Presidenti i Republikës Bujar Nishani i ka dërguar sot një kartolinë urimi, arsimtarëve shqiptarë me rastin e 7 marsit. Ai shkruan ndër të tjera: “Lufta e gjithë jetës së sotme shoqërore për edukim, e cila dita-ditës lipset të bëhet më e organizuar dhe më e qendërzuar, i ngarkon mësuesit dhe pedagogut detyra më të rënda, më delikate, por dhe më të shenjta.”
Të dashur edukatorë, mësues dhe pedagogë!
Dëshiroj t’ju drejtohem me një urim të veçantë me rastin e ditës së 7 Marsit, Ditës së Mësuesit.
Në përkujtim të festës së 7 Marsit që është e dashur për të gjithë ne shqiptarët, dhe që sivjet përkon dhe me 128 vjetorin e vitit të hapjes së shkollës së parë shqipe, unë ju përcjell urimet më të përzemërta në gëzimin e festës suaj!
Arsimi, kultura dhe gjuha janë shpirti i një kombi dhe ju jeni ata që e mbani ndezur shpirtin e kombit shqiptar. Sot ne kujtojmë me respekt e krenari mësuesit e parë të Mësonjëtores shqipe, pasi vetë hapja e shkollës ishte një fitore e madhe e Rilindjes sonë Kombëtare.
Dita e Mësuesit është dita kur ne i kujtojmë të gjithë mësuesit tanë që nga çasti kur u ulëm për herë të parë në bankat e shkollës, dhe më pas, mësuesit e të gjithë brezave, sepse e gjithë jeta është një shkollë pambarim.
Çdo 7 Mars i falënderojmë për punën e vyer, por edhe të vështirë që bëjnë duke arsimuar, edukuar, reformuar dhe transformuar nxënësit e tyre në profesionistë të zotë dhe qytetarë të denjë për t’i shërbyer atdheut tonë të përbashkët.
Dëshirat e reformave edukative në jetën tonë mësimore, nuk mund të sigurohen pa përparimin dhe zhvillimin e personalitetit të mësuesve, në pikëpamjen metodike dhe didaktike. Mësuesi i epokave si kjo e jona, duhet ta shkrijë energjinë dhe kujdesin e tij jo vetëm brenda mureve të ngushta të shkollës.
Lufta e gjithë jetës së sotme shoqërore për edukim, e cila dita-ditës lipset të bëhet më e organizuar dhe më e qendërzuar, i ngarkon mësuesit dhe pedagogut detyra më të rënda, më delikate, por dhe më të shenjta. Po nga ana tjetër, pikërisht falë këtij misioni që i cakton koha, mësuesi duhet të jetë në qendër të përkujdesit dhe mirë-trajtimit që duhet të ndjekë ndaj tij politika jonë arsimore.
Sot, në Ditën e Mësuesit, një urim të veçantë shkon edhe për një plejadë mësuesish në pension, të cilët kanë qenë modele të shkëlqyera dhe një pasuri e vyer e intelektualëve shqiptarë, të cilët shërbyen me dashuri e përkushtim dekada e dekada me radhë.
Ju uroj nga zemra të gjithëve: Gëzuar Ditën e Mësuesit dhe suksese në punën tuaj fisnike!”- përfundon urimi.