Gratë deputete të Partisë Socialiste zhvilluan sot një vizitë në burgun 325 në zonën e “Ali Demit” në Tiranë, ku u takuan me gratë që vuajnë dënimin në këtë institucion.
Deputetet e PS-së zgjodhën pikërisht 8 Marsin, për t’i siguruar gratë e dënuara për vëmendjen e qeverisë ndaj tyre.
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla theksoi se qeveria ka përgatitur drafte ligjore për përmirësimin e kushteve në burgje.
I pranishëm në burgun 325 ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zot, i cili bëri të ditur se 35 gra të vuajnë dënimin në këtë institucion, përfitojnë nga amnistia.
8 MARSI, URON KRYEMINISTRI RAMA: GRATË I JAPIN KUPTIM JETËS
Në këtë ditë të shënuar për gratë, nuk mund të mungonte edhe urimi i kryeministrit të vendit, Edi Rama. Në rrjetin social “Facebook”, Rama me anë të një statusi ka uruar: “GËZUAR 8 MARSIN – Qoftë e lumtur sot e në sa më shumë ditë e vite si sot, çdo nënë e grua që kaq shumë kuptim, dashuri e jetë i jep jetës sonë!”.
Përpos statusit, kryeministri Rama ka postuar edhe një foto, ku paraqiten dy gratë më të rëndësishme të jetës së tij, nëna Aneta, dhe bashkëshortja Linda.
KUR 8 MARSI U BË DITA NDËRKOMBËTARE E GRUAS
Viti 1910, përkujtohet si viti kur u kremtua për herë të parë dita e 8 marsit, sot e njohur si Dita Ndërkombëtare e Gruas. Ishin të paktën 100 gra, përfaqësuese të një sërë vendesh europiane dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të mbledhura në Kopenhagen të Danimarkës nën kryesinë e Klara Cetkinit, që vendosen që çdo vit, 8 Marsi, të përkujtohej si Dita Ndërkombëtare e Grave.
Kjo ditë u zgjodh në kujtim të 8 Marsit 1857, kur rrobalarëset e New York-ut u ngritën në protestë për të drejtat e tyre kundër shtypjes e shfrytëzimit të egër që u bëhej atyre dhe fëmijëve në punë. Në Shqipëri për herë të parë 8 Marsi u kremtua në vitin 1942 të shekullit të XX-të në grupe të vogla grash.