Home Aktualitet Video-skandali, Rama: Berisha- Meta po tallen me shqiptarët

Video-skandali, Rama: Berisha- Meta po tallen me shqiptarët

126
1

Kreu i PS-së, Edi Rama, ka deklaruar se Berisha dhe Meta po provokojnë rëndë shqiptarët. Rama i është përgjigjur deklaratave të Berishës dhe Metës, të cilët deklaruar se video skandaloze e Ilir Metës është montuar pikërisht nga Edi Rama.

Sipas këtij të fundit, Berisha-Meta po mohojnë një të vërtetë të zbuluar në dritë të diellit, duke u tallur me shqiptarët. Rama ka thënë se tashmë kjo dyshe duhet të largohet nga qeverisja, pasi nuk bëjnë gjë tjetër veçse përçmojnë popullin shqiptar.

Sipas Ramës, në vend që Berisha dhe Meta të reflektojnë dhe të marrin masa për këtë rast, akuzojnë opozitën, a thua se korrupsioni është bërë nga kjo e fundit.
Rama premton reagim të ashpër të opozitës
TIRANË – Pak orë pas daljes publike të zëvendëskryeministrit dhe kryeministrit, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vlerësoi se ajo që populli pa u bë shumëfish më e rëndë dje duke dëgjuar Metën dhe Saliun.
Nga selia rozë, kryesocialisti, duke iu referuar përgjimit të publikuar, tha se u pa nga të gjithë, me zë e me figurë, një ndër episodet e panumërta që ndodhin prej kohësh nën çatinë e qeverisë së krijuar me vota të vjedhura për të vjedhur Shqipërinë.
“Ndërsa ndje, u panë e u dëgjuan, të dy bashkë, kryeministri dhe zëvendësi i tij, kusari i zgjedhjeve të 28 qershorit dhe matrapazi i votave opozitare, t’u tregonin shqiptarëve se jo vetëm kanë vjedhur votat për të vjedhur Shqipërinë, po me fuqinë e shtetit të kapur e të parasë së pistë, duan të vazhdojnë të vjedhin votat e të plaçkitin gjithçka, madje duke u tallur me një popull të tërë”, – vlerësoi Rama.
Për kryesocialistin, dje ndodhi diçka edhe më e rëndë, sepse botërisht, ai që duhet të largohej dhe ai që duhet ta largonte, njëri zëvendës e tjetri kryeministër, i dhanë popullit provën tronditëse se pse janë bërë bashkë, pse rrinë bashkë, e madje, pse duan të vazhdojnë të rrinë bashke në koalicionin që kanë krijuar me vota të vjedhura për të vjedhur Shqipërinë. Sipas tij, është e padrejtë të thuhet se në atë episod të neveritshëm matrapazllëku ishte vetëm Ilir Meta.
“Sot mund të thuhet pa asnjë dyshim se aty ishte edhe Saliu dora vetë, i cili mesa duket, në këtë çift qeveritar të të hollit me të trashin, paska rolin e atij që mban popullin me muhabet duke folur për kumbulla të kuqe e për bllokun, sa në qeveri e sa në parlament, në ndërkohë që tjetri gjezdiska me bllok në dorë, nga ministria në ministri, për të bërë rrush e kumbulla lekët e shqiptarëve dhe leckosur e nxjerrë Shqipërinë me këpucë të kuqe siç thotë populli”, – deklaroi Rama.
Kryetari i Partisë Socialiste e cilësoi ngjarjen si episodin më të turpshëm që ka tronditur vendin dhe është thjesht një provë më shumë, në malin e provave, fakteve e grupfakteve të dokumentuara të keqqeverisjes së Saliut e Metës.
Të cilat, tha ai, PS i ka denoncuar e do të vazhdojnë t’i denoncojnë publikisht, pa u ndalur përpara asgjëje dhe pa u zmbrapsur asnjë fije nga furia e makinerisë qeveritare të baltës. “E di dhe e ndjej që shqiptaret presin një reagim të fortë, në lartësinë e detyrës sonë, prej nesh si partia më e madhe politike e vendit apo si koalicion opozitar.
Dhe premtoj se ky reagim nuk do të mungojë. Pasnesër Asambleja jonë Kombëtare do të shpalle konkluzionet e vendimet përkatëse”, – paralajmëroi kryetari i opozitës.
Gjatë fjalës së tij, Rama nënvizoi se sot më shumë se kurrë qysh se votat u vodhën për të vjedhur Shqipërinë, është dita që çdo shqiptar i arsyeshëm, jo vetëm të kuptojë, por edhe të jetë në lartësinë e detyrës qytetare për të larguar një qeveri që jo vetëm grabit përditë, jo vetëm vazhdon të provojë e të provohet se synon të vjedhë përsëri zgjedhjet për të vazhduar të vjedhë Shqipërinë, po ka edhe pafytyrësinë e paturpësinë e skajshme të tallet me shqiptarët, duke mohuar sy për sy, deri edhe gjëra që shihen e flasin vetë. “Jep normalisht dorëheqjen apo largohet një ministër ose një qeveri që del nga vota e popullit dhe varet prej votës së tij.
Sepse dihet që në demokraci dorëheqja apo largimi janë e vetmja mënyrë për të lehtësuar barrën e një faji të këtij lloji para zgjedhësve dhe pastaj edhe peshën e gjykimit të popullit në zgjedhjet e ardhshme”, – u shpreh kreu i selisë rozë.

Previous articleMeta: Përgjimi, shantazh, lë imunitetin për tu hetuar. Prokuroria nis hetimet
Next articlePS mbledh sot Asamblenë Kombëtare

1 COMMENT

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here