke vlerësuar punë e bërë prej kohësh dhe mbështetjen që po japin për kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” , z. Koka ka falënderuar mbështetjen që kjo zonë po jep për LSI-në. Kandidati z. Vathi, u shpreh deputeti qarkut të Durrësit z. Koka, është një kandidat që është zgjedhur nga ju dhe do të punojë për ju. Sepse sipas tij, kjo zonë ka nevojë për vëmendje , ka nevojë për investime dhe mbi të gjitha sipas tij, kjo zonë duhet njëherë e mirë të ndahet nga njerëzit abuzues me fondet që vijnë këtë komunitet. Dhe kjo sipas z. Koka do të marr fund njëherë e përgjithmonë me zgjedhjen e z. Vathi në krye të kësaj komune. Ndërsa z. Naço në cilësinë edhe të Ministrit të Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës ishte më konkret duke theksuar se kjo zonë do të ketë vëmendjen e pushteti qendror. Sepse edhe sipas tij, fondet e akorduara për këtë komunë janë shpërdoruar nga kryetari aktual i Niklës.
Abazaj: Do të ndërtojmë shkollë të re në Kombinat
Ndërtimi i një shkolle të re në Kombinat në zonën e rrugës “Shaban Bardhoshi”, ky është premtimi që kryetarja e Njësisë Bashkiake 6 në Kombinat dhe njëkohësisht kandidate për këtë njësi, ju ka bërë banorëve të kësaj zone. Pasi kjo zonë paraqitet mjaft problematike për shkak të mungesës së një shkolle dhe çka vë në rrezik jetën e nxënësve, të cilët për t’u arsimuar ju duhet të kalojnë rrugën që të shkojnë në shkollën në qendër të Kombinatit. Abazaj ka theksuar se ndërtimi i kësaj shkolle do të bëj të mundur që zhvillimi i mësimit të realizohet në kushte komode, pa orare të tejzgjatura, por nga ana tjetër kjo shkollë do të bëjë të mundur punësimin e 50 mësuesve. Nga ana tjetër, Abazaj pohoi se, “ne erdhëm sot këtu me kërkesë të komunitetit që fëmijët mos të jenë më në rrezik dhe mos të jetë më nevoja që gjyshërit apo prindërit të lënë punët e tyre dhe të shoqërojnë fëmijët, ata duhet të jenë të siguruar”. Duke shtuar se “gjatë këtyre katër viteve kemi ecur bashkërisht, atë ç’ka kërkuar komuniteti e kemi bërë ne dhe këtë do bëjmë dhe këtë katërvjeçar. Kanë qenë kërkesat tuaja, por është bërë pengesë Bashkia e Tiranës, e cila na ka mbyllur derën dhe na ka braktisur, kësaj radhe do të jetë ndryshe. Pasi 8 maji do të vërë hallkën e bashkëpunimit mes njësisë bashkiake, Bashkisë së Tiranës e qeverisë. Hapi i parë do jetë përveç përfundimit të rrugës, do jetë dhe shkolla, por dhe kopshtet, dhe nuk do kemi më rrezikshmërinë e rrugës, dhe ju do jeni më të qetë në atë veprimtarinë tuaj ditore. Gjithashtu, janë dhe vetë nxënësit, ata të cilët shprehen të pakënaqur për këtë problem.