Home Aktualitet Meta: Përgjimi, shantazh, lë imunitetin për tu hetuar. Prokuroria nis hetimet

Meta: Përgjimi, shantazh, lë imunitetin për tu hetuar. Prokuroria nis hetimet

642
0

Zëvendëskryeministri Ilir Meta ka hedhur poshtë si “shantazh” akuzat e ngritura kundër tij nëpërmjet një bisede të regjistruar fshehurazi që ai bën me Dritan Priftin. Në një konferencë shtypi të martën në mëngjes, Meta mohoi në mënyrë kategorike çdo aludim në adresë të tij. Meta tha se ishte fjala për një montim dhe manipulim të bisedës bërë për shkaqe politike. Ai la të kuptohej se pas kësaj “qëndron Partia Socialiste dhe kryetari i saj Edi Rama”. Meta ftoi Prokurorinë që të hetojë mbi ngjarjen dhe tha se është i gatshëm të lërë imunitetin e tij për këtë qëllim.
Reagimi i Metës
Për Ilir Metën përgjimi që u dha nga emisioni “Fiks Fare” ishte një bllof politik, duke shtuar se është i gatshëm të lërë imunitetin për t`u hetuar nga Prokuroria. “Ky përgjim i pështirë si vetë organizatorët e tij është kryekëput një bllof i shëmtuar politik dhe moral i cili është bërë në kuadër të shantazheve të bëra ndaj personit tim nga krimi i organizuar për shkak të detyrave të mia” theksoi Meta. Gjithashtu Meta është shprehur se i ka dërguar një letër Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, se ai është i gatshëm të lërë imunitetin nëse Prokuroria kërkon të hetojë për akuzat e ngritura ndaj tij. “Dua të bëj të ditur lidhur me letrën time zyrtare të dërguar Kryetares së Kuvendit ku për të konkretizuar angazhimin tim si kryetar i LSI-së dhe në dobi të transparencës të çdo akuze, për lënie njëherë e përgjithmonë të imunitetit për të kontribuar për luftën kundër korrupsionit dhe forcimit të shtetit ligjor”, theksoi më tej Meta duke shtuar se me anë të kësaj shkrese zyrtare Kryetarja e Kuvendit nuk ka nevojë të mbledhë Kuvendin për t`i hequr imunitetin pasi ai e dorëzon atë vullnetarisht.
Akuza ndaj Ramës
Duke u shprehur i hapur për çdo hetim nga Prokuroria dhe duke e cilësuar videon si një montim të pështirë politik dhe mafioz, zëvendëskryeministri Meta ka akuzuar kreun e PS-së Edi Rama se është organizatori i kësaj video. “I bëj thirrje Prokurorisë të bëjë hetime për të gjitha ato manipulime dhe montazhe që janë bërë jo thjesht për të denigruar personalitetin tim në mënyrë të pamoralshme dhe tinzare por që është një standard i pështirë që Rama kërkon të sjellë në luftën politike dhe kjo duhet të marrë fund njëherë e mirë” shtoi Meta. Kreu i LSI-së shtoi gjithashtu se pasi ka marrë vesh për ekzistencën e videos ka njoftuar aleatin qeverisës. “Unë e kam vënë në dijeni kryeministrin lidhur me shantazhet që më janë bërë përmes gjoja një përgjimi për të bashkëpunuar me organizatorët e gjithë kësaj historie mafioze dhe banale” tha Meta. Meta ka mohuar të ketë favorizuar ndonjë kompani në tendera, ndërkohe ka kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme zbardhjen e shantazhit.
Si u filmua biseda Meta-Prifti
Biseda e përgjuar që Ilir Meta ka bërë me Dritan Priftin në marsin e vitit të shkuar është filmuar nga vetë protagonistët. Bëhet e ditur se biseda është zhvilluar në zyrën e ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Priftit, dhe ka qenë e programuar për t’u regjistruar. Prifti duke ndjerë krisjet që po i vinin me Ilir Metën ka menduar që të ketë një material ku të mund të jetë superior ndaj kreut të LSI-së. Nga sa bëhet e ditur kamera ka qenë e instaluar në kompjuterin që ndodhej në kënd të zyrës dhe nuk ka rënë fare në sy se ka qenë duke regjistruar… Gjatë kësaj kohe Prifti ka bërë konsultime të ndryshme për të parë mundësinë nëse ka shkelje ose jo po të publikohet video. Këshilltarët e tij juridik kanë thënë se nuk ka shkelje pasi është një bisedë pune dhe zhvillohet në ambientet e punës dhe jo në shtëpi…
Mazhoranca reagon pas publikimit të videos Meta-Prifti

PD: Mbështesim veprimin e Metës për imunitetin
Partia Demokratike ka mbështetur veprimin e Ilir Metës për lënien e imunitetit. Zëdhënësja e kësaj Partie, Albana Mustafaraj, tha se drejtësia do të zbardhë të vërtetën e videos që ajo e cilësoi të manipuluar. “Kryetari i PD dhe njëkohësisht kryeministri i vendit, zoti Sali Berisha vlerëson vendimin më të fundit të kryetarit të LSI dhe zëvendëskryeministrit të vendit, zotit Ilir Meta për të dorëzuar imunitetin e tij parlamentar dhe për t’iu përgjigjur një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm të çështjes nga organet kompetente. Kryeministri Berisha i bën thirrje prokurorisë dhe të gjitha organeve të drejtësisë, kompetente, të ndërmarrin hetim të plotë dhe të gjithanshëm për këtë çështje. Ai garanton se qeveria e tij do të krijojë të gjitha lehtësirat për hetimin të plotë të saj, si dhe për çdo çështje që ka të bëjë me autoritetet e administratës së këtij vendi. Zoti Berisha dhe PD dënon trukimin e neveritshëm dhe diletantesk për qëllime amorale politike të videos nga kreu i PS, Edi Rama. Kreu i PD, zoti Sali Berisha ka besim të plotë se të gjitha organet kompetente do të hetojnë çdo detaj të kësaj çështje, duke bërë që ligji të veprojë njësoj për të gjithë, dhe është i bindur se drejtësia do të thotë në mënyrë të pavarur fjalën e saj”, tha Albana Mustafaraj, zëdhënëse e PD.

LSI reagon për publikimin e videos të një bisede mes Metës dhe Priftit

Vasili: Vendimi i drejtë i Metës për të lënë imunitetin

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, duke reaguar për deklaratat e kreut socialist, Edi Rama, theksoi se ai përdori këtë radhë çimkën e gabuar për të argumentuar dalldisjen e tij mediatike. “Kryetari i çimkave e akuzoi për javë të tëra këtë çimkë si të kryekorruptuarin e vendit, si simbolin e çdo pune të pisët në këtë vend, si turpin shtetëror më të madh, dhe i kërkoi mijëra herë dorëheqjen dhe shkarkimin”, tha Vasili. Ai shtoi se Prifti pat deklaruar se e kishte parë Ramën të merrte kokainë si dhe e kishte akuzuar si më të korruptuarin dhe autor të punëve të pista. “Por sot të gjithë dëgjuan më në fund që këto dy çimka i gjati dhe i shkurtri ishin bashkë se ishin tallur me shqiptarët sa kishin dashur se nuk kruhej barku hiç për korrupsionin dhe paratë e shqiptareve por vetëm kishin hallin e rrëmbimit të pushtetit me çimka për të shqyer paratë e shqiptarëve”, vijoi ai. Nënkryetari i LSI-së tha se Rama së bashku me Priftin tentuan për muaj të tërë që të arrinin një marrëveshje me Metën duke i bërë shantazh, por kur i humbën shpresat “vollën” atë përgjim të neveritshëm dhe të manipuluar. “Kryetari i Partisë Socialiste si përfaqësues e frymëzues dhe mbështetës i standardit të pështirë të përgjimeve e çimkave është sot përfaqësues i antimoralit që shqiptarët e kanë refuzuar e përbuzur pa asnjë mëdyshje”, vijoi ai. Sipas Vasilit, standardi i ri i kryetarit të partisë socialiste është tashmë nga shndërrimi nga kryetari i kutive ne kryetarin e çimkave. Në fund të deklaratës, Vasili përshëndeti vendimin e Metës për heqjen dorë nga imuniteti si dhe kërkoi nga prokuroria hetime.

Prokurorët sekuestrojnë kasetën nga “Fiks Fare”

Video-përgjimi Meta-Prifti, Prokuroria hap hetimet

Prokuroria e Tiranës sekuestron kasetën e video-përgjimit ku zv.kryeministri Ilir Meta dhe ish ministri i Energjetikës, Dritan Prifti flasin për afera që ka të bëjnë me dhënien e një tenderi, anulimin e një tenderi tjetër dhe punësimin e një militanti. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp dje paradite rreth orës 11.00 Prokuroria e Tiranës informon se ka nisur regjistrimin e procedimit penal “për veprën penale të korrupsionit pasiv të funksionarëve të shtetërorë, të korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë si dhe për veprën penale të shpërdorimit të detyrës”. Në funksion të këtij procedimi, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka vendosur të sekuestrohet kaseta filmike e shfaqur në emisionin “Fiks Fare” si provë materiale. Njëkohësisht, paralelisht me këtë sekuestrim, grupi hetimor i ngritur me këtë qëllim, po kryen veprimet e nevojshme hetimore.

Ish-ministri i Ekonomisë reagon pas videos që publikoi “Top-Channel”

Prifti: Video është më e gjatë, do ia dorëzoj ambasadorëve

Pas publikimit të videos ku ishte regjistruar një bisedë mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit erdhi dhe reagimi i këtij të fundit, duke thënë se ai regjistrim është më i gjatë dhe se vetë ish ministri i Ekonomisë, do e vërë në dispozicion të Prokurorisë dhe të gjithë trupit diplomatik që ndodhet në Tiranë.
Reagim i Priftit
Tashmë kur është larguar nga radhët e LSI-së, pas prishjes së marrëdhënieve me Metën që çoi në largimin e tij nga posti i Ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti siguron se të gjitha ato çfarë thuhet në video janë thënie të vërteta të Ilir Metës. “Kam ndjekur me vëmendje dje emisionin “Fiks Fare” dhe sot reagimin e “kristaltë” të Ilir Metës, ku mohon presionin që ka bërë ndaj meje për t’u dhënë tendera dhe koncesione miqve të tij. Për publikun dua të konfirmoj si dëshmitar i ngjarjes, se videoja e shfaqur në “Fiks Fare” është e saktë dhe përmban thënie origjinale të Ilir Metës në bisedën me mua”, ka pohuar Prifti.
Posedimi i videos
Ai shtoi se kishte një video origjinale më të gjatë, duke siguruar se do ta depozitojë atë në prokurori, si dhe do t’ua dërgojë selive diplomatike. “Unë kam versionin origjinal të videos dhe do t’ia vë në dispozicion prokurorisë. Do t’ia vë atë së shpejti në dispozicion të gjitha ambasadave të huaja në vend, institucioneve ndërkombëtare që na monitorojnë dhe merren me zbatimin e ligjit, OSBE-së, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Komisionit Evropian, etj. Origjinalitetin dhe vërtetësinë e asaj bisede do kenë mundësi ta vërtetojnë të gjithë”, shtoi Prifti.
“Unë kam versionin origjinal të videos dhe do t’ja vë në dispozicion Prokurorisë. Do t’ja vë atë së shpejti në disposicion të gjitha ambasadave të huaja në vend, institucioneve ndërkombëtare që na monitorojnë dhe merren me zbatimin e ligjit, OSBE, BE, KiE, KE, etj. Origjinalitetin dhe vërtetësinë e asaj bisede do kenë mundësi ta vërtetojnë të gjithë”.
“Kam akoma pak shpresë se Sali Berisha do reagojë me përgjegjësi politike dhe atdhetare pas publikimit të këtij skandali. Sa i kristaltë është Ilir Meta këtë ai e di shumë mirë, sic e di dhe unë shumë mirë. Berisha duhet të zgjedhë mes vazhdimit të qeverisjes me Ilir Metën, të zhytur në llumin e korrupsionit, apo të shkarkoj atë dhe të kërkojë në Parlament një mbështetje të re”,- theksoi më tej Prifti.

KE: Prokuroria të hetojë videon, duhet luftuar korrupsioni

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Natasha Butler tha dje se drejtësia shqiptare duhet të hetojë mbi videon e përgjuar në mars të vitit të shkuar dhe të transmetuar në emisionin Fiks Fare. Butler vlerësoi se “lufta kundër korrupsionit është kriteri kryesor për një vend që kërkon anëtarësimin në BE”. “Ne sapo kemi vërejtur këto zhvillime në Shqipëri dhe nuk mund të flasim specifikisht. Siç ju e dini në Shqipëri ka një sistem ligjor i cili duhet të veproj në këto raste nëse ato konfirmohen. Kjo është në radhë të parë për prokurorinë që të ndjek në vazhdimësi informacionin e dhëne dhe të nisë hetimet. Shqipëria aplikoi për statusin e vendit kandidat në 2009 dhe komisioni dha opinionin e tij në nëntor 2010, në të cilin lufta kundër korrupsionit është pjesë e kriterit politik dhe në fakt përben kriterin bazë për anëtarësimin e plotë. Siç është theksuar në 12 kriteret bazë të hartuara për Shqipërinë në opinionin më të fundit komisioni thekson se ka nevojë për rezultate në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet hetim, procedim dhe dënim”, tha Butler. Ajo shtoi se askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin në cilin vend qoftë ai.

MJAFT protestë para METE
Sot në mesditë ora 12:00, Lëvizja Mjaft do të organizojë një protestë përpara Ministrisë së Energjetikës për të kërkuar shkarkimin nga detyra të zv/kryeministrit njëkohësisht ministër i energjitikës z. Ilir Meta. Kjo protestë vjen si pasojë e publikimit të një video në emisionin Fiks-Fare, ku ministri Meta rezulton i përfshirë në afera korruptive”, thuhet në komunikatën e organizatës Mjaft.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here