Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacione arrestoi ditën e sotme në Fier Ben Qimen, një ndër personat më të kërkuar të drejtësisë italiane. Emri i tij është Arben Isufaj, 45 vjeç, por të gjithë, jo vetëm në Fier, e njohin si Ben Qimja, “i forti” i Fierit dhe është përballur disa herë me policinë, prokurorinë dhe gjykatat, ku akuzat kanë qenë për trafik ndërkombëtar droge, vrasje, etj.
Disa herë ai ishte arrestuar në Shqipëri me sasi të mëdha marijuane, ndërsa ka pasur edhe përballje me policinë. Në vitin 2009 u vendos edhe fati i tij përfundimtar kur Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, e la të lirë për mungesë provash.
“A1 Report” ekskluzivisht ka siguruar pamjet e mbërritjes së tij në ambientet e drejtorisë së Policisë së Tiranës rreth orës 19:30 minuta. Arbej Isufaj ka mbërritur në Policinë e Tiranës me një mjet tip “Tuareg” pa targa, i shoqëruar nga Forcat Speciale, të cilat e sollën nga Fieri, ku edhe u arrestua.
Prokuroria e akuzoi për vrasjen e Pirro Koçiut në vitin 2002 dhe pretendonte se kishte gjetur një shenjë gishti në pistoletën që ekspertët gjetën pranë kufomës gjatë këqyrjes së trupit të pajetë.
Gjykata e dërgoi këtë provë në disa specialistë, por as në Angli, sipas togave të zeza, nuk mund të vërtetohej se personi që qëlloi mbi Koçiun ishte Isufaj.
Kështu, ai u la i lirë dhe prej asaj kohe, përveç akuzave të pavërtetuara për disa vrasje, kapjeve me drogë dhe përplasjeve me policinë, ai s’ka më llogari të hapur me Shqipërinë, përveç urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Interpol Roma, pasi prokuroritë e disa qyteteve italiane, si dhe gjykatat kanë vërtetuar përfshirjen e tij në trafik ndërkombëtar droge e specifikisht heroinën afgane, me të cilën fieraku kishte ngritur edhe “perandorinë” e tij.
Me dhjetëra emra pasuan si të lidhur me Ben Qimen, por për shkak se disa janë ekzekutuar për larje hesapesh apo të tjerët gjithashtu i kanë larë hesapet me drejtësinë shqiptare, nuk mund t’u përmenden emrat, ndonëse në botën e krimit njihen shumë mirë.
Sasitë e trafikuara ishin me qindra kilogramë dhe arrestimi i anëtarëve të bandave mundësohej pasi Antimafia italiane u përgjonte telefonat.
Arrestimi vjen si pjesë e marrëveshjes mes Drejtorëve të Përgjithshme të Policisë italiane e shqiptare, Pansa-Didi, ku parashikohet kapja e 100 kriminelëve më të kërkuar. Ndërkaq, Ben Qimja do të ekstradohet në Itali. Deri më tani, pak javë nga kjo marrëveshje janë arrestuar 3 persona, ku Foto Dashi, u kap para një jave, teksa kërkohej atje për trafik droge.
Në orët e vona lajmi u konfirmua edhe nga burimet zyrtare të Policisë së Shtetit, të cilat thanë se Gjykata e Torinos me vendim të datës 22.06.2010 ndaj tij ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për veprën penale të pjesëmarrjes në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.