Ashtu siç ishte parashikuar nga metereologët, dita e sotme ka nisur me reshje intensive shiu të cilat kanë përkeqësuar situatën në jugun e përmbytur prej 4 ditësh si pasojë e daljes së lumenjve nga shtrati.
Ora 09:46 Argjinatura e Selevecit e dëmtuar, rrezikon shembjen
Argjinatura e Selevecit, 6 kilometra e gjatë ka pësuar çarje si pasojë e prurjeve masive të Vjosës, dhe rrezikon shembjen. Janë hapur 4 porta të argjinaturës.
Ora 09:40 Dëmtohet rruga, Tepelenë-Kurvelesh e bllokuar
Rruga Tepelenë-Kurvelesh është e pakalueshme për automjetet si pasojë e rënies së bazamentit të rrugës që të çon në fshatrat Musmadhe.
Ora 09:35 Përmbytjet, në 10:30 Basha në Darëzezë të Fierit
Lideri i opozitës Lulzim Basha do të udhëtojë sot drejt Fierit për tu njohur më nga afër me situatën e përmbytjeve. Kreu i Partisë Demokratike do të jetë në orën 10:30 në fshatin Darëzezë, aty ku situata është paraqitur mjaft kritike në këto ditë.
Ora 09:30 Përmbytet nënstacioni elektrik, Selenica pa energji dhe pa ujë
Nënstacioni i energjisë në fshatin Selenicë të Vlorës është përmbytur si pasojë e prurjeve nga lumi i Vjosës, të cilat janë shtuar këtë të mërkurë, të ndikuara nga reshjet intensive. Në këto kushte, Selenica ka mbetur pa energji elektrike dhe pa ujë të pijshëm, për shkak të mungesës së energjisë edhe në pompat e ujit.
Komuna e Novoselës, ja bilanci i dëmeve nga përmbytjet
Komuna e Novoselës në Vlorë, sipas përllogaritjeve të deritanishme është më e dëmtuara nga përmbytjet që shkaktoi moti i keq në vend. Mbi 600 banesa u prekën nga dalja nga shtrati e Vjosës, ndërsa 80 familje u përmbysën totalisht duke u vënë nën pushtetin e ujit. Edhe pse llogaritja zyrtare e dëmeve në toka bujqësore dhe blegtori ende nuk është përcaktuar, sipas dëshmive të vetë banorëve të dëmtuar, llogaritet që në Novoselë të jenë 5600 hektarë tokë të përmbytura, 3500 hektarë prej të cilave ende nën ujë.
Në total në komunën e Novoselës janë evakuuar 110 familje, ndërsa 602 të tjera janë të evidentuara me dëme të shumta. Rreth 70 % e bizneseve të zonës janë dëmtuar.