Home Aktualitet Meta: Nesër nis puna për zbardhjen e videos të montuar nga Rama

Meta: Nesër nis puna për zbardhjen e videos të montuar nga Rama

593
0

Ish zv. Kryeministri dhe minstri i Ekonomisë Ilir Meta tha sot se ka krijuar një grup juristësh, të cilët sipas tij do të nisin që nesër punën për të demontuar videon e montuar dhe titruar nga Edi Rama.

“Unë dua t’i konfirmoj të gjithë qytetarëve shqiptarë se montazhi i fëlliqur, se titrat e vendosura nga Edi Rama, se të gjitha shpifjet e bëra për shkak të detyrës, do të demontohen në mënyrën më spektakolare përpara dejtësisë dhe përpara opinionit publik”- tha Meta.

Meta lëshoi një lum akuzash dhe fyerjesh në drejtim të kreut të PS-së Edi Rama duke e quajtur atë një fundërrinë të pashembullt morale të shoqërisë shqiptare.

Sipas Metës, Rama synonte të bëntë një puç në Shqipëri, përmes një përgjimi kriminal dhe të paligjshëm, dhe jo vetëm kaq, por përmes dhe një montimi kriminal, sipas tij duke përdorur si dëshmitarë një fundërrinë tjetër të paparë, i cili kishte hedhur akuza publike ndaj Edi Ramës.

***

Kreu i LSI-së Ilir Meta në një takim me të rinjtë e kësaj partie tha se LSI në 8 maj do të konfirmohet në mënyrë spektakolare, sidomos në kryeqytet, ndërsa më 9 Maj do të festojmë dy fitore, atë mbi fashizmin dhe spiunët.

“Qyetarët e Tiranës e kanë vendour tha Meta, kanë marrë një vendim për të pastruar qytetin nga një mafioz që e ka renditur Tiranën në fund të qyteteve europiane. Por sot është koha edhe për dizinfektimin nga çimkat nga spiunët në politikën shqiptare. Është kohë për të mbrojtur kultin e shtetit të së drejtës”- tha Meta.

Meta vijoi edhe sot me akuzat ndaj kreut socialist Edi Rama, duke e cilësuar atë si regjisorin kryesor të montazhit.

Edi Rama e ktheu Partinë Socialiste nga Partia Socialiste e Shqipërisë në Partinë e Spiunëve të Shqipërisë, sipas tij duke e mbështetur atë mbi përgjime e video të trukura.

Duke iu referuar dorëheqjes së tij nga postet qeveritare kreu i LSI-së u shpreh se ky veprim erdhi ‘duke qene i bindur në integritetin tim dhe sepse nuk mund të pranoja që të komunikoja me institucionet e zbatimit të ligjit si Zv kreministër dhe ministër”

***

Vetëm 24 orë pas dorëheqjes nga posti i zëvendëskryeministrit dhe i ministrit të Ekonomisë, kreu i LSI-së, Ilir Meta, mblodhi Komitetin Drejtues Kombëtar të kësaj partie. Meta akuzoi ish-ministrin e tij se ka manipuluar me videon, në të cilën ai paraqitet duke i kërkuar favore Dritan Priftit për tenderë, koncesione dhe për punësimin e të njohurve të tij. Numri një i LSI-së shpjegoi edhe arsyen e vonesës së dorëheqjes pas publikimit të videos.

Duke e cilësuar dorëheqjen një domosdoshmëri, Meta theksoi se u largua nga qeveria për të ruajtur “integritetin dhe moralin”. Meta tha se këtë veprim e kishte marrë pasi ishte shprehur zyrtarisht se kishte hequr dorë nga imuniteti dhe kishte kërkuar nga prokuroria fillimin e hetimeve. “Këtë betejë ligjore do ta fitoj përballë montazhit të organizuar nga çimkat dhe kryeçimkat që synojnë të mbajnë peng institucionet”, – nënvizoi Meta. Kreu i LSI-së theksoi se ndjehet i tradhtuar nga deputeti Prifti, jo vetëm si ish-shok, por dhe si bashkëthemelues i kësaj partie. “Videoja nuk është surprizë, për mua as për kryesinë e LSI-së. Pasi mora mesazhe pa fund se ai do të mbetej besniku im i përjetshëm. Mora mesazh se po të mos shtyhej mbledhja e kryesisë , e të hiqej ai nga posti i ministrit do të dilte një video e tmerrshme”, – tha Meta.

Sipas aleatit të kryeministrit Berisha, transmetimi i videos erdhi si pasojë e hatërmbetjes së Priftit për shkak të mosrealizimit të dëshirës së tij për të rimarrë postin e ministrit në kabinetin qeveritar. Për kreun e kësaj force, Prifti vetëm disa ditë pasi ishin bërë ndryshimet në qeveri, ka shkuar pas takimeve që kishte pasur me Edi Ramën dhe me dy drejtues të tjerë të rëndësishëm të PS-së, por edhe në takimi tjetër të rëndësishëm, për të bindur kreun e LSI-së për t’u bërë kryeministër i një qeverie të majtë. “Më erdhi mua pas takimeve që kishte pasur me Edi Ramën dhe me dy drejtues të tjerë të rëndësishëm të PS-së, por edhe në takimi tjetër të rëndësishëm, për të bindur mua dhe për të mbushur mendjen pikërisht se Edi Rama e kishte seriozisht që unë të bëhesha Kryeministër dhe të hiqnim Sali Berishën. Dhe ky nuk donte gjë tjetër vetëm të rikthehej në pozicionin e ministrit nga ku kishte ikur”, – tha Meta.

Kryetari i LSI-së sqaroi se pavarësisht ofertës, refuzoi postin për të krijuar një qeveri të majtë të krijuar, sipas tij, mbi bazën e koniunkturave të individëve dhe sipas orekseve liderit të opozitës Edi Ramës. Ai shtoi se LSI ka dhënë një kontribut të veçantë në proceset integruese të vendit, duke shtuar se grupe të caktuara bënë përpjekje për të bllokuar këtë proces. “LSI e konfirmoi këtë angazhim përmes kontributit që dha në liberalizimin e vizave. Dhe ata që bënë gjithçka për të penguar heqjen e vizave, greva e protesta, dështuan me turp siç do të dështojnë në të gjitha nismat antishqiptare që bëhen për interesin e ngushtë të lidershipit të PS-së, të marrë peng nga krimi dhe mafia”, – u shpreh kreu i kësaj force.

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka pohuar se pas dorëheqjes nga qeveria do të fokusohet tek fushata elektorale
“Tani do të merrem me zgjedhjet lokale”

TIRANË – Kreu i LSI-së, Ilir Meta, shpalli publikisht dje fillimin e përgatitjeve për zgjedhjet lokale të 8 majit. Në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar, kreu i kësaj force i kërkoi të gjitha forumeve që brenda 15 shkurtit të paraqesin emrat për kandidatë për të gjitha bashkitë dhe njësitë vendore. “Duke qenë se kryesia ka vendosur që brenda 15 shkurtit të ketë të gjitha kandidaturat për drejtues të gjitha njësitë vendore në bashkitë dhe komunat e vendit do t’i ftoja dhe ky është edhe një nga objektivat e kësaj mbledhjeje, që brenda 15 shkurtit të gjitha forumet e LSI-së të paraqesin emrat më përfaqësues, të cilët ata mendojnë se do të përfaqësojnë LSI-në. Jo vetëm për kryetarë njësish, por natyrisht edhe për këshilltarë, çka është mjaft e rëndësishme për përfaqësimin tonë në të gjitha bashkitë dhe komunat në mbarë vendin”, – tha ai. Kreu i LSI-së shprehu bindjen se do të angazhohet personalisht në përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore duke iu rikthyer jetës në parti për marrjen e një rezultati pozitiv në 8 maj.

Duke shprehur sigurinë për vazhdimin e bashkëpunimit me demokratët edhe për zgjedhjet lokale, sipas Metës, koalicioni i integrimit do të fitojë zgjedhjet lokale. “8 maji është problemi më i madh i kryesocialistit Edi Rama, pasi qytetarët kanë vendosur që Bashkia e tyre të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo mafiozëve, sepse renditet e 147 për dhëniet e lejeve të ndërtimit, ku funksionon monopoli i korrupsionit”, – tha Meta. Aleati i kryeministrit Berisha e vlerësoi rolin e LSI-së për zhvillimin e vendit si tepër të rëndësishëm dhe përcaktues. Kjo dhe arsyeja që, sipas tij, ka një investim të madh për të goditur këtë forcë politike.


Çfarë është Komiteti Drejtues Kombëtar

Komiteti Drejtues Kombëtar i LSI-së merret me drejtimin politik dhe organizativ të kësaj force në nivel kombëtar midis dy Konferencave Kombëtare realizohet nëpërmjet Komitetit Drejtues Kombëtar. Anëtarët e Komitetit Drejtues Kombëtar zgjidhen nga Konventa Kombëtare për një periudhë katërvjeçare, nëpërmjet një procedure konkurrimi me kandidatura alternative. Ky komitet miraton kandidaturat e LSI-së për në organet e qeverisjes vendore apo në organizatat e tjera ku kërkohet përfaqësimi i LSI-së si dhe me kërkesë të Kryesisë diskuton dhe miraton programe reformash në fusha të caktuara. Mbledhjet e Komitetit Drejtues Kombëtar thirret me vendim të Kryesisë. Vendi i mbajtjes, kohëzgjatja dhe rendi i ditës, njoftohet të paktën 10 ditë përpara mbajtjes së saj. Ato drejtohen nga Kryetari i Komitetit i cili zgjidhet nga radhët e anëtarëve të Komitetit Drejtues Kombëtar dhe është anëtar i Kryesisë së partisë.

Kryetari i KDK-së ndjek veprimtarinë e Komisioneve të përhershme politike që funksionojnë në LSI dhe informon periodikisht Kryesinë dhe KDK-në si dhe bashkëpunon me Kryetarin e Grupit Parlamentar për qëndrimet e Komisioneve Politike të Përhershme të për probleme legjislative, si dhe për formulimin e qëndrimeve të LSI-së sipas fushave të ndryshme në Parlament.

***

Kryeminstri Sali Berisha ka pranuar dorëheqjen nga postet qeveritare të kryetarit të LSI- së Ilir Meta, duke thene se ajo ishte e parevokueshme. Nëpërmjet një konferencë për shtyp kryeministri Berisha bëri me dije se postet e Ilir Metës do të jenë përsëri për LSI-në.

Sipas Berishës koalicioni do të vazhdojë me objektivat, ndërsa shtoi se Ilir Meta ka meritë në sukseset e këtij koalicioni, siç është procesi i liberalizmit të vizave.

Berisha sulmoi përsëri kreun e PS-së Edi Rama, ndërsa shtoi se videoja u manipulua me urdhër.

***

“Dua të falënderoj Edvin Kristaq Ramën për nderin që më bëri, me montimin e trukimin, ai dëshmoi që është i biri i të atit. Është aq i paskrupullt dhe imoral, sa mund të bëjë çdo falsifikim”. Kështu u shpreh sot kryeministri Sali Berisha lidhur me video-skandalin e publikuar dy ditë më parë nga ‘Fiks Fare’, që përfshinte në shumë afera zv.kryeministrin Ilir Meta.

“Një qëndrim të tillë e bëjnë vetëm larvat e bunkerëve të bllokut, të cilët janë të aftë të sajojnë çdo gjë, të montojnë gjithçka, pa asnjë lloj skrupulli, sepse në këtë mënyrë mendojnë se i afrohen pushtetit”- tha Berisha

Kreu i qeverise tha se Dritan Prifti ia kishte treguar më parë atij videon. Madje publiku shqiptar sipas kryeministrit duhet ta falenderoje ate. Pasi “po të mos doja unë, videoja nuk mund të vinte tek ju”, tha ai. “Të gjitha materialet janë në Prokurori, dhe pres të zbardhet gjithçka”, tha S.Berisha.

Reagimi i Kryeministrit të vendit vjen dy ditë pas publikimit të videos që flet për korrupsionin qeveritar. Megjithatë përgjigjja ka ardhur vetëm pas pyetjes së gazetarëve, pasi kreu i qeverisë deri më sot thjesht e ka neglizhuar një publikim të saj. Në mbledhjen e djeshme qeveritare, ndërsa pritej një reagim nga Berisha për skandalin e shumëpërfolur që prekte drejtpërdrejt edhe atë, kryeministri foli për mbjelljen e ullinjve dhe geshtenjave.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here