Ish ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, autor i video-skandalit që implikonte Ilir Metën në afera korruptive është paraqitur sot për herë të dytë në Prokurorinë e Tiranës.
Prifti qëndroi për rreth 30 minuta, ku ndër të tjera mendohet se ka dorëzuar materialet me të cilat ka realizuar përgjimin ndaj Metës.
Kjo është hera e dytë në një hark kohor të shkurtër që Dritan Prifti dëshmon në Prokurori, për çështjen e video-skandalit.
“..Do të kërkoj sinqerisht mirëkuptimin tuaj për vazhdimin e kësaj beteje. Jua thash edhe një herë. Unë në dhomë të gjumit ku fle kam dy krevate bebesh. Nga të dy krahët ku fle, kam edhe dy fëmijë që shkojnë në shkollë. Nuk është e thjeshtë që edhe me kërcënimet që kam marrë këto ditë dhe me informacionet që kam që unë të vazhdoj këtë betejë i vetëm. Kështu që do të kërkoj mirëkuptimin e të gjithëve që pasi të shoh që drejtësia po vepron dhe nuk po kontrollohet, unë iu jap fjalën se të gjitha videot e tjera do të dalin në dritë”.
Me keto fjale i eshte drejtuar dje nje grupi gazetaresh ish-ministri Dritan Prifti, duke shtuar:”..Kërkoj mirëkuptim për hir të vazhdimësisë së jetës dhe për hir të familjes. Kam marrë këto ditë kërcënime të jashtëzakonshme, kërcënime nga goja e Ilir Metës, që u ka thënë miqve të mi që do të marr vetë kallashnikovin dhe do ta vras”.
“Dua t’i bëj thirrje Z. Berisha të vendosë interesat e vendit mbi interesat e veta për të qëndruar në pushtet me çdo kusht dhe me çdo mjet, – tha Prifti. Ai pranoi ekzistencën e disa videove të tjera ku denoncohen skandale qeveritare, por ka shpjeguar se ato po i ruan për hir të sigurisë së familjes së tij.
Zoti Prifti, mazhoranca ju ka akuzuar se keni montuar videoskandalin e Ilir Metës. Si është e vërteta?
Të gjithë shqiptarët e kanë parë që justifikimi i vetëm i kusarëve të qeverisë për videon që unë regjistrova është se ajo është montazh. Ata nuk guxojnë të përballen me të vërtetën e videos, faktin që Zv.kryeministri vendit bën korrupsion duke ofruar 7% dhe 700 mije euro bakshish për të dhënë një koncesion, apo kërkon të anulohet një ankand nafte në “Albpetrol” që miku i tij të fitonte tjetrin.
Ata thonë, videoja është montazh. Unë po deklaroj se videoja që unë kam regjistruar dhe dorëzuar në prokurori është e paprekur, e pamanipuluar, origjinale dhe pa asnjë ndërhyrje.
Kur do të shkoni sërish në prokurori për këtë çështje?
Unë këto ditë po përgatitem të shkoj përsëri në Prokurori me një dosje të re, ku do të denoncoj abuzime dhe vjedhje të Ilir Metës vetëm në tre muajt e tij si ministër i Ekonomisë. Ka bërë kërdinë. Do të denoncoj dhe pasuritë e tij të fshehura në emra ortakësh e firmash që shpërndahen në gjithë Shqipërinë, por edhe jashtë saj.
Zoti Prifti, si e komentoni qëndrimin e zotit Berisha në lidhje me videon?
Dua t’i bëj thirrje Z. Berisha të vendosë interesat e vendit mbi interesat e veta për të qëndruar në pushtet me çdo kusht dhe me çdo mjet. “Koalicioni i Turpit” me LSI-në duhet prishur. Mjaftojnë vetëm denoncimet e mia për eksponentët e kësaj force politike për të kuptuar se kjo forcë politike po e mban Berishën në pushtet me kushtin që të lihet e lirë të vjedhë dhe abuzojë sa më shumë.
Meta e kontrollon Berishën dhe e shantazhon me votat që ka në Parlament. Meta e di që askush nuk i jep më votë kësaj partie. Ai tashmë do kohë të vjedhë dhe nesër këto para të pista t’i përdorë për të blerë votat.
A ndiheni pjesë e kësaj mazhorance, apo jeni pjesë e opozitës. Dhe a i keni bërë shantazh z. Meta me videon për të rrëzuar qeverinë aktuale për atë kryeministër? Sa e vërtetë është kjo?
A jam unë me opozitën apo me mazhorancën? Unë jam 100 opozitar dhe mazhoranca nuk mund të presë prej Dritan Priftit asnjë lloj vote dhe asnjë mbështetje për asnjë ligj a vendim në Parlament.
Jam opozitar më i guximshëm se ata opozitarët e tjerë. I ftoj ata opozitarët e tjerë e që të bashkohemi të gjithë së bashku që ta bëjmë opozitën ashtu siç duhet. A i kam bërë shantazh me videon për t’u bashkuar me Edi Ramën?
Absolutisht jo! Në asnjë rast, unë, që ta dini, Ilir Metës ia kam treguar brendinë e videos disa herë dhe në asnjë rast nuk e kam përdorur brendinë e videos për t’i bërë shantazh atij për bashkëpunim me Edi Ramën, apo me ndonjë tjetër.
Unë konfirmoj nga takimet me Ilir Metën se midis Edi Ramës dhe Ilir Metës ka pasur komunikim edhe një marrëveshje që Ilir Meta të bëhej kryeministër dhe votat e tyre të bashkoheshin me opozitë. Unë nuk i di të gjitha detajet, por Ilir Meta ma ka konfirmuar atë që ai ka qenë pjesë e këtij skenari por nuk e mendonte se vota ime do të shkonte tek PD nuk mendonte që vota e Shpëtim Idrizit dhe dikujt tjetër do të shkonte mbas tij dhe prandaj ai ndryshoi skenar.
Në vend që të vazhdonte me skenarin me PS, vendosi dhe erdhi vetë në Ministrinë e Ekonomisë vazhdoi bashkëpunimin me Berishën. Dje Berisha ka bërë publike disa komunikime të Edi Ramës me Ilir Metën dhe tha që Berisha quhej njeriu i Dragobisë në këto komunikime. Gjithsesi një nga këto komunikime e kam edhe unë në celular.
Komunikimi që unë kam marrë dy ose tre ditë pasi jam larguar si ministër. Është sms që Ilir Meta ja dërgon edhe Edi Ramës nëpërmjet një personi që punon tek kullat binjake, se ata nuk komunikojnë drejtpërdrejtë, por kanë një korrier.
Nëpërmjet këtij personi shkon sms dhe pastaj i kalonte Edi Ramës: “Vlla, si e degjenerova Tan Priftin, do t’ua bëj të gjithëve (pra të gjithëve të mazhorancës) Se janë të korruptum dhe të degjenerum.
Nga Dragobia po zhgënjehem shumë. Sot i bëra live strategjinë time kush ka vesh e dëgjon”, – është mesazhi. Ka qenë dita kur Ilir Meta pas largimit tim ka bërë në Teatrin e Operas dhe Baletit një takim me partinë, atje ka dalë si një njeri që do të pastronte korrupsionin nga qeveria. Kjo është një provë që Meta e mban Berishën me shantazhe.
Siç më bënte mua shantazhe dhe unë pata guximin ta denoncoj para publikut, Meta, me ato 3 vota i bën Dragobisë shantazh. Nëse prokuroria e do si sms, ia çoj dhe mënyrën se si kalon nga një celular në tjetrin, përsëri është plotësisht e verifikueshme.
Pra, jemi dëshmitarë të një loje të fëlliqur. Unë shpresoj që drejtësia të bëjë punën e vet, që media të bëjë punë e vet, sepse kam parë edhe segmente të medias plotësisht të dominuara nga qeveria në këto ditë. Nuk mundet askush që të fshehë atë që panë të gjithë më zë dhe figurë.
Ju deklaruat se nëse do të keni mbështetjen e Prokurorisë, do të nxirrni video të tjera. Cilët janë personazhet dhe kur pritet të dalin këto video?
Do të kërkoj sinqerisht mirëkuptimin tuaj për vazhdimin e kësaj beteje. Jua thash edhe një herë. Unë në dhomë të gjumit ku fle kam dy krevate bebesh. Nga të dy krahët ku fle. Kam edhe dy fëmijë që shkojnë në shkollë.
Nuk është e thjeshtë që edhe me kërcënimet që kam marrë këto ditë dhe me informacionet që kam, që unë të vazhdoj këtë betejë i vetëm. Kështu që do të kërkoj mirëkuptimin e të gjithëve që, pasi të shoh që drejtësia po vepron dhe nuk po kontrollohet, unë ju jap fjalën se të gjitha videot e tjera do të dalin në dritë.
Kërkoj mirëkuptim për hir të vazhdimësisë së jetës dhe për hir të familjes. Kam marrë këto ditë kërcënime të jashtëzakonshme, kërcënime nga goja e Ilir Metës, që u ka thënë miqve të mi që do të marr vetë kallashnikovin dhe do ta vras.
Çfarë synonit të arrini duke ia dhënë videon kryeministrit Berisha dhe më pas e publikuat?
Para disa muajsh keni deklaruar se keni parë Kryetarin e opozitës që ka marrë lëndë
narkotike.
Kur do t’i bëni publike këto fakte?
E para, videon Berishës e kam ofruar si provë e informacioneve të pafund që i kam dhënë Berishës gjatë gjithë periudhës që kemi qenë në qeveri bashkë. Berishës i kam treguar, sepse besoja se ai kishte një lloj ndershmërie dhe ishte i interesuar për të luftuar korrupsionin, pothuaj çdo lloj presioni, çdo lloj kërkese, favori që më ka kërkuar Ilir Meta, jo siç thotë Berisha kur u largova nga detyra, por gjatë gjithë kohës që kam qenë në detyrë. Ai e pranoi videon.
Më vjen mirë që e pranoi vetë që nuk e pranoi videon. Ky është një konfirmim që unë kam thënë të vërtetën, më vjen shumë mirë që kryeministri e pranoi këtë fakt. Për sa i përket akuzave për Edi Ramën, unë i kam bërë ato publike. Nuk kam dëgjuar të ketë filluar ndonjë hetim për to. Nuk më ka thirrur askush që të jap asnjë lloj prove dhe asnjë lloj gjëje tjetër.
Unë jam një person, i cili nuk bën deklarata të forta, por jo të pamenduara. Person, i cili në disa momente mund të tregohet më emocional se e do momenti, por jam person, i cili të gjitha fjalëve, thënieve, firmave të mia jam i zoti t’u dal mbështetje deri në fund.
Nëse i referohemi fjalës së z Meta, ju kishin refuzuar vendimin e Apelit dhe se titrat e videos janë montuar për shkak se, sipas tij, 7 % janë aksionet e një kompanie të huaj dhe 700 mijë euro është dëmi i kompanisë. Ndërkohë, juristët thonë që përgjimi juaj është i paligjshëm, çka mund të nisë një procedim ndaj jush dhe heqje imuniteti.
Ç’mund të na thoni për këto?
Shpresa e vetme e Ilir Metës për t’i shpëtuar drejtësisë është që t’i tregojë që kjo video është e paligjshme dhe drejtësia të mos e marrë si provë. Nëse nuk merret si provë, sigurisht nuk ka çështje penale.
Pra, shpresa e vetme është që të gjejë mënyra dhe mundësi se si kjo video të mos merret si provat e tjera. Por, nuk ka asnjë ligj sot në Republikën e Shqipërisë që më ndalon mua të mos bëj atë që bëra. Nuk ka asnjë ligj. Verifikojeni, kontrollojini të gjithë ligjet.
Pra, të nxjerrësh të jashtëligjshme atë që unë bëra për të demaskuar e faktuar veprimtarinë e Ilir Metës. Ka edhe precedentë në Gjykatë ku jo vetëm për një video, por edhe për regjistrime janë marrë si provë. Kjo është shpresa e vetme e Ilir Metës.
Ai lexoi një mesazh të firmës që thoshte që këto 700 mijë eurot janë një dëm ekonomik që i janë bërë kompanisë. Dje tha 700 mijë janë investime që ka bërë kompania. Ai çdo ditë nxjerr nga një variant të ri. E përsëris që drejtësia të mos ta marrë për provë atë video, kjo është shpresa e vetme e tij.
Ju thatë se jeni zhgënjyer nga Berisha, por a mendoni se do të pësoni të njëjtin zhgënjim edhe nga opozita?
Me zotin Rama jam takuar vetëm njëherë gjatë periudhës që jam larguar nga ministria, në prani të kreut të grupit parlamentar, Ruçi, dhe dy deputetëve të tjerë të PS-së.
Pra, e kam takuar dhe kemi diskutuar për një mënyrë bashkëpunimi me njëri-tjetrin. Unë jam në opozitë dhe bashkëpunimi me partinë kryesore të opozitës do të ishte jo e drejtë ta shmangia, por se si do të jetë bashkëpunimi në të ardhme me PS-në, deri tani nuk ka asnjë lloj marrëveshje.
Kjo mbetet për t’u parë. Unë kam përpara meje disa variante. Kam përpara variantin e vajtjes me PS-në, bashkimin me ta dhe kam variantin të krijoj një forcë të re politike opozitare dhe siç mund të kem variantin të lë këtë politikë të qelbët, të shoh familjen time dhe hallet e mia. Kështu që kjo i mbetet të ardhmes për t’u vendosur.
Prej disa kohësh, Eduart Belegu është shpallur zyrtarisht i zhdukur. Çfarë informacionesh keni ju për atë? A ka lidhje lufta juaj me zotin Meta në lidhje për këtë çështje?
Më vjen keq që media dhe drejtësia po e po, kanë harruar rastin Belegu. Rasti Belegu, nëse hetohet deri në fund, pra zhdukja e ish-këshilltarit tim, mund të jetë mbase një nga hetimet e shekullit për këtë vend. Zoti Belegu nuk është larguar në asnjë vend tjetër, siç është varianti policisë.
Policia, edhe sot, familjes së tij i thotë na thoni ku ka shkuar Belegu. Policia dhe prokuroria nuk e ka marrë në një asnjë rast seriozisht denoncimin tim publik se zoti Bejlegu është zhdukur nga të tjerë dhe jo vetë. Më vjen shumë keq që Drejtësia nuk ka vepruar, por edhe media ka dhënë një kontribut shumë pak. Edhe në video që është shfaqur, zoti Meta e përmend zotin Belegu.
Ai kishte kohë që më kërkonte largimin e zotit Bejlegu, pastaj duke parë rezistencën time për ta larguar pa arsye, por vetëm për qejf të kryetarit të partisë, unë kam bindjen që është i përfshirë edhe në arrestimin e dhunshëm që iu bë zotit Bejlegu në zyrën e tij në ministri pa asnjë arsye.
Belegu pas disa javësh doli nga burgu dhe akuza u hoq zyrtarisht nga Prokuroria. Personin kryesor që dyshohet në rastin e Belegut, policia e la të ikte në Amerikë dy apo tre javë pas ngjarjes.
Keni deklaruar se keni informacione në Prokurori se “Hakmarrja për Drejtësi” ka interes në ekzekutimin tuaj. Cilat janë këto segmente që përhapin fjalë për ju?
Nga disa kolegë tuaj të një gazete kryesore në Shqipëri kam marrë disa ditë më parë një informacion që ata e kanë marrë nga Prokuroria që sikur ata po hetojnë kërcënimet e vjetra që më janë bërë mua që në kohën kur isha ministër, sikur ato vinin nga “Hakmarrja për Drejtësi”.
Ky informacion i Prokurorisë ka shkuar nga Policia e Shtetit. Unë deklaroj diçka. Me “Hakmarrjen për Drejtësi” nuk njihem me asnjërin prej tyre, nuk jam takuar me asnjë prej tyre, as nuk kam dhe nuk më kanë borxh asnjëri prej tyre dhe kjo më bën të mendoj që po krijohet një lojë.
Dikush po mendon të më godasë mua fizikisht duke përdorur emrin e tyre se ata s’kanë asnjë punë me mua. Aty duhet të ketë një skenar që është më mirë ta bëjnë të ditur Policia apo prokuroria e krimeve të rënda andej nga ka dalë informacioni.
A jeni takuar me z Rama pas publikimit të videos. Dhe a kishte marrë lëndë narkotike në këtë takimin tuaj?
Me zotin Rama nuk jam takuar pas publikimit të videos. Dua të sqaroj se zoti Rama nuk ka gisht në vendimin tim për të publikuar videon. Në asnjë rast, as ai, as ndonjë tjetër nga PS nuk më ka kërkuar apo bërë presione për ta publikuar videon dhe për të qenë korrekt jam habitur që në takimin me Edi Ramën, sepse kam parë një njeri normal, tepër të angazhuar, tepër serioz, ndryshe nga ai Edi Rama kisha njohur 10 vite më parë.
Unë nga ai kam pasur pothuajse një shkëputje thuajse dhjetëvjeçare dhe kam parë një njeri, edhe njëherë një njeri normal dhe serioz dhe nuk kam vërë re këto që po më pyesni ju.