Home Aktualitet Inspektoret e Tatimeve benin kontrolle selektive, groposnin rivalet

Inspektoret e Tatimeve benin kontrolle selektive, groposnin rivalet

1264
0

tatimetHetimi i Prokurorisë së Tiranës, i cili nisi kryesisht për një numër të vogël inspektorësh të tatimeve, u zgjerua në disa inspektorë të tjerë të tatimeve dhe lojërave të fatit, duke arritur të dokumentohet mbi 65 raste korruptive në të gjithë vendin. Në fillim, rezultoi se disa inspektorë tatimesh dyshohej se kryenin veprën penale të “korrupsionit pasiv” dhe “shpërdorimit të detyrës”, në rastet kur ushtronin kontrolle në subjekte të ndryshme tregtare dhe hartonin procesverbale fiktive ose nuk e kryenin kontrollin në mënyrën ligjore.

Nga hetimet fillestare, në disa raste rezultonte se punonjësit e tatimeve nën hetim, komunikonin për veprime antiligjore, ndër të tjerë, edhe me menaxherin e një kompanie bastesh,i cili quhet Kreshnik Kasaj. Duke u thelluar më tej hetimi, nga ana e prokurorisë u arrit të krijoheshin dyshime se në veprime korruptive dhe antiligjore ishin të përfshirë edhe disa inspektorë të Njësive të Lojërave të Fatit. Dhe një sekser, që ishte punonjës i Bashkisë Tiranë.

Hetimi, i cili ka nisur në nëntor 2014, ka arritur deri në këtë fazë, të evidentojë dhe provojë shkelje të disa inspektorëve të hetimit tatimor dhe të disa inspektorëve të lojërave të fatit. Ndërkohë ka pasur raste kur në kazinotë e parregullta sekuestroheshin makineritë e prishura.

Groposnin rivalët
Në bazë të hetimit të prokurorisë, nga inspektorët e Tatimeve, për të cilët është vendosur masa e sigurisë “arrest me burg” nga gjykata, janë evidentuar shkelje të natyrave të ndryshme dhe në zona të ndryshme të Shqipërisë, si në Tiranë, Durrës, Malësi e Madhe, Velipojë, Laç,Shkodër, Fier, Elbasan, Tropojë, Kukës etj. Ndër subjektet, për të cilat inspektorët tatimore dyshohet se kanë konsumuar elementët e “Shpërdorimit të detyrës” gjatë kontrolleve janë, lokale, magazina, objekte shërbimi, pika shumice ushqimore, elektroshtëpiake, detergjentësh, etj.

Nga hetimi rezulton se Metjon Bijo, inspektori i Tatimeve, Petrit Ahmetaj,punonjës i bashkisë Tiranë që bënte rolin e sekserit, dhe zyrtarët e tjerë Jani Berukas, Tefik Mallkuci, Valentin Lokaj, Mensur Hoxha dhe Trendafil Tarja, të cilët tashmë janë arrestuar gjatë ditës së djeshme, shfrytëzonin në zona të ndryshme njohje me persona të veçantë, të cilët i njoftonin për kontrollet “e befasishme” dhe këta të fundit të merrnin masat për të mbyllur bizneset e tyre derisa të përfundonte kontrolli, si edhe të njoftonin edhe tregtarë të tjerë për këto kontrolle, por në çdo rast, “tregtarët duhet të respektonin inspektorët”, gjë e cila krijon dyshime të forta për veprime korruptive me para nën dorë që varionin nga 1 milion lekë të vjetra.

Po ashtu, rezulton nga hetimi se inspektorët tatimorë të arrestuar dje, merrnin edhe “sugjerime” nga personat e tretë lidhur me faktin nëse duhet të kryenin kontrolle në objekte të ndryshme tregtare dhe se si duhet të silleshin. Konstatohen raste të ndryshme, kur “sugjeruesit” i kërkonin inspektorëve tatimore që të “groposin” pika bastesh apo biznese të ndryshme, duke nënkuptuar se mund të ishin biznese rivale ose që nuk kishin pranuar “të respektonin” me para nën dorë inspektorët.

Shkeljet e konstatuara
Ndër shkeljet e konstatuara mund të përmenden, kontrolle fiktive, pra, kontrolle të pakryera, por me procesverbale të plotësuar si të kryer, kontrolle të kryera, por pa evidentuar shkeljet, si mungesë dokumentacioni, mungesë personash të regjistruar si të punësuar. Në bazë të hetimit të prokurorisë, nga inspektorët e Njësisë së Lojërave të Fatit, për të cilët është vendosur masa e sigurisë “arrest me burg” nga gjykata, janë evidentuar shkelje të natyrave të ndryshme dhe në zona të ndryshme të Shqipërisë, si në Tiranë, Durrës, Tropojë, Lezhë, etj.

Ndër subjektet, për të cilat inspektorët tatimore dyshohet se kanë konsumuar elementët e “Shpërdorimit të detyrës” gjatë kontrolleve janë, pika bastesh sportive dhe subjekte tregtare të lojërave të fatit kazinotë. Ka pasur raste, kur persona të ndryshëm në radhët e “sugjeruesve”, u kërkonin inspektorëve të lojërave të fatit që të sekuestronin pajisje në lokale të ndryshme dhe t’ua jepnin “sugjeruesve” për lokalet e tyre.

Ndër shkeljet e konstatuara mund të përmenden, kontrolle fiktive, pra, kontrolle të pakryera por me procesverbale të plotësuar si të kryer, kontrolle të kreyera, por pa evidentuar shkeljet, si mungesë dokumentacioni, mungesë personash të regjistruar si të punësuar,etj. Gjithashtu, në raste të ndryshme, nuk janë sekuestruar pajisje dhe makineri lojërash fati të paliçensuara ose, në disa raste, sekuestroheshin makineri të prishura, për të “justifikuar” kontrollin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here