Tre punonjës policie u arrestuan këtë të djelë, nën akuzë se kanë abuzuar me detyrën duke lejuar arratisjen nga komisariat 3 të këngëtarit Arkimed Lushaj, njohur për publikun shqiptar me emrin e artit “Stresi”. Po ashtu, 9 te tjere jane pezulluar, dhe zv. shefi i këtij komisariati.
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm arrestoi në flagrancë:
39-vjeçarin Saimir Cinga, me detyrë Ndihmës Specialist për Linjat Interurbane në Njësinë e Qarkullimit Rrugor Tiranë
48-vjeçarin Bashkim Dybeli me detyrë trupë shërbimi në Komisariatin Rajonal të Qarkullimit Rrugor Tiranë
46-vjeçar Mark Gjonpalaj, me detyrë oficer i Policisë Gjyqësore pranë Komisariatit Rajonal të Policisë së Qarkullimit Rrugor Tiranë.
Policia në një njoftim zyrtar ka theksuar se këta tre punonjës të policisë për shkak të veprimeve ose mos veprimeve të tyre në mospërputhje të rregullt të detyrës kanë sjellë si pasojë largimin e Arkimed Lushaj nga ambientet e policisë Gjyqësore Rrugore në rrugën “Mine Peza”.
Stresi ishte arrestuar në kushtet e flagrancës duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi. Pas ndalimit, Stresi ka kundërshtuar urdhrin e efektivëve të qarkullimit për shoqërimin në komisariat. Megjithatë efektivët e kanë dërguar Arkimed Lushajn në ambientet e Policisë Gjyqësore Rrugore pranë komisariatit numër 3 në Tiranë.
Gjatë marrjes në pyetje Stresi është hedhur nga dritarja e katit të dytë të komisariatit dhe policia e shtetit e ka shpallur atë në kërkim.
Burime nga Policia e Tiranës thane për A1 REPORT se masat për këtë ngjarje janë paraprake pasi në përfundim të raportit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm do të ketë dhe ndryshime në këtë komisariat në strukturat drejtuese.
Arkimed Lushaj është arrestuar dhe herë të tjera nga policia deri dhe në armëmbajtje pa leje, por me vendimet e gjykatës ai ka mundur të fitojë lirinë.