Home Aktualitet Kadare: Serbia ka detyrim ta njoh Kosovën

Kadare: Serbia ka detyrim ta njoh Kosovën

567
0

Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, tha se mosnjohja e Kosovës nga Serbia do të thotë mospranim i lirisë së një populli tjetër. Në një intervistë për radion “Blue Sky”, Kadare tha se Serbia ka detyrim ta njoh Kosovën. Në librin e tij “Mbi Krimin në Ballkan”, Kadare shkruan se heshtja botërore për krimet e kryera nga Serbia ndaj popujve tjerë në Ballkan, e ka bërë Serbinë të përfitojë nga kjo heshtje. “Ka rreth njëzetë vite që po përsëritet ky mesazh. Një pjesë e letrave që publikohen në këtë libër janë shkruar përpara njëzetë vitesh. Kam kritikuar heshtjen botërore, në kohën që Kosovën nuk e zinte në gojë askush, dhe më pas heshtjen shqiptare për krimet. Që të mos ketë keqkuptime, duhet të them se natyrisht që është folur dhe shkruar për krimet”, tha Kadare, duke shtuar se në librin e tij janë përmendur shembuj të tillë. “Por”, sipas tij, “ato janë ende të pakta, në krahasim me tmerret që kanë ndodhur”. “Në qoftë se bota do të merrte vesh të vërtetën e plotë, Serbia nuk do të guxonte të fryhej sot si gjel, por do të rrinte kokulur. Dhe kjo, përveçse do të hidhte dritë mbi të vërtetën e Kosovës, do të ishte në të mirën e gjithë rajonit, duke përfshirë këtu edhe të mirën e vetë Serbisë”, ka theksuar Kadare. Duke komentuar letrën e Vuk Drashkoviqit, dërguar atij në vitin 1987, Kadare thotë se ajo letër, e publikuar një çerek shekulli më parë, është tepër kuptimplote për të kuptuar dramën e Kosovës. Sipas tij, ajo dëshmon se si është projektuar krimi, si do të kryhet ai krim, së fundi si do të përmbyset e vërteta, duke e hedhur fajin mbi shqiptarët. “S’më ka habitur asnjëherë letra e Drashkoviqit. Ajo është në logjikën e projektit serb. Siç është shpjeguar në libër, ajo që më ka habitur kanë qenë sulmet nga krahu shqiptar. E sidomos nga disa shqiptarë të Kosovës”, ka theksuar shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare. “Drama e Kosovës ka qenë një çështje e madhe për moralin evropian dhe atë botëror. Ish-kryeministri i Anglisë, Tony Blair, në kujtimet që sapo ka botuar, shkruan se nga Kosova ka njohur më mirë shumë gjëra, duke përfshirë dhe vetveten. Është e habitshme se vetëm Serbia, ajo që do të duhej të nxirrte mësimin kryesor, e refuzon një gjë të tillë. Do të doja që Evropa, gjithë bota, të thellohej më shumë se ç’do të thotë mosnjohje e Kosovës nga Serbia”-  thekson Kadare, duke shtuar se “kjo mosnjohje nuk është një aksident diplomatik, mirëpo është shumë më keq”. “Serbia jo vetëm ka detyrim ta njohë Kosovën, por duhej të ishte ndër shtetet e para që ta kryente këtë akt. Serbia ka bërë krime në Kosovë. Njohja e Kosovës do të ishte akti i parë i heqjes dorë nga doktrina që i polli këto krime. Mosnjohja e Kosovës do të thotë një shpallje publike se Serbia nuk heq dorë nga një e kaluar që s’e nderon. Në rastin e Kosovës është edhe më keq. Mosnjohja e Kosovës është mospranimi i lirisë së një populli tjetër, e kjo do të thotë mospranimi i ekzistencës së tij”- u shpreh  Kadare, duke shtuar se me këtë shpallje, me këtë përkëdhelje të krimit të vet, Serbia synon të hyjë në Evropë.

Përfaqësuesi i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu reagon  ndaj deklaratave Serbe

Spahiu:Serbia larg duart nga Kosova

Nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu deklaroi dje se kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm, ashtu si pavarësia e këtij shteti, ndërsa i bëri thirrje kreut të shtetit serb Boris Tadiç se ka ardhur koha që ai të merret me të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë. Reagimi i Spahiut ka ardhur pas deklaratave  të  zv.kryeministrit serb Ivica Dacic për ndarjen e Kosovës mes Shqipërisë dhe Serbisë.
Qëndrimi i Spahiut
Në mbështetje të Kosovës Kreshnik Spahiu ka bërë një thirrje të qartë ndaj autoriteteve të shtetit Serb, nga  të cilët ka kërkuar që të respektohet e kufijve të saj por edhe njohjen e të drejtave të këtij shteti.  “Kam një mesazh të qartë për Tadiç apo Daçiç, kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm. Askush nuk mund të luaj me pavarësinë e shtetit të Kosovës. Tadiç apo Daçik ka ardhur koha të merren me statusin dhe të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Bujanovç dhe Medvegjë. Nëse duan të diskutojnë për të drejta brenda kufirit serb jemi gatshëm të flasim për statusin e shqiptarëve, por larg duart nga Kosova”- tha Spahiu. Gjatë fjalës së tij, Spahiu i bëri thirrje dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë të nisin negociatat për ta shpallur 10 qershorin, ditën e mbledhjes së Prizrenit, festë kombëtare. “10 qershori është lidhja e Prizrenit një ditë shumë e rëndësishme. Do t’i propozoja të dy qeverive të nisin procedurat për shpalljen e 10 qershorit si ditë feste kombëtare”- deklaroi Spahiu. Provokimet e vazhdueshme të Serbëve  jo vetëm mbi mos njohjen e shtetit të Kosovës por tashme edhe për ndarjen e saj mes Shqipërisë dhe Serbisë kanë sjell edhe këtë reagim nga nënkryetari i KLD-së, sipas tij shteti Serb tashmë duhet të pranoj se Kosova është një vend i pavarur.
Mlladiç , Serbia duhet të kërkoi falje
Duke folur për arrestimin e gjeneralit famëkeq Ratko Mlladic,  Kreshnik Spahiu u shpreh se Serbia nuk mund t’i lajë duart kaq shpejt. Duket t’i kërkohet falje shqiptarëve, për trupat e pagjetura ende, tha Spahiu më tej. “Nuk mundet që në këto ditë të trazuara, Tadic apo Dacic të lajnë duart si bos pilafi me dorëzimin e Mlladic. Ky është akt i turpshëm se ata nuk mund të lahen me dorëzimin e një krimineli ku mijëra trupa të shqiptarëve të zhdukur ende nuk i gjenden varret masive. Dorëzimi i kriminelit Mlladic nuk është fundi i përgjegjësisë për krimet e Serbisë ndaj Shqiptarëve. Dorëzimi i tij është fillimi. Tadic e Dacic duhet t’i kërkojnë fale shqiptarëve”- nënvizoi  Spahiu në fjalën e tij rreth çështjes së Kosovës.

Kryeministri  Thaçi i përgjigjet Beogradit: Jo ndarje të Kosovës
Deklarata e bërë nga  zv.kryeministrit serb Ivica Dacic për ndarjen e Kosovës mes Shqipërisë dhe Serbisë ka sjell edhe kundërpërgjigjen e Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi i cili ka reaguar i vendosur mbi integritetin e vendit të tij, duke u shprehur se shteti i Kosovës nuk do të preket.  Ai tha se për asnjë çmim dhe në asnjë rrethanë nuk do të ketë shkëmbim territoresh mes këtyre vendeve. “ Në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës, institucioneve dhe popullit të Kosovës, jemi të detyruar përsëri të ritheksojmë shumë fuqishëm se në asnjë rrethanë, me asnjë çmim, nuk do të ketë ndarje të Kosovës, nuk do të ketë shkëmbim territoresh, nuk do të ketë autonomi në veri, por integrim territorial dhe gjithëetnik, nuk do të ketë ndryshim kufijsh” – deklaroi Thaçi. Kështu iu është përgjigjur zërave që vijnë nga Beogradi për ndarje të Kosovës, apo ndryshime të mundshme të  kufijve, Kryeministri i Kosovës. Ku sipas tij vetwm do të ketë integrim territorial e gjithë-etnik ashtu siç tashmë është vendosur,  Kosova do të ruaj pavarësinë e saj dhe paprekshmërinë territoriale.

Tadic: E nevojshme një zgjidhje e re për Kosovën

Boris Tadiç, Presidenti  i Serbisë deklaroi dje se është  e nevojshëm  të ndërmjetësohen  “hapa të pazakontë” në politikën e Serbisë ndaj Kosovës, për të shtuar se ekziston shansi për një zgjidhje të re mes dy vendeve.  Ai ka theksuar  se mënyra se si Beogradi zyrtar e ka trajtuar çështjen e Kosovës në të kaluarën ka qënë  në kundërshtim me interesat e serbëve dhe të popullit serb. “Rruga ime është një punë e qetë dhe e vazhdueshme, për të provuar që të lëvizim gjërat dhe për të ndryshuar qasjen tonë në Kosovë hap pas hapi. Kjo vlen edhe për çdo gjë tjetër, kjo vlen edhe për kulturën e dialogut politik,”- deklaroi Tadic për mediat serbe.  Sipas tij  deri kohët e fundit, nuk kemi guxuar të flasim për disa mënyra të qasjes ndaj Kosovës, sepse ka ekzistuar vetëm një qasje e paluajtshme, ndërsa më tej ai shtoi se  tani janë bërë hapa jokonvencionalë, të cilat do të  krijojnë mundësi për një zgjidhje të re mes këtyre dy popujve.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here