Të dhënat e Bankës së Shqipërisë: Shifra më e ulët që nga viti 2004. Sollën në Shqipëri vetëm 228 milionë euro në 6 muaj.
Emigrantët kanë dërguar më pak para drejt Shqipërisë në tremujorin e dytë të këtij viti dhe ky sigurisht nuk është lajm i mirë për ekonominë. Rritja graduale në disa vite dhe më pas qëndrimi stabël në periudhën e krizës është vlerësuar nga institucionet ndërkombëtare si një tregues që ka ndikuar pozitivisht në përmirësimin e balancës së llogarisë korrente, por situata tashmë nuk është njëlloj. Rënia e dërgesave të emigrantëve për gjysmën e parë të këtij viti është e madhe, madje në tremujorin e dytë remitancat shënuan një vlerë më të ulët sesa në vitin 2004.
SHIFRAT
Në fund të qershorit, dërgesat e emigrantëve drejt Shqipërisë ishin 105 milionë euro. Ky nivel ka ardhur në rënie nëse e krahasojmë me një tremujor më parë, ku remitancat shënonin 122 milionë euro. Krahasuar me një vit më parë, rënia është edhe më e madhe, me gati 68 milionë euro. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të qershorit të 2012-s remitancat shënonin vlerën 173 milionë euro. Ajo që realisht tregon se tashmë mbështetja te remitancat do të jetë gjithmonë e më e ulët, është edhe fakti që rënia më e fortë ka ndodhur në një tremujor, që tradicionalisht ka pasur rritje krahasuar me tremujorin paraardhës. Pra dërgesat kanë qenë më të mëdha në dy tremujorë ai prill-qershor dhe tetor-dhjetor, e lidhur kjo drejtpërdrejt me kthimin e emigrantëve për pushime në qershor dhe dhjetor. Në fakt, fundi i qershorit 2013 shënoi një nivel më të ulët dërgesash sesa vetë tremujori i parë i vitit.
SHKAQET
Rënia e dërgesave të emigrantëve lidhet drejtpërdrejt me kushtet në vendet ku ata jetojnë. Referuar shifrave zyrtare të bëra publike vit pas viti, shumica e emigrantëve jetojnë dhe punojnë në vende fqinje si Greqia dhe Italia, dy vende në krizë. Arsyeja e parë e rënies së dërgesave lidhet me papunësinë në këto vende, që ka prekur së pari emigrantët. Në kushtet më të vështira ekonomike Greqia ka qenë edhe vendi ku papunësia ndër emigrantë ka qenë më e theksuar. Por, përpos kësaj, edhe ata që ende janë të punësuar, kanë një tjetër arsye të uljes së dërgesave drejt Shqipërisë dhe kjo lidhet me integrimin në jetën e vendit ku jetojnë. Një pjesë e mirë e emigrantëve që punojnë prej shumë vitesh në vendet fqinje, duket se preferojnë që të integrohen në çdo aspekt në atë vend, përfshirë këtu edhe mbajtjen e llogarive bankare në vendet ku janë apo investimin në këto vende.