Për të shmangur problemet me kreditë bankare që i kanë sjellë sekuestrimin një e nga një të pasurive të biznesmenit të hidrokarbureve, Xhevat Rira kishte zgjedhur të ndërtonte një skemë piramidale, duke marrë tek persona të ndryshëm sasi të konsiderueshme lekësh, me premtimin se do jua kthente me interes më të lartë. Biznesmeni i njohur, njëherësh dhe konsulli Shqiptar i Nderit në Ukrainë, mësohet të ketë përvetësuar një shifër prej 30 milionë lekë të reja, duke ia marrë në raste të ndryshme 9 personave.
Xhevat Rira është arrestuar këtë paradite, pasi Gjykata e Elbasanit ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”
Sipas skemës, e cila tashmë është e qartë për Njësinë Task-Force të Prokurorisë së Elbasanit, Rira u merrte hua personave të ndryshëm, me premtimin se brenda një afati kohor të përcaktuar do t’ua kthente me interesa, të cilat ishin më të larta se sa ato me të cilat operojnë bankat e nivelit të dytë në Shqipëri.
Sipas hetimeve, të cilat janë nisur në bazë të kallëzimeve të 9 shtetasve, rezulton se i dyshuari Rira, pasi u merrte paratë me fajde, nuk ua kthente këto para, duke i mashtruar për një kohë të gjatë dhe deri sa, kohët e fundit, u shmangej dhe nuk i takonte personat që i kishin dhënë hua.
65-vjeçari Rira, është administrator i një ndër firmave të para në Shqipëri në fushën e hidrokarbureve, “RIRA sh.a”, por prej vitesh ai ka qenë edhe konsull nderi i Shqipërisë në Ukrainë. Gjithashtu Rira ka qenë edhe President i klubeve të futbollit në rrethin e Librazhdit si Sopoti dhe Domosdova.
Marrja e huave
Nga dokumentacioni i dorëzuar prej kallëzuesve rezulton se kryesisht subjekti “RIRA” ka kryer një aktivitet huamarrës nga individët duke u dhënë atyre vërtetime ku provohej shuma e dhënë hua, data dhe përqindja e interesit, pa afat kohor të përcaktuar. Në bazë të këtyre vërtetimeve, rezulton se shtetasi Xhevat Rira u ka marrë hua personave në kohë të ndryshme.
Kështu, në vitin 2004 u ka marrë hua 4 personave, në vitin 2006 një personi, në vitin 2007 dy personave dhe në vitin 2009 një personi. Nga këta persona, rezulton se një personi të vetëm i ka marrë hua në shuma të ndryshme në vitin 2004, 2005 dhe 2009. Në kuadër të hetimeve, janë marrë në rrugë proceduriale deklarimet e kallëzuesve, të cilat kanë shpjeguar kohën, rrethanat dhe mënyrën se si ia kanë dhënë paratë e tyre me fajde shtetasit Xhevat Rira, si edhe interesat që u duhej të merrnin në bazë të marrëveshjeve jashtë zyrave noteriale.
Refuzoi të dëshmojë
Është kërkuar paraqitja për të dëshmuar Xhevat Rira, për të sqaruar të gjithë këtë situatë dhe për çfarë kallëzohet penalisht, por asnjëherë nuk është paraqitur në organin e akuzës. Është lëshuar urdhër për shoqërim të detyrueshëm, por vendndodhja e tij nuk dihet dhe ai nuk është gjendur në adresat e vjetra që ka pasur me parë. Janë verifikuar në bankat e nivelit të dytë të gjithë llogaritë bankare të hapura në emër të Xhevat Rira apo të subjektit RIRA sh.a. Ka rezultuar se nuk kanë gjendje likuiditeti në banka dhe se ato llogari janë të bllokuara nga Bashkia Tirane, Bashkia Elbasan.