Home Sport Shqiperia mundet ne Qemal Stafa, Sllovenia fiton 2-1

Shqiperia mundet ne Qemal Stafa, Sllovenia fiton 2-1

620
0

Falë një goli me penallti të realizuar nga Zlatko Zediç në minutën e 90-të, Sllovenia fitoi 2-1 në miqësoren me Shqipërinë të zhvilluar në “Qemal Stafa”, në fitoren e tretë të sllovenëve në pesë takime kundër kuqezinjve tanë, të shoqëruar edhe me humbjen e parë të Kombëtares sonë pas një serie pozitive prej takimesh.

Një humbje e hidhur, ndoshta e pamerituar, por që mbart në vetvete një sinjal që duhet përkthyer pozitivisht për të përmirësuar disa mangësi përpara ndeshjes zyrtare të kualifikueseve të Kampionatit Europian 2012 me Bjellorusinë, më 26 mars 2011.

Në mungesë edhe një fantazisti të pastër dhe një postimi në krah të Klodian Duros, Shqipëria zhvilloi një pjesë të parë të paqartë dhe shumë të varfër, pa rrezikuar asnjëherë seriozisht portën sllovene të mbrojtur nga Jasmin Handanoviç, i cili luan në Serie B me Empolin. Momenti kulmor i 45 minutave të para ishte pikërisht goli i shënuar nga Sllovenia me anë të kapitenit të saj, Milivoej Novakoviç, sulmuesit të Këlnit në Bundesliga 1. Novakoviç i shpëtoi mbulimit të Admir Teli për të realizuar në minutën e 24-t. Goli i tij i 19-të me përfaqësuesen sllovene.

Trajneri Kuzhe bëri disa ndryshime pas minutave të para të pjesës së dytë, përfshirë dhe zëvendësimin e kapitenit Altin Lala, me këtë te fundit që barazoi rekordin e Foto Strakoshës përsa u përket numrit të ndeshjeve me përfaqësuesen, secili nga 73.

Zëvendësuesi Ervin Bulku u bë lojtari i parë shqiptar që ka shënuar kundër Sllovenisë, në pesë takime kundër ekipit ballkanik. Mesfushori shkatërrues i Hajdukut të Splitit shënoi një eurogol nga rreth 28 metra në minutën e 62-të pas një pasimi të marrë nga zëvendëskapiteni Lorik Cana. Në katër takimet e para kundër Sllovenisë, Shqipëria nuk kishte shënuar asnjë gol, teksa kishte pësuar tre të tillë.

Admir Teli shpëtoi portën në minutën e 69-të, kur mbrojtësi shqiptar që luan në Azerbaxhan me Karabak hoqi topin pa kaluar vijën e portës, ndërkohë që tri minuta më pas, Sllovenia goditi shtyllën pingule te portës së mbrojtur nga zëvendësuesi Arjan Beqaj.

Lorik Cana zhvilloi një superndeshje, duke rikonfirmuar veten se është lojtari më në formë i përfaqësueses dhe pika e referimit e të ardhmes së Kombëtares për edicionet e ardhshme, nisur dhe nga fakti se veteranë të tillë si Lala, Bogdani, Duro dhe Skela mund të jenë në kualifikueset e fundit të tyre me Kombëtaren.

Me ndërrimet e bëra, Beqaj, Bulku, Muzaka, Bakaj, por Memushaj i dhanë më shumë impuls lojës. Në minutën e 89-të, një pasim i gabuar i Memushajt, solli brenda zonës sllovenin Ljubijankiç, ndërkohë që Lorik Cana e frenoi në mënyrë të parregullt. Gjyqtari grek Kukalikis akordoi penallti të cilën e realizoi sulmuesi i Bokumit, Zlatko Zediç. 1-2 për Slloveninë, një rezultat i pamerituar i Shqipërisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here