Shefi i qeverisë ka rrëfyer dje bisedën që ka bërë me ish-ministrin e Ekonomisë, Dritan Priftit, në kohën kur e shkarkoi LSI-ja, para se video-skandali Meta-Prifti të publikohej. Në mbledhjen e grupit demokrat, kryeministri tha se ish-ministri Dritan Prifti i kishte kërkuar atij të mos pranonte kërkesën e shkarkimit nga kreu i LSI-së, Ilir Meta, pasi në të kundërt Prifti do të publikonte një video që kishte regjistruar. Berisha tha se nuk mund të pranonte kërkesën e Priftit, pasi kurrsesi nuk do të prishte koalicionin me Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Biseda Berisha-Prifti
Kryeministri Sali Berisha e cilësoi përsëri dje si një montazh videon e bërë publike në media në të cilën u pretendua se emri i tij ishte përmendur lidhur me një koncesion hidrocentrali. “E vërteta është se me atë video u bë një montazh, emri im është përmendur për emërimin e Engjëll Zeqos, në vend të zotit Stojku në KESH, ashtu siç ishte shkruar në marrëveshjen politike të koalicionit me LSI-në”, tha Berisha. Ai shtoi se në kohën kur LSI ka kërkuar shkarkimin e Dritan Priftit, ky i fundit i ka shkuar në zyrë dhe i ka thënë se Berisha si kryeministër të mos pranonte largimin e tij. “Kujtoi se nuk do të pranoja që ai të largohej, por unë nuk mund të shkel marrëveshjen që kisha me LSI”, tha Berisha. Ai shtoi se i ka thënë Dritan Priftit se “nuk mundem, do të zbatoj marrëveshjen”. Në këtë kohë, sipas kryeministrit Berisha, Dritan Prifti i ka thënë se do ta dëmtonte maxhorancën pasi kishte një video. “I thashë sa të mundesh dëmtoje, çoja kujt të duash videon”, tha Berisha. Ai shtoi se videoja është përdorur për të nxjerrë LSI-në nga koalicioni por Meta nuk kishte pranuar asnjë kompromis lidhur me këtë fakt.
Akuzat për Ramën
Kryeministri Berisha deklaron se video përgjimi Meta- Prifti është “tentativë puçiste” nga Edi Rama për të marrë pushtetin dhe për këtë do të përballet me atë që meriton”. Kryetari i maxhorancës kërkoi dje në mbledhjen e grupit PD, ndërmarrjen e nismës për ndryshimet e nevojshme në rregulloren e Parlamentit për çështjen e imunitetit. “Ne nisim këtë vit me vizionin më të shkëlqyer, me mundësitë më të mëdha, mjerani nis vitin me çimkat e tij. Le ta lëmë të vazhdojë, po i them edhe një herë se ka bërë gabim fatal me montimin e tij. Këtë unë nuk e them në planin personal, sepse unë me të nuk kam asgjë personale, e them si kryeministër. Nëse lideri i opozitës i lejon vetes të montojë, trukojë dhe falsifikojë dokumente për kryeministrin e ti servirë ato për publikun nuk e ka bërë mirë hesapin”, deklaroi Berisha.
“Unë i dhashë videon atij. Duhet të kishte minimunin e asaj që ky nuk mund ta manipulonte, por natyrisht pjesa tjetër është fëlliqësia më e madhe morale, është një tentativë puçiste për të cilën, ç’është e vërteta, ai do të përballet me atë që meriton”, vazhdoi kryeministri. Berisha sqaroi se videoja i ishte vënë në dispozicion atij nga Dritan Prifti “për të prishur mazhorancën”, por nga ana e tij i ishte shprehur ish ministrit të Ekonomisë se kishte firmosur një marrëveshje nuk do ta prishte atë dhe se ai ishte i lirë ta dërgonte ku të donte videon. “Kasetën e mori nga unë, budallai”- vazhdoi më tej Berisha duke iu referuar liderit të opozitës të cilin e akuzon për “montim” dhe përgjimin si “aktin më të ulët”.
Oferta për Partinë Socialiste
“Opozita do të ketë ofertën tonë të hapur të hartojë çdo ligj apo amendament, që ajo beson se i duhet për të qenë e sigurt në konceptin e vet ti dërgojë ato në Komisionin e Venecias dhe në OSBE- ODHIR, për të marrë viston prej tyre. Ne do i votojmë ato pa ndryshim, sikundër Shqipëria ka një kod zgjedhor nga më të mirët, modern, konsensual në çdo germe në çdo fjalë, është konsensual, çka përbën dhe një nga vlerat më të mëdha të këtij kodi dhe zoti Rama në letrën e shkruar e firmosur prej ti,j drejtuar institucioneve ndërkombëtare, ju thotë se kodi është shumë i mirë s’ka nevojë për ndryshime, por zbatimi i tij. Zoti Rama është i thirrur të paraqesë amendamente për zbatimin e tij, ndonëse ka pasur 20 mijë komisionerët e tij, por ne jemi të hapur për të pasur çdo lloj standardi që përputhet me normat ndërkombëtare me zgjedhjet e lira”.
Rritje rrogash dhe pensionesh
“Unë ju thash ju se ky është viti më i rëndësishëm, vit i cili do të shënojë arritjet më të mëdha dhe ju garantoj se kjo do të ndodhë. Ekonomia shqiptare në tremujorin e trete ka një rritje te kalkuluar 4.9 %, por që eksportet nuk kanë asnjë kontribut ndonëse ato kanë një rritje mbi 60%, sa në asnjë vend tjetër, sepse formula e kalkulimit të rritjes është e atillë.Pra ne nisim këtë vit me një pritshmëri midis 7 dhe 8 për qind dhe kjo është absolutisht e mundshme po të kemi parasysh, nuk them kurrë shifra të saktë, sepse të saktën e kanë ata që e llogarisin, por unë përcaktoj një objektiv. Natyrisht ky vit si çdo vit objektiv kryesor do të ketë rritjen e rrogave dhe pensioneve. Ne jemi qeveria e rritjes së vazhdueshme të rrogave dhe pensioneve , ne do ta bëjmë këtë dhe do te realizojmë rritjen më të madhe në Europë.
Tenderi për tunelin Tiranë-Elbasan
“Duhet të jemi realisht duhet ti shohim gjerat në sy. Njerëzit kanë lëvizur në çdo kohë, ngulimet dhe banimet janë mijëra vjeçare, por rrugët e tyre kanë qenë rrugët për qerre, këmbësor ose për kalë, ne po i sjellim në kohën e sotme dhe po i japim vendit rrjetin me modern ne Ballkan dhe më modern në Europë. Unë dua tu informoj sot për kënaqësinë tuaj, por dhe të grupit anti-tunel se 26 kompani janë paraqitur sot në tenderin e tunelit të Elbasanit. Sikundër ju jeni informuar javën e fundit të vitit u firmos marrëveshja për 400 milion dollarë, për këtë autostradë që ne e vërteta është se do e bënim me çdo kusht, sepse ka impakt shumë të madh, ka impakt për të gjithë jugun dhe jug-lindjen e vendit. Elbasanit që është popullata më masive pas Tiranës. Elbasani shndërrohet në një qytet binjak me Tiranën, ma i afërti, më i afërt se Fushë-Kruja, të cilën e kam konsideruar dhe e konsideroj gjithnjë si lagje të Tiranës”.
Kreu i LSI-së, akuza të rënda në adresë të kryetarit socialist
Video, Meta: Më 8 Maj, do verifikohet montimi kriminal i Ramës
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i është drejtuar me tone të ashpra kryesocialistit Rama duke e akuzuar atë se ka garantuar montimin kriminal të videos së regjistruar mes tij e Priftit. Në një prononcim përpara mediave, Meta lëshoi akuza të rënda personale ndaj Ramës. Duke iu referuar kreut të PS-së, ai tha do të jetë pikërisht 8 Maji, që do ta pastrojë Tiranën nga një monstër e tillë.
Akuzat
Meta iu drejtua Ramës duke thënë se “ky ndyrësirë që mohoi të birin e tij, që akuzoi babain e tij si të atin e fëmijës së tij, përdori një tjetër fundërrinë për të bërë montazh”, u shpreh Meta duke deklaruar se Dritan Prifti i përdoruar nga Rama e kishte akuzuar atë më herët “se pinte kokainë”. Pas akuzave personale ndaj Ramës, Meta u shpreh se nesër drejtësia do të vërtetojë videon dhe i gjithë opinioni publik do marrë vesh të vërtetën e montazhit të fëlliqur, siç tha Meta. “Montazhi i fëlliqur dhe titrat e vendosura nga Edi Rama do të verifikohen nesër. Është një veprimtari që do të denoncohet para drejtësisë dhe opinionit publik. Shumë shpejt të gjithë qytetarët shqiptarë do të shohin se Rama është një njeri që do të vijë në pushtet nëpërmjet dhunës, është një montazhues i fëlliqur është një njeri i marrë peng nga mafia”, u shpreh Meta.
Deklarata
Duke deklaruar përpara mediave se pikërisht në 8 Maj, datën e zgjedhjeve lokale, Meta tha se qyteti i Tiranës do pastrohet nga një mostër i tillë. “Absolutisht, ekipi i juristëve, i cili është një ekip profesionale, tashmë pothuajse ka nisur punën, nesër e nisin zyrtarisht dhe ky përgjim, kriminal dhe i paligjshëm, përveç montazhit, kriminal dhe të paligjshëm, do të bëhet një shembull, jo vetëm për autorët e tyre, por për cilindo tjetër që do të guxojë në këtë vend të përdorë përgjimin, spiunllëkun, montazhin, për shantazhe, për të kapur peng institucionet e vendit, për të kapur peng liritë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Prandaj, të jeni të sigurt ju, që ky është një proces që do të shkojë deri në fund. Është një proces, të cilin unë do ta fitoj në mënyrën më spektakolare dhe njëkohësisht në 8 maj do të jepet edhe gjykimi politik për të cilin unë jam besim se do të jetë vendimi për të pastruar jo vetëm Tiranën, por gjithë politikën shqiptare nga fundërina të tilla”, tha Meta.
Presidenti firmos shkarkimin e Metës emëron ministrat e rinj
Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka dekretuar dje shkarkimin e zotit Ilir Meta nga detyrat si zëvendëskryeministër dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe ka ngarkuar në këto detyra Edmond Haxhinaston dhe Nasip Naçon. Haxhinasto do të mbajë postin e Ministrit të Jashtëm dhe të zv-kryeministrit të vendit, kurse Naço, Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjetikës.Zyra për shtyp e Presidentit bëri të ditur se ”në mbështetje të nenit 93 dhe 98, pika 1 të Kushtetutës, me propozim të Kryeministrit, zoti Ilir Meta, zëvendëskryeministër dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, shkarkohet nga detyra. Sipas të njëjtave burime, Presidenti në mbështetje të nenit 93 dhe 98, pika 1 të Kushtetutës, me propozim të Kryeministrit, dekretoi Zoti Edmond Haxhinasto, të emërohet zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme, post qe mban dhe aktualisht ne qeveri”. Në postin Ministrit të Ekonomisë që mbante Meta, Presidenti Topi dekretoi emërimin e z. Nasip Naço, ministër të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.Dekretet hyjnë në fuqi me menjëherë.
Haxhinasto pret ambasadorin hungarez: Synimi ynë, statusi i vendit kandidat në BE
Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, priti dje Ambasadorin e Republikës së Hungarisë në Tiranë, z. Sandor Molnari, vendi i të cilit mban presidencën e BE për periudhën janar-qershor 2011. Me hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës, Hungaria mbyll trion e parë presidenciale të BE, pas Spanjës dhe Belgjikës. Ambasadori Molnari i dorëzoi Ministrit Haxhinasto programin e Presidencës hungareze, dhe bëri një prezantim të katër prioriteteve për periudhën janar-qershor 2011. Ambasadori evidentoi faktin se rajoni i Ballkanit Perëndimor do të jetë në fokusin e Presidencës në kuadër të politikës së zgjerimit, duke konfirmuar mbështetjen për avancimin e të gjitha vendeve në axhendën e tyre të integrimit evropian. Ministri Haxhinasto i konfirmoi Ambasadorit se mazhoranca është plotësisht e angazhuar për avancimin e axhendës evropiane, duke synuar marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit. Qeveria shqiptare së shpejti do të miratojë planin e punës për realizimin e 12 prioriteteve të vendosura nga Komisioni Evropian, dhe do të bëjë çdo gjë që është në kapacitetin e saj për të vepruar dhe zbatuar. Ministri gjithashtu theksoi se edhe opozita duhet të bashkëpunojë nëse do integrimin e qytetarëve shqiptarë në BE, pasi ky proces nuk i përket vetëm qeverisë por të gjithë aktorëve dhe shoqërisë shqiptare.
Raporti i Martit, Ina Rama takon Prokurorët e EULEX
Akuzat e raportuesit të KiE, Dick Marty, për trafik organesh brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, ka qenë shkaku që ka mbledhur në një takim të përbashkët kryeprokuroren Ina Rama dhe një delegacion të Prokurorisë së EULEX.Në takimin e kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, merrnin pjesë Kryeprokurorja e EULEX, Znj. Isabelle Arnal dhe nga Zëvendës Prokurorja, Znj. Sevdije Morina, të pritura nga Ina Rama. Bashkërendimi i hetimeve, ka qenë edhe tema kryesore për të cilën kanë biseduar. Prokuroria shqiptare, përveç detajeve teknike, ofroi bashkëpunimin e saj për hetimin e tyre në bazë të kërkesave të Prokurorisë speciale të Kosovës, gjithmonë në përputhje me kuadrin ligjor të Republikës së Shqipërisë.
Shefi i qeveverisë kërkon ndryshimin e ligjit për imunitetin e deputetëve
Kryeministri Berisha kërkoi nga Grupi i Partisë Ddemokratike hartimin e deklaratës për të kërkuar në Parlament ndërhyrjen e nevojshme në rregulloren e Kuvendit për heqjen e imunitetit ndaj deputetëve në raste hetimi për korrupsion. Berisha kërkoi hartimin e deklaratës, firmosjen e saj nga deputetët e maxhorancës dhe depozitimin në Parlament. “Të bëhen ndërhyrjet e nevojshme në rregulloren e Parlamentit nëse është e nevojshme, dhe të adaptojmë një standard të ri, nuk do ketë asnjë lloj imuniteti” nënvizoi Berisha. Ai kërkoi të merret si praktikë modeli gjerman, ku mund të bëhen ndryshime në rregulloren e Parlamentit, në pamundësi të ndryshimeve kushtetuese, të cilat duan dhe votat e opozitës. “Nëse opozita dëshmon vullnet për të bërë ndryshimet e duhura kushtetuese apo ligjore jemi të gatshëm që nesër t’i bëjmë ato në interesin më të mirë të vendit. Është e domosdoshme që Ministri i Drejtësisë në një mbledhje të KLD të shtrojë këtë çështje lidhur me imunitetin e gjyqtarëve, prokurorëve ia kemi hequr. Në këtë mënyrë Shqipëria bën një hap përpara në zgjidhjen e kësaj kërkese“, nënvizoi Berisha.