Kryeministri Berisha me një vendim surprizë ka vendosur dje që ministri i ri i Brendshëm të jetë Bujar Nishani. Shefi i qeverisë ka dërguar dje për dekretim nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, emrin e Bujar Nishanit si Ministër i Brendshëm. Por vendosja e Bujar Nishanit si ministër i Brendshëm në prag të zgjedhjeve nuk është një vendim i thjeshtë, pas këtij emërimi qëndrojnë tre arsye, të cilat gazeta “Tirana Observer” i zbardh më poshtë.
Arsyeja numër 1
Arsyeja më kryesore është se Bujar Nishani di ti administrojë zgjedhjet mjaft mirë. Gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit 2009, Nishani ishte ministër i Brendshëm. Dhe policia luajti një rol mjaft pozitiv gjatë këtyre zgjedhjeve. Roli i uniformave blu u vlerësua nga misionet ndërkombëtare. Ndërkohë, edhe vetë opozita nuk pati kritika në drejtim të rolit të policisë. Pra, me vendosjen e Nishanit në krye të ministrisë së Brendshme, Berisha kërkon që ky dikaster të jetë në lartësinë e duhur.
Arsyeja numër 2
Rikthimi i Bujar Nishanit në Ministrinë e Brendshme bëhet me koston e lënies pa drejtues të Ministrisë së Drejtësisë, megjithatë mesa duket ishte i pa shmangshëm pas konfliktit të hapur mes drejtorit të forcave speciale në policinë e shtetit, Shemsi Prençi dhe zv.ministrit të Brendshëm Avenir Peka i mbetur në detyrë pas largimit të Lulzim Bashës. Zyrtari i policisë paditi ministrin në detyrë për ndërhyrje në çështjet operacionale të policisë, pas një incidenti të ndodhur në Bathore dy javë më parë. Me këtë vendim, Berisha kërkon të ulë tonet e opozitës për një përdorim të ministrisë së Brendshme nga Lulzim Basha për zgjedhjet e 8 majit
Arsyeja numër 3
Arsyeja e tretë për nga radha, por jo nga rëndësia, është mos kontestimi i opozitës për këtë figurë. Nishani që kur u bë ministër i Drejtësisë, por edhe kur ishte në krye të uniformave blu ka qenë larg sulmeve të opozitës. Ndërkohë edhe vetë Nishani gjatë këtyre kuajve ka mbajtur një qëndrim të profilit të ulët, duke mos bërë kurrë deklarata kundër opozitës, siç bëjnë rëndom shumica e ministrave. Pra, opozita do ta pranojë Nishanin si ministër të Brendshëm, duke parë se statura e tij politike premton shumë.