Home Aktualitet Pas 8 Majit, ndryshime rrënjësore në qeveri. Ja ministrat e rinj

Pas 8 Majit, ndryshime rrënjësore në qeveri. Ja ministrat e rinj

553
0

Videoja skandal Meta-Prifti, i ka dhënë një formë tjetër kabinetit “Berisha”, duke e ndryshuar atë për të nëntën herë brenda 5 viteve. Përgjimi i bisedës midis deputetit Dritan Prifti dhe kreut të LSI-së, Ilir Meta, i publikuar pak ditë më parë, i ka kushtuar Metës dorëheqjen nga dy postet ekzekutive, atë të zv.kryeministrit dhe të ministrit të Ekonomisë. Në këtë mënyrë, Prifti ka “larë hesapet” me ish-bashkëpunëtorin e tij, i cili pak muaj më parë e shkarkoi nga drejtimi i Ministrisë së Ekonomisë.
Ndryshimet
Postet ekzekutive të lëna vakant nga kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, janë zëvendësuar po nga anëtarë të LSI-së, menjëherë pas dorëheqjes publike të Ilir Metës. Kështu, postin e zv.kryeministrit do ta mbajë ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto. Ndërsa në krye të Ministrisë së Ekonomisë do të jetë ish-nënkryetari i Kuvendit, Nasip Naço.  Por të tjera ndryshime priten të ndodhin nga muaji Maj, pasi tashmë është e konfirmuar që ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, do të lërë postin e tij dhe do të kandidojë për Bashkinë e Tiranë. Pra lind nevoja e zëvendësimit të vendit vakant në qeveri. Burime nga Partia Demokratike bëjnë me dije se vendi i Bashës mund të zëvendësohet me eksponentë të Partisë për Drejtësi dhe Unitet në kuadër të koalicionit që është nënshkruar me këtë parti. Po ashtu, pritet që kryeministri Sali Berisha të bëjë edhe lëvizje të tjera. Kështu, burime në radhët e demokratëve bëjnë të ditur se ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, rrezikon të lërë postin, duke qenë se po bëhet edhe një presion i madh nga ana e socialistëve për abuzime në kohën kur ka qenë ministër i Ekonomisë. Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani është me pikëpyetje, duket se kryeministri po mendon që ta largojë nga posti aktual për t’i dhënë një detyrë më të lehtë. Po ashtu rrezikon edhe ministri i Kulturës Ferdinant Xhaferri, duke marrë parasysh edhe gafën për eshtrat e Ismail Qemalit. Ndërkohë që edhe ministri i Punës, Spiro Ksera është një emër që vihet në dyshim nëse do të qëndrojë më si pjesë e këtij kabineti apo do të zëvendësohet.
Ndryshimet e fundit
Rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit, megjithëse nxori fituese Partinë Demokratike me një diferencë të vogël votash kundrejt PS-së, imponoi koalicionin me Partinë Lëvizja Socialiste për Integrim, pasi asnjë nga forcat e mëdha nuk kishte votat e domosdoshme për të krijuar qeverinë e re. Kështu, kreu i PD-së, Sali Berisha i bëri ftesë për bashkëqeverisje kreut të LSI-së, Ilir Meta. Ky i fundit pranoi dhe më pas u ra dakord për përfaqësimin e LSI-së në qeverinë e re. Sipas marrëveshjes mes dy palëve LSI do të merrte 4 poste ministrash, 7 poste zv.ministrash dhe 20 për qind të administratës shtetërore. Kjo marrëveshje i kushtoi Berishës sakrifikimin e disa ministrave dhe zëvendësministrave demokratë. Kështu, posti i zv.kryeministrit i cili më parë i takonte Genc Pollos dhe i ministrit të Jashtëm, i cili i takonte Lulzim Bashës, iu dhanë liderit të LSI-së, Ilir Meta. Ish- ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, u emërua ministër Drejtësie, duke zëvendësuar Enkelejd Alibeajn, dhe në vendin e tij u emëruar ish-ministri i Jashtëm, Lulzim Basha. Ish-ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa u zëvendësua nga drejtori i kabinetit të kryeministrit Berisha, Arben Imami. Ndërsa, ministrat Majlinda Bregu, Sokol Olldashi dhe Ridvan Bode janë sërish në postet e mëparshme. Ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli u emërua si ministër Bujqësie duke zëvendësuar Jemin Gjanën, dhe në vendin e tij u emërua përfaqësuesi i LSI-së, Dritan Prifti. Ndërsa-ish ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo u zëvendësua nga përfaqësuesi i LSI-së, Petrit Vasili. Deputeti demokrat, Ferdinat Xhaferri ka zëvendësuar ministrin e Turizmit, Ardjan Turku, ndërsa Fatmir Mediu është rikthyer sërish si ministër i qeverisë Berisha, por këtë herë në krye të ministrisë së Mjedisit. Më tej, Dritan Prifti u zëvendësua me Ilir Metën dhe ky i fundit u zëvendësua nga Nasip Naço.

Qeveria “Berisha 8”

Ilir Meta Zv.Kryeministër, LSI

Genc Pollo Ministër i Shtetit, PD
Majlinda Bregu Ministre Integrimi, PD
Lulzim Basha Ministër i Brendshëm, PD
Arben Imami, Ministër i Mbrojtjes, PD
Ridvan Bode Ministër i Financave, PD
Ilir Meta, Ministër i Ekonomisë, LSI
Bujar Nishani, Ministër i Drejtësisë, PD
Sokol Olldashi, Ministër i Punëve Publike, PD
Myqerem Tafaj, Ministër i Arsimit, PD
Petrit Vasili, Ministër i Shëndetësisë, LSI
Spiro Ksera, Ministër i Punës, PBDNJ
Genc Ruli, Ministër i Bujqësisë, PD
Ferdinant Xhaferri, Ministër i Kulturës, PD
Fatmir Mediu, Ministër i Mjedisit, PR

Qeveria “Berisha 9”

Edmond Haxhinasto Zv.Kryeministër, LSI

Genc Pollo Ministër i Shtetit, PD
Majlinda Bregu Ministre Integrimi, PD
Lulzim Basha Ministër i Brendshëm, PD
Arben Imami, Ministër i Mbrojtjes, PD
Ridvan Bode Ministër i Financave, PD
Nasip Naço, Ministër i Ekonomisë, LSI
Bujar Nishani, Ministër i Drejtësisë, PD
Sokol Olldashi, Ministër i Punëve Publike, PD
Myqerem Tafaj, Ministër i Arsimit, PD
Petrit Vasili, Ministër i Shëndetësisë, LSI
Spiro Ksera, Ministër i Punës, PBDNJ
Genc Ruli, Ministër i Bujqësisë, PD
Ferdinant Xhaferri, Ministër i Kulturës, PD
Fatmir Mediu, Ministër i Mjedisit, PR

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here