Zv.Ministrja e Financave Irena Beqiraj është komanduar në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, pas dorëheqjes së papritur të drejtoreshës Elisa Spirapali.
“Nuk ka shumë fjalë tashmë rreth dorëheqjen së Drejtoreshës së Përgjithshme të Doganave, – tha Cani. – Ajo ka arsyetuar qartë dhe po ashtu kemi reflektuar. E vetmja fjali që do ta doja është ta falënderoj Elisën për marrëdhëniet shumë të mira mes dy institucioneve. Gjithçka ka shkuar për mrekulli, ndoshta, edhe për të bërë shumë shkurt një vlerësim të arritjeve të këtij institucioni në një vit e gjysëm. Zv.Ministrja që kam në krah që do të komandohet në këtë detyrë deri në caktimin e një drejtuesi tjetër,” – tha ministri.
Cani tha se shpreh mbështetjen e dyfishtë për znj.Beqiraj, edhe personal, sepse ajo vazhdon të mbajë detyrën e Zv.ministres dhe në këtë detyrë është përkohësisht.
Po ashtu, edhe Beqirat shprehu vlerësimin e saj për Spiropalin e larguar dhe deklaroi se “uroj të gjëjmë shpejt një zëvendësues, që edhe unë të merrem me detyrën time si zëvendësministre.”
CANI: NE VIT ELEKTORAL, POR S’BEJME POLITIKE POPULISTE, POR REFORMA TE DOMOSDOSHME
Ministri Cani deklaroi se Qeveria aktuale nuk ka bërë një politikë populiste, megjithëse është në një vit elektoral dhe kur historikisht, nuk ka ndodhur kështu. Sipas tij, Qeveria ka qënë e detyruar t’i ndërmarrë ato si të domosdoshme, për të ulur rrisqet. Kështu ka bërë me reformën e pensioneve, atë territoriale, atë në energjitikë, atë në tatim-taksa, që do t’i japin më vonë frytet e tyre.
“Asnjëherë mos prisni që Qeveria nuk duhet të ketë një plan B,- tha Cani për mediat. – Edhe për të ardhurat ka një plan B. A janë rritur rrisqet në ekonominë shqiptare për efekt të përmbytjeve? Ju thashë “po”, por është zbutur rrisku nga prodhimi i energjisë elektrike. Por, siç mund ta vini re, ekonominë shqiptare dikush mund ta vlerësojë më mirë, diskush më keq. Sivjet jemi në një vit elektoral dhe gjithmonë qeveritë kanë bërë një politikë populiste. Nuk them se kanë bërë krim, por është një barrierë që frenon ekonominë.
A e ka bërë qeveria aktuale këtë? Mund të them se kjo do ta vinte në siklet qeverinë me votuesit. Por ja, ne bëmë reformën e pensioneve, reformën territoriale, që kjo qeveri i preku pikërisht në vitin elektoral. Kemi reformën e tatim-taksave, që ne e reformuam. Janë rritur disa taksa, por shumë janë ulur. Janë 45 raste kur biznesi ka qënë përfitues i drejtpërdrejtë. Po ashtu kemi reforma të tjera në shëndetësi e arsim, energjitikë etj. Ato ishin të thella e të dhimbshme, ashtu si ne paralajmëruan, por të domosdoshme për të ulur rrisqet. Ato ulën në mënyrë drastike nevojën për ndërhyrje të reja në sistemin e tatim-taksive e thënë troç, në taksa,” – tha Cani.
KUSH ESHTE IRENA BEQIRAJ
Znj. Irena Beqiraj mban titullin “Charter Financial analyst” (CFA) (2003-2006), i cili është kredenciali profesional më i njohur dhe më i respektuar në botën ndërkombëtare të Financave, i njohur ndryshe si “ Standardi i artë në financë”. Ajo mban edhe titullin Kontabilist i Miratuar (2001). Znj Beqiraj është diplomuar në Universitetin e Tiranës në vitin 1997, dega Financë
Ajo ka një eksperiencë të gjatë në fushën e konsulencës financiare. Që prej vitit 2009 ofron konsulencë në fushat e raportimit financiar, taksave, analizës së kostos, hartimit të planeve financiare të investimit dhe menaxhimit financiar.
Ajo ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Auditimit në Bankën Italiane të Zhvillimit gjatë viteve 2006-2008 dhe që prej vitit 2011 ajo është anëtare e Bordit të Drejtimit të Shoqërisë Administruese të fondit të pensioneve SICRED sh.a.
Znj Beqiraj ka punuar si pedagoge në Fakultetin Ekonomik, Universiteti i Tiranës, Universitetin Europian të Tiranës dhe Universitetin Luarasi. Në dhjetor të vitit 2014 ajo është emëruar zëvendësministre e Financave, përgjegjëse për sektorin fiskal.