Partia Socialiste mbledh sot Asamblenë Kombëtare për të vendosur mbi qëndrimin që do të mbajnë ndaj maxhorancës dhe qeverisë Berisha.
“Gazeta Shqiptare” shkruan sot se një grup deputetësh të PS-së kanë hartuar mbrëmë një dokument, ku shprehet qëndrimi i PS-së, e cila e vlerëson si tepër të rëndë situatën politike në vend. Ne dokumentin i cili do tu paraqitet sot anëtarëve të Asamblesë, shprehet se PS ndjen përgjegjshmërinë për pritshmërinë që ka populli shqiptar prej saj, ndaj edhe do të vijojë një aksion të ashpër politik për largimin e kësaj qeverie dhe bërjen e zgjedhjeve të parakohshme, ndoshta edhe para atyre të 8 majit, nëse është e mundur. Ndërkohë që shumë shpejt brenda janarit pritet të organizohet protesta më e madhe ndonjëherë.
Më tej, në dokument drejtuesit e PS-së shprehen për një vijim të marrëdhënieve të kushtëzuara me maxhorancën e Parlamentin.
Në mbledhjen e sotme pritet një fjalë e ashpër e kreut të PS-së, Edi Rama, i cili pritet të mos lerë pa përmendur edhe videon e fundit të bisedës së zv/kryeministrit Ilir Meta e ish-ministrit Dritan Prifti.
Nga ana tjetër pritet që një pjesë e anëtarëve të Asamblesë të kërkojnë radikalizim të veprimeve deri edhe bojkot total të Parlamentit dhe institucioneve të tjera, ku opozita ka praninë e saj me ligj. Në radhët e këtyre anëtarëve bëjnë pjesë ata që përjetuan më shumë se dy javë, në maj të vitit 2010, grevën e urisë. Burimet bëjnë të ditur se në dokumentin, që do t’i paraqitet Asamblesë do të lihet e hapur mundësia për bojkot total të institucioneve, por ende nuk mund të flitet për mosnjohje të qeverisë dhe kalimin në një qëndrim ekstrem të socialistëve.