Home ShowBiz Festivali i 52-të në RTSH, largohet Diellza

Festivali i 52-të në RTSH, largohet Diellza

662
0

diellza-kolgeciSot, do të vendoset emri që do të zëvendësojë Diellza Kolgecin në prezantimin e festivalit të Këngës në RTSH.
Dje organizatorët e festivalit kanë diskutuar emrat e mundshëm që do të ngjiten në skenën e Pallatit të Kongreseve të cilët do të ofrojnë një surprizë më vete për festivalin dhe prezantimin.

Janë shqyrtuar emra nga fusha e modelingut dhe filmit dhe ndërkohë kanë filluar audiencat për kandidatet fituese.
Kandidatet kanë qenë të shumta çka tregon vëmendje të rinisë për festivalin traditë të RTSH-së, eventi më i rëndësishëm i fundit të vitit.

Tashmë diskutohet më shumë se një emër që do të vihet në krah të Enkel Demit, por se si do të jetë formula e prezantimit përfundimisht vendoset sot.
Siç dihet tashmë deri këtë fillim javë prezantuesja e festivalit do të ishte Diellza Kolgeci.
Por marrëveshja me të u prish sepse modelja kosovare i kaloi kufitje e kontratës duke kërkuar më shumë sesa marrëveshja parashikonte si; udhëtimet vajtje ardhje, sa herë të ishte nevoja për në Tiranë, ndryshimin e stilistit dhe përfitime të tjera të cilat i tejkalonin shpenzimet e miratuara nga Këshilli Drejtues i RTSH për festivalin.

Sipas burimeve pranë këtij festivali, këto mosmarrëveshje, të përkthyera në teka të Kolgecit, nuk ishin të shkruara në kontratën që ishte bërë mes saj dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar, Petrit Becit. Si përfundim ajo u tërhoq dhe me miratimin e stafit organizator u vendos për dy vajzat e tjera të cilat premtojnë një prezantim ndryshe të festivalit.

Formula
Siç dihet tashmë formula e këtij viti e festivalit të këngës parashikon që natën e parë të festivalit të prezantohen tetë këngë konkurente dhe tetë të tjerat natën e dytë.
Përgjatë dy netëve të para në skenën e Festivalit të Këngës do të jenë të pranishëm edhe artistë të njohur “Big”, të cilët do të këndojnë duete me konkurentët e këtij viti, këngë të njohura të kënduara përgjatë viteve në skenën e festivalit të RTSH-së çka do të shtojë edhe më shumë nivelin e performancës së këtij eventi.
E ndërkohë që këngët konkurente kanë përfunduar janë përcaktuar gjithashtu edhe duetet që do të performojnë në skenë gjatë dy netëve të para.
Kështu pas çdo kënge konkuruese, këngëtari konkurent do të vijojë të mbetet në skenë, por kësaj here për të interpretuar një këngë të njohur me një BIG.
Ndër çiftet që do të interpretojnë përgjatë dy netëve të festivalit do të jenë: Altin Goci me Edmond Mancakun dhe Entela Zhula, Flaka Krelani me Saimir Brahon, Rovena Dilo me Klodian Kacanin, Mira Konçi me Luiz Ejllin, Juliana Pasha me Marjeta Billon, Kastriot Tusha me Herciana Matmujën, Elton Deda me Rezarta Smajën, Kejsi Tola (fituese dhe perfaqësuese e Shqipërisë në Eurosong), me Renis Gjokën, Redon Makashi me Xhejn dhe Enxhi Kumrija, Eneda Tarifa me Grupin LYNX, Eranda Libohova me Xhejs Jorgaqin dhe Kamela Islami me Orges Toçen.
Në këtë mënyrë këngëtarët konkurentë do të kenë kështu një lloj mbështetje të personazheve BIG të skenës shqiptare dhe një prezantim të dytë, pas atij konkurues, duke pasur mundësi të njihen më mirë nga publiku.
Vlen të thuhet që konkurentët e këtij viti të Festivalit të Këngës në RTSH janë emra të njohur, sfidues dhe të talentuar në muzikën shqiptare, shumica prej të cilëve mbajnë zgjuar jetën e natës në kryeqytet.

Festivali
Në edicioninn e 52-të të festivalit të Këngës në RTSH do të konkurojnë për çmimin e madh 16 këngë të përzgjedhura ndër 40 kandidatura të paraqitura pranë redaksisë së festivalit.
Ato do të interpretohen live në skenën e Pallatit të Kongreseve përgjatë tri netëve.
Kjo ka qenë formula e festivalit të këtij viti, e aprovuar nga Bordi Drejtues i RTSH-së, i cili gjithashtu ka vendosur që ky edicion të zhvillohet në datat 26, 27 dhe 28 dhjetor.
Këtë vit drejtor i Festivalit do të jetë Alfons Zeneli, njëherësh edhe drejtor i Radio Tirana.

Drejtorët Artistikë të festivalit do të jenë Edmond Zhulali dhe Shpëtim Saraçi, producent muzikor do të jetë kompozitori Alfred Kaçinari, skenaristë Alda Bida ndërsa regjia e festivalit të këtij viti i është besuar Petri Bozos. Juria që do të gjykojë këngët gjatë netëve të festivalit mbahet ende e fshehtë, për t’u prezantuar më vonë si një prej surprizave të këtij festivali.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here